Lajme
Konsulli takohet me ministrin e Arsimit të Kantonit të Gjenevës
Pas takimeve të shpeshta me përfaqësuesit e LAPSH-it dhe pas një kërkese paraprake, më 11 mars 2011, në orën 10.30 konsulli Nikoliqi, i shoqëruar nga kryetari i LAPSH-it për Gjenevë, z. Agim Paçarrizi, ka pasur takim me Këshilltarin Shtetëror dhe udhëheqës i Departamentit të Arsimit në Republikën dhe Kantonin e Gjenevës, z. Charles Beer, i cili këtë vit është edhe zv. president i Këshillit Shtetëror. Nga ana gjeneveze të pranishëm ishin edhe dy përfaqësues nga ky departament, znj. Miriam Fridman-Wenger, udhëheqëse e Sekretariatit të Përgjithshëm në Departamentin e Arsimit Publik (DIP) dhe znj. Marianne Coppey Lanzer, zyrtare për arsimin primar.
Në fillim konsulli Nikoliqi falënderoi ministrin Beer dhe Departamentin e Arsimit për përkrahjen e deritashme materiale lidhur me mësimin plotësues në gjuhën shqipe dhe informoi ministrin Beer për zotimin e institucioneve të Kosovës për të ndihmuar mësimin plotësues për diasporën kosovare dhe si shembull konkret përmendi dërgimin e teksteve shkollore për ciklin e parë të klasës së parë deri në të tretën të disenjuara enkas për diasporë. Ndërsa, për klasat katër deri në të gjashtën në shtyp janë edhe tekstet shkollore të ciklit të dytë, të cilat do të dërgohen me kohë.
Gjithashtu informoi se zotimi i institucioneve të Kosovës shihet edhe në ofrimin e trajnimeve për mësimdhënësit në diasporë, si dhe organizimin e ekskurzioneve të ndryshme.
Nikoqiri Beer bëri me dije se është i njoftuar mirë me punën e LAPSH-it, për ç’arsye edhe kishte angazhuar personelin e tij për të kuptuar për së afërmi punën e kësaj shoqate, të cilën Departamenti i Arsimit në krye me z. Beer e vlerësojnë lart. Ai theksoi se në kuadër të departamentit është caktuar një komision, i cili shqyrton mundësinë e përfshirjes së mësimit plotësues në një orar të rregullt të mësimit nën ombrellën e programit shkollor të Gjenevës.
Realizimi i kësaj iniciative do të bënte që mësimi plotësues të përfshihet nga viti 2013, kurse nxënësit do të vijonin mësimin të mërkureve paradite, ditë kjo që deri më sot ka qenë pushim për të gjithë nxënësit. Në këtë mënyrë, fëmijëve të moshës 4 deri 8 vjeç do t’u bëhet i mundur mësimi të mërkureve, duke i dhënë përparësi gjuhës dhe kulturës së origjinës.
Nga prindërit do të kërkohet t’i regjistrojnë fëmijët, të cilët do të jenë të obliguar të vijojnë mësimin gjatë tërë vitit shkollor. Pasi që kjo iniciativë të marrë aprovimin nga parlamenti dhe nëse është nevoja edhe të votohet në referendum, atëherë Komisioni do të shqyrtojë modelet më të mira, duke kontaktuar edhe shoqatat që merren me organizimin e gjuhës së origjinës, në këtë rast edhe LAPSH-in, ku si përfundim do të angazhonin mësimdhënës me kontrata.
Kryetari i LAPSH-it, z. Paçarizi, gjithashtu falënderoi Departamentin e Arsimit për ndihmën e dhënë dhe informoi lidhur me vështirësitë rreth përfshirjes së nxënësve në mësimin plotësues, kryesisht për shkak të remitencave që prindërit i dërgojnë për të mbajtur familjet në Kosovë.
Znj. Friedman duke përshëndetur konsullin Nikoliq dhe z. Paçarizi theksoi se e njeh mirë punën e LAPSH-it, ku që nga mbarimi i luftës në Kosovë bashkë me z. Paçarizi kishte punuar me fëmijët e ardhur nga lufta dhe i vjen shumë mirë që kjo punë ende vazhdon. Si dëshmi e vlerësimit të lartë të këtyre angazhimeve, Departamenti i Arsimit është duke ndihmuar dhe sigurisht do të ndihmojë edhe në të ardhmen.
Në fund, me kërkesë të ministrit Beer, LAPSH-i do të caktojë një mësues apo mësuese që do të jetë personi kontaktues me Departamentin e Arsimit të Gjenevës.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Marshi për drejtësi dhe mbrëmja për Ukshin Hotin sjellin plagët e Kosovës në Gjenevë Edicioni i dytë i Marshit për Drejtësi mbahet më 30 gusht në Gjenevë, në Ditën Ndërkombëtare... -
Pishina e Uzwil-it ka një “binjake” në Zllakuqan të Klinës -
Kosova dhe Baden-Württembergu hapin një kapitull të ri bashkëpunimi -
Austri
Vetëm 25-vjeç, Erion Morina Doktoron në Matematikë në Universitetin e Graz-it -
Përditësimi i fundit: Kjo është gjendja në pikat kufitare të Kosovës
Jeta në Zvicër
-
AI po ndryshon tregun e punës në Zvicër, përvoja me inteligjencën artificiale po bëhet kusht për punësim Inteligjenca artificiale (AI) po ndryshon me ritme të shpejta tregun e punës në Zvicër, ndërsa njohuritë... -
Zvicër: Rikthehet debati për nënat surrogate -
Marshi për drejtësi dhe mbrëmja për Ukshin Hotin sjellin plagët e Kosovës në Gjenevë -
Graubünden: Arrestohen një shqiptar dhe një zviceran me mbi 1.5 kilogram kokainë dhe heroinë -
Hotelet zvicerane shënojnë rënie të numrit të bujtjeve në qershor












