Kosova
Konferencë rajonale për drejtësinë ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës: theksi te përgjegjësia penale dhe kompensimi
Avancimi i qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës është në qendër të një konference rajonale që po zhvillohet sot në Prishtinë, me fokus të veçantë në përgjegjësinë penale dhe të drejtën për kompensim. E organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT , konferenca ka mbledhur gjyqtarë dhe prokurorë nga Kosova dhe vendet e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar sfidat në ndjekjen e krimeve të luftës, me theks të veçantë në rastet e dhunës seksuale.
Synimi i këtij takimi është forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, përmirësimi i hetimeve dhe proceseve gjyqësore, sidomos në aspektin e provave si dhe promovimi i qasjeve të ndjeshme ndaj traumës. Një tjetër shtyllë e rëndësishme e diskutimit mbetet rritja e ndërgjegjësimit për reparacionet dhe kompensimin si pjesë thelbësore e drejtësisë për të mbijetuarit.
Nga jurisprudenca te kompensimi, drejt një drejtësie gjithëpërfshirëse
Në panelin e parë, të titulluar “Krimet e luftës të dhunës seksuale nga jurisprudenca te kompensimi, drejt një drejtësie gjithëpërfshirëse”, u paraqitën këndvështrime të ndryshme juridike dhe institucionale mbi nevojën urgjente për reforma që synojnë mbrojtjen e dinjitetit të të mbijetuarve.
Në këtë diskutim morën pjesë Ljiljana Stipišić, gjyqtare në Gjykatën e Lartë Penale të Kroacisë; Valon Kurtaj, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Kosovës; Klaudia Kuljuh nga Trial International në Bosnjë dhe Hercegovinë; si dhe Makifete Saliuka, avokate përfaqësuese e viktimave në gjykatë (e angazhuar nga QKRMT), Kosovë. Paneli u moderua nga Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, anëtare e Bordit të QKRMT-së dhe ish-gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Zëri i të mbijetuarve në qendër të drejtësisë
Një nga momentet më domethënëse të konferencës ishte dëshmia publike e të mbijetuarve, e cila e vendosi në qendër dimensionin njerëzor të drejtësisë.
Vasfije Krasniqi theksoi: “Sot është 14 prill. Një datë që për shumëkënd është thjesht një ditë e radhës në kalendar… por për mua, është dita kur jeta ime ndryshoi përgjithmonë. Isha vetëm 17 vjeç kur kërkova drejtësi, por kjo drejtësi më u mohua. Megjithatë, unë nuk heshta. Në vitin 2018, vendosa të flas publikisht dhe sot ndihem krenare që, falë asaj nisme, katër raste të tjera kanë arritur të fitojnë drejtësinë e merituar.”
Në të njëjtën linjë, Ramadan Nishori bëri thirrje publike: “Mos e mbani të vërtetën tuaj në heshtje. Mos lejoni që frika apo paragjykimi t’ju ndalojnë. Kërkoni drejtësi. Sepse drejtësia është pjesë e shërimit dhe rikthimit te dinjitetit tone!”
Ndërsa Shyrete Tahiri u shpreh: “Unë e kam bërë hapin tim, kam kërkuar drejtësi dhe asnjëherë nuk do te dorëzohem derisa të arrij drejtësinë dhe nuk dua që askush tjetër të mbetet i heshtur siç kam qenë unë. Sot ju inkurajoj: bëjeni edhe ju hapin tuaj. Kërkoni drejtësi.”
Thirrje institucionale për drejtësi të plotë
Drejtoresha Ekzekutive e QKRMT-së, Dr. Feride Rushiti, theksoi se drejtësia për të mbijetuarit shkon përtej vendimeve gjyqësore: “Për të mbijetuarit, drejtësia nuk është vetëm një vendim gjykate është pranimi i asaj që kanë përjetuar dhe përkthimi i saj në mbështetje reale dhe kompensim konkret.Prandaj, kjo konferencë nuk është vetëm një diskutim -por një thirrje për veprim. Që drejtësia që ndërtojmë të mos jetë vetëm ndëshkuese, por shëruese, gjithëpërfshirëse dhe e orientuar nga i mbijetuari”.
Nënkryetari i parë i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, nënvizoi rolin e institucioneve:
“Institucionet ofrojnë mbështetje institucionale për krijimin dhe avancimin e mekanizmave të drejtësisë. Ne jemi të përkushtuar që të forcojmë mekanizmat e llogaridhënies dhe të mbështesim sistemin, në mënyrë që t’u ofrojë drejtësi të mbijetuarve të dhunës seksuale. Përkushtimi ndaj përkrahjes së të mbijetuarve dëshmohet edhe përmes emërimit të dy të mbijetuarave, Vasfije Krasniqi dhe Shyrete Tahiri, nga U.D. Presidentja, si të deleguara speciale për dhunën seksuale.”
Ndërkohë, Ministrja e Drejtësisë dhe Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, theksoi lidhjen e drejtësisë me ndëshkimin e autorëve:
“Njohja ligjore është një hap i rëndësishëm, por jo gjithmonë i mjaftueshëm, sepse e drejta për drejtësi lidhet ngushtë me ndëshkimin e autorëve të krimit, të cilët lëvizin lirshëm. Prandaj, ne si institucione nuk mund të themi se drejtësia për të mbijetuarit është arritur pa u ndëshkuar autorët e krimit.”
Edhe nga sistemi gjyqësor u theksua nevoja për thellim të reformave. Mirjeta Shala, anëtare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, deklaroi: “Këshilli Gjyqësor i Kosovës mbetet i përkushtuar në avancimin e procedurave për ofrimin e qasjes në drejtësi për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Megjithatë, drejtësia mbetet e paplotë pa ndëshkimin e autorëve dhe pa realizimin e të drejtës për kompensim të të mbijetuarve. Është jetike që mekanizmat e krijuar të forcohen vazhdimisht, në mënyrë që të mbijetuarve t’u ofrohet drejtësi e plotë dhe e dinjitetshme.”
Roli i prokurorisë në forcimin e llogaridhënies
Paneli i dytë u përqendrua në avancimin e llogaridhënies për krimet e luftës të dhunës seksuale, duke vënë theksin në rolin dhe përgjegjësinë e prokurorisë në forcimin e reagimit të sistemit të drejtësisë penale.
Në këtë panel kontribuan me perspektivat e tyre Miroslav Dasović, Zëvendës i Prokurorit të Shtetit të Qarkut në Osijek, Kroaci; Tarik Crnkić, prokuror në Departamentin Special për Krime Lufte në Bosnjë dhe Hercegovinë; Ilir Morina, prokuror special dhe udhëheqës i Departamentit për Hetimin e Krimeve të Luftës në Kosovë; si dhe Leonora Selmani, kryetare e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë.
Konferenca rajonale “Avancimi i qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës: përgjegjësia penale dhe e drejta për kompensim” po zhvillohet në Prishtinë si një platformë e rëndësishme për thellimin e dialogut profesional dhe institucional, me synimin që drejtësia për të mbijetuarit të mos mbetet vetëm një parim, por të shndërrohet në realitet të prekshëm.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Mësuesi nga Zvicra, Vaxhid Sejdiu, nderohet me “Shqiponjën e Artë” në Samitin e Diasporës në Tiranë Mësuesi i shkollës shqipe në Zvicër, Vaxhid Sejdiu, është vlerësuar me çmimin “Shqiponja e Artë” në... -
Vritet një shqiptar në Suedi -
Konjufca i kërkon Shqipërisë ta bashkëorganizojnë me Kosovën Samitin e Diasporës -
22 kompani të shqiptarëve nga Austria marrin pjesë në Samitin e Diasporës në Tiranë -
Rama në Samitin e Diasporës: Shqipëria nuk kërkon më ndihmë, por partneritet nga diaspora
Jeta në Zvicër
-
Zvicra jep me shumë kujdes vizat humanitare për të ikur nga Gaza Zvicra po vazhdon të lëshojë vizat humanitare në mënyrë të kufizuar për personat që kërkojnë të... -
BE shtrëngon rregullat për importin e çelikut, preket edhe Zvicra -
Sistemi i sigurimeve ka ndikim të kufizuar në rritjen e kostove shëndetësore -
Gjeneva vendos “frena” për Airbnb: Masa të reja për të mbrojtur banesat -
Pse qeveria zvicerane nuk po ndërhyn për çmimet e larta të karburantit?



















