E-Diaspora

Konflikti i çiftit shqiptar: Vajza heq dorë nga padia për njerkun

Sipas saj, deklarimet e mëparshme ishin “99 për qind” të rrejshme dhe ato i kishte bërë në marrëveshje me nënën e saj

Shqiptari 36-vjeçar, sipas padisë, ka kërcënuar dhe fyer gruan e tij. Për këtë arsye Gjykata e Qarkut në Brugg në procesin e zhvilluar ditë më parë duhej të verifikonte besueshmërinë e deklaratave.

Cili/cila po e thotë të vërtetën? Dhe, a do të dalë e vërteta ndonjëherë në dritë? Në përpjekje për të gjetur të vërtetën, një çift shqiptar, i cili tani jeton veç e veç, kanë qenë pjesë e një procesi para Gjykatës së Qarkut në Brugg, Kantoni Aargau, shkruan Aargauer Zeitung.

Luani thuhet se e ka frikësuar dhe fyer gruan e tij, Sara (emrat e ndryshuar). Kërcënimet dhe  fyerjet e shumta si dhe shtrëngimi janë veprat penale me të cilat ngarkohet 36-vjeçari, transmeton albinfo.ch. Të dy, siç u mësua në gjyq, i kanë nxjerrë punë policisë tashmë disa herë.

Luani, një burrë i gjatë, i fuqishëm, me një kostum të errët dhe këmishë të bardhë, zuri një vend pranë mbrojtësit të tij. Vajza e ish-gruas së tij (thjeshtra) ishte ulur në njërën prej tryezave pranë saj, ndërsa tashmë ish-gruaja, Sara, me një avokat, në një tavolinë tjetër. Ajo ende jeton në apartamentin – dikur të përbashkët – në rajonin e Brugg-ut.

Sipas aktakuzës, në këtë apartament kanë ndodhur disa përplasje në periudhën midis tetorit 2017 dhe shkurtit 2018. Luani i kishte thënë gruas së tij se me një goditje mund ta shkatërronte dhe e kishte quajtur lavire, përcjell albinfo.ch. Me të njëjtat fjalë, sipas aktakuzës, ai e kishte fyer edhe thjeshtrën e tij, e cila vjen nga një lidhje e mëparshme e Sarës.

Vajza, nga ana e saj, ishte në gjendje të kujtonte shumë argumente në marrjen në pyetje nga kryetarja e trupit gjykues, por as që donte të dinte gjë për shumë deklarata të mëparshme që ajo kishte bërë në polici dhe prokurori. Sipas saj, deklarimet e mëparshme ishin “99 për qind” të rrejshme dhe ato i kishte bërë në marrëveshje me nënën e saj.

Ajo tani jeton me njerkun dhe thotë se jeta e saj kishte ndryshuar, gjegjësisht dëshironte të hapte një kapitull të ri. Kështu, thjeshtra ka tërhequr padinë penale kundër njerkut të saj, transmeton albinfo.ch. Sipas saj, ai nuk e ka kërcënuar apo shantazhuar kurrë atë. “E gjitha ishte gënjeshtër”.

Ajo dhe burri i saj janë fjalosur gjatë gjithë kohës, ka konfirmuar Sara. Në një nga rastet ajo thotë se Luani e ka kapur për krahu, e ka goditur dhe rrahur. Ai e kishte kërcënuar se do ta eliminonte atë.

Lidhur me shumë nga incidentet, Sara nuk mund të mbante mend formulimin e saktë. Janë  thënë shumë gjëra të këqija, ka pranuar Sara. Edhe ajo, gjithashtu kishte bërtitur. Kishte frikë. Luani kishte qenë jashtëzakonisht agresiv dhe xheloz. Ajo kurrë nuk qe ndier e sigurt nga ai. Sara gjithmonë duhej të bënte atë që donte ai. Por ajo nuk dëshironte më të ishte kukulla e tij.

I akuzuari Luani, nga ana e tij, ka mohuar që ai ta ketë kërcënuar ose goditur gruan. Përkundrazi: nëse dikush e ka ngritur zërin, ishte ajo. Ajo dëshiron vetëm të manipulojë. Kështu, Luani ka treguar foto nga jeta e lumtur familjare. “Si është e mundur kjo nëse unë do të isha një person kaq i lig?”, ka pyetur ai.

Situata qe përshkallëzuar kur ai kishte ndaluar të luante në lojërat e gruas së tij, ka vënë në dukje Luani. Por ai nuk ka pranuar të komentonte regjistrimet e zërit, të bëra nga një bisedë telefonike mes tij dhe gruas, përcjell albinfo.ch. Këto, sipas tij, janë të paligjshme.

Por avokati i gruas ka thënë se, po nuk u përdorën këto regjistrime, klientja e tij nuk do të jetë në gjendje të provojë pretendimet e padisë. Avokati ka sqaruar se deklaratat saj janë të besueshme. Ashtu siç është kërkuar nga prokurori publik, ai e ka konsideruar si të përshtatshëm një dënim me kusht me gjobë  prej 180 njësive ditore prej 100 frangave.

Për avokatin mbrojtës të Luanit, nga ana tjetër, çështja është qartë. Ai kërkon lirim. Klienti i tij ishte provokuar dhe më pas qe zemëruar. Ndërsa dihet se të qenët i zemëruar nuk është vepër e ndaluar. Avokati mbrojtës nuk ka mundur të identifikojë ndonjë kërcënim apo shtrëngim serioz të bërë nga Luani. I akuzuari, asnjëherë nuk ka përdorur dhunë fizike, transmeton albinfo.ch. Paditësja penale – tek e cila nuk shihej asnjë gjurmë frike, sipas mbrojtësit – ka bërë çdo përpjekje për ta prezantuar burrin e saj në një dritë të keqe, dhe në këto përpjekje, ajo nuk është shmangur as nga thënia e të pavërtetave.

“Askush nuk mund të luajë rolin e viktimës si gruaja ime”, ka thënë i akuzuari në fjalën përmbyllëse. Nëse punët nuk shkojnë ashtu siç dëshiron ajo, atëherë ajo do ta bëjë jetën ferr për njerëzit.

Ndërkohë, është në dispozicion aktgjykimi me shkrim i Gjykatës së Qarkut në Brugg. I akuzuari dënohet me gjobë me kusht prej 50 njësive ditore nga 90 franga secila. Periudha e gjykimit me kusht u caktua për dy vjet.

I akuzuari gjithashtu duhet të paguajë një gjobë prej 1,225 frangash dhe një pjesë të kostos së procesit të gjykatës.

Ai është shpallur fajtor për kërcënim në dy pika dhe për fyerje në një pikë. Në lidhje me akuzat e tjera, gjykata arriti në përfundimin se deklarata të caktuara të bëra nga paditësja penale nuk janë mjaft konkrete apo edhe  janë kontradiktore – se ekzistojnë dyshime të konsiderueshme për besueshmërinë e tyre. Regjistrimet e zërit nga biseda telefonike gjykata i ka konsideruar të papërdorshme.