Opinione

Koncepti i ri me huqe të vjetra

Mbi Propozim Konceptin për arsim fillor në Maqedoninë e Veriut

Rezultatet e dobëta të cilësisë së arsimit tonë në testet ndërkombëtare (OECD) për çdo udhëheqës të ndërgjegjshëm të politikave arsimore duhet të jenë këmbana e fundit e alarmit për shqyrtim dhe ndërhyrje serioze për përmirësimin e gjendjes. Përsëritja e njëpasnjëshme e këtyre rezultateve , duhet ti vetëdijësojë autoritetet përkatëse, por edhe faktotët e tjerë, për nevojën për ndërhyrje serioze, gjithpërfshirëse dhe në drejtimin e adrersimit të gjitha aspekteve që kanë pasur ndikim në këtë gjendje.

Propozim Koncepti për arsimin fillor në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në tërësinë e vet, mund të thuhet se ka parashtruar një analizë të mirë të arsyeve që e kanë degraduar sistemin arsimor në këtë nivel. Në fakt, këto vërejtje tanimë disa vite janë evidentuar në raportet e asociacioneve dhe organizatave të ndryshme që janë marrë me këtë problematikë në RMV.

Metodologjia e vjetëruar e mësimdhënjes, infrastuktura e pavolitshme, kultura e ulët e mësimit digjital, pabarazitë në kontekste të ndyshme, janë konstatimet madhore për të cilat ky koncept pretendon të jap kontributin kryesor në tejkalimin e tyre. Mësimi i bazuar në kujtimin e fakteve, ngarkesa e nxënësve me lëndë të panevojshme dhe të izoluara njëra nga tjetra pa ndonjë ndërlidhje funksionale për ti bërë njohuritë më të kuptueshme dhe më të përdorshme për nxënësit, historicizmi ekskluziv që rezulton me ekskluzivitetin social, pabarazia e kushteve për realizimin e mësimit në hapësira të ndryshme, janë vetëm disa nga fenomenet që nuk është vështirë ti venerojë edhe një vrojtues i thjeshtë respektivisht çdo prind që ka një nxënës në shkollë. Prandaj edhe adresimi i tyre në Konceptin e ri është i qëlluar.

Megjithatë, me sa duket për të na rikujtuar se RMV ende nuk e ka fuqinë për të dale nga ,,skema mentale ,, e vjetër, në Konceptin e ri kultivohen me kujdes ,,huqet e vjetra,,. Kësisoj në Kapitullin me emrin Gjithëpërfshirja, sensiviteti gjinor / barazia dhe interkultura,  me të drejtë trajtohet aspekti i gjithpërfshirjes (në dritën e kujdesit për nxënësit për nevojat e veçanta) dhe të barazisë gjinore.  Kur trajtohet barazia etnike dhe kulturore edhepse konstatohet rëndësia e padiskutueshme e këtij dimensioni, kur propozohen zgjidhjet dhe metodat që duhet ta përmirësojnë këtë gjëndje, ky koncept nuk dallon aspak nga mendësia hegjemoniste që në fakt RMV-së i shkaktoi dhe vazhdon ti shkatojë shumë probleme që e pengojnë zhvillimin e saj dhe hapërimin drejt proceseve integruese.

Kështu në tekstin e Konceptit të ri do të gjeni konstatimin: Diversiteti i ngulitur në sistemin tonë arsimor fillor, i kuptuar në kontekste të ndryshme, është gjithashtu një sfidë për ndryshimin e cilësisë dhe zhvillimin e një shkolle fillore të integruar dhe cilësore për të gjithë fëmijët.,, Dhe pastaj vazhdon me arsyetimin se shkaktar i ,,dallimeve në cilësi,, qënka ,,Ndarja e nxënësve sipas gjuhës mësimore shpesh kontribuon në ndryshime në arritjet e nxënësve të etnive të ndryshme,, (duke aluduar se fajtorë për rezultatet e dobta në teste janë për shkak të testeve të dobta në shkollat e komuniteteve joshumicë ku kryesisht janë shkollat në gjuhën shqipe), pa e trajtuar drejtë këtë aspekt që ka të bëjë me pabarazinë historike të shkollimit në gjuhën shqipe dhe me faktin që edhe sot kemi shkolla në gjuhën shqipe  që mësojnë në tre ndrrime. Poashtu, anashkalohet fakti që vetëm rreth 10% të fëmijëve shqiptarë janë të përfshirë në shkollimin parashkollor për dallim prej atyre maqedonas që janë mbi 60%.

Më tej në këtë propozim tekst propozohet masa që do të aplikohet si vijon: ,,Aplikimi i arsimit ndërkulturor është i nevojshëm për të tejkaluar bashkëjetesën pasive midis komuniteteve të ndryshme etnike dhe fetare që jetojnë në vendin tonë dhe për të siguruar një mënyrë të qëndrueshme për të jetuar së bashku në shoqërinë tonë multikulturore/multietnike,,  që në parim nuk ka se si të kundërshtohet. Por ,,huqet e vjetra,, lehësisht vërehen në mënyrën se si do të arrihet kjo. Është e ditur se që nga sistemi i kaluar monist edhe tani gjuha maqedonase mësohet si lëndë e obligueshme prej klasës së tretë tani prej klasës së katërt nga 2 orë në javë të shkollat me mësim në gjuhën shqipe (dhe te komunitetet tjera joshumicë). Kurse atë që mësojnë në gjuhën maqedone, në tekst shkruan:,,… në mesin e lëndëve zgjedhore kushtuar mësimit të një gjuhe të dytë të huaj është përfshirë edhe Gjuha shqipe e cila dedikohet për të gjithë nxënësit e interesuar që ndjekin mësimet në gjuhën maqedonase, turke, serbe ose boshnjake,,. Dhe më poshtë sqarohet se,, Nxënësi që nuk ndjek mësimin në gjuhën shqipe (maqedonas dhe të tjerët) përzgjedh njërën nga lëndët mësimore vijuese: gjuhën shqipe, gjuhën italiane, gjuhën gjermane, gjuhën frënge ose gjuhën ruse... Kjo listë vlen vetëm për nxënësit nga klasa VI deri në IX..,,  Me një fjalë, gjuha maqedonase mbetet sikurse ka qënë kurse gjuha shqipe mund të zgjidhet si lëndë zgjedhore (me dëshirë) në mes të gjuhëve tjera të huaja nga klasa e gjashë deri në të nëntën. Nuk është e vështirë që të merret me mend se sa nxënës maqedonas do të zgjedhin (me dëshirë) gjuhën shqipe duke pasur të drejtën të zgjedhin një gjuhë tjetër të huaj si ajo gjermane, frënge, apo italiane etj.

Me trajtimin e gjuhës shqipe si gjuhë e huaj (për nga konteksti në tekst), dhe jo si gjuhë e mjedisit që njihet si standard në Evropë , trajtimi i saj si lëndë zgjedhore e dytë në tre vitet e fundit të shkollës fillore në kushte kur në vetë dokumentin e Konceptit konstatohen dobësi në sistemin arsimor me efekte të dëmshme sociale dhe politike për vendin, fatkeqësisht tregojnë që hartuesit e konceptit akoma nuk mund ti tejkalojnë paragjykimet tradicionale, për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë të qytetarëve të saj të barabartë . Aq më e pakuptim është kjo qasje tani kur gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në shumë komuna dhe në kryeqendrën e RMV-së, në Shkup, dhe kur kemi një Ligj për përdorimin e gjuhëve me të cilin u bë një hap përpara drejt barazisë dhe që hapi rrugë për një kohesion më të qëndrueshëm social.

Meqë teksti është ende në diskutim publik, uroj që qeveritarët dhe ligjvënësit të jenë në nivelin e përgjegjësive të tyre për të prodhuar një dokument të vlefshëm dhe të dobishëm për të gjithë.

Haxhi  Dema