Lajme

Kosova i bën pritje madhështore Majlindës

Majlinda Kelmendi ka thënë se suksesi i saj nuk është vetëm i saj por i të gjithëve. “Jam shumë e lumtur që kam arritur t’i sjell medaljen e artë Kosovës nga Kampionati Botëror"

Në një manifestim në qendër të Prishtinës, mijëra qytetarë i kanë uruar mirëseardhjen kampiones së botës në xhudo, Majlinda Kelmendit, që është kthyer nga Brazili, ku është mbajtur Kampionati Botëror.

Majlinda ka arritur në Aeroportin “Adem Jashari” rreth orës 18 bashkë me trajnerin, Driton Kuka dhe xhudisten Nora Gjakova.

Xhudistja Kelmendi së bashku me trajnerin Toni Kuka dhe xhudisten tjetër, Nora Gjakova, u pritën solemnisht nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi dhe zyrtarë të tjerë shtetëror në Aeroportin Adem Jashari në Prishtinë.

Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi ka thënë se shuma material me të cilën do të shpërblehen për këtë medalje është 40 mijë euro për Majlindën dhe 20 mijë euro për trajnerin Kuka.

Nga ana tjetër xhudistja tjetër Nora Gjakova ka thënë se është optimiste se edhe ajo do t’ia sjellë një medalje të artë Kosovës. 

“Më vjen mirë që është vlerësuar edhe suksesi im në plasmanin e 8 më të mirave. Kjo ka qenë hera e parë që marr pjesë në një normë shtetërore, që është një tregues që edhe unë mund të marr medalje të artë në të ardhmen sikurse Majlinda”, ka thënë Gjakova.

Duke iu drejtuar qytetarëve të mbledhur, Majlinda ka thënë se suksesi i saj i arritur në Brazil, nuk është vetëm i saj por i të gjithëve. “Jam shumë e lumtur që kam arritur t’i sjell medaljen e artë Kosovës nga Kampionati Botëror. Ky sukses nuk është vetëm i imi por i të gjithëve. Falënderoj të gjithë për përkrahjen që më keni dhënë”, ka shtuar ajo.

Trajneri i Majlinda Kelmendit dhe Nora Gjakovës Driton Kuka ka thënë se Medalja e Artë e fituar në Brazil është e shtetit të Kosovës, transmeton rtklive.com..

“Ju kam thënë se Majlinda është si Messi, dhe është kampione e Botës. Ne kemi punuar shumë për këtë medalje, edhe ia arritëm qëllimit. Mendoj se dështimin në Olimpiadë e kemi përmirësuar me këtë medalje”, ka deklaruar Kuka. Më tutje ai ka thënë: “E falënderoj Ministrin Krasniqi për përkrahjen e dhënë. Kjo medalje nuk është as e imja as e Majlindës, por e shtetit të Kosovës. Kjo medalje ka vlerë më shumë se milionat që i kemi refuzuar”, ka deklaruar Kuka.

Nga ana tjetër Ministri Krasniqi i ka uruar Majlindës dhe Kukës për suksesin e arritur në Brazil. “Do t’i propozoj Presidentes që ta dekorojë Majlindën me medaljen për të arriturat. Besoj që ky propozim do të marr miratimin. Majlinda do të jetë e para që të dekorohet me një çmim të tillë”, ka theksuar Krasniqi