CH-Ballkani

Kosova nxjerr Rezolutë për Luginën e Preshevës

Rezoluta e miratuar në Kuvend parasheh vendosjen e reciprocitetit mes të drejtave që gëzojnë serbët në veri të Kosovës me shqiptarët në Luginë të Preshevës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar të enjten një Rezolutë me të cilën obligojnë autoritetet kosovare që të përkujdesët për mbrojtjen e të drejtave elementare të shqiptarëve në tri komunat e administruara nga Serbia, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Rezoluta është mbështetur nga 74 ligjvënës, ndërsa vetëm 4 kanë qenë kundër. Kjo rezolutë erdhi në rend të ditës pasi javën e kaluar Kuvendi i Kosovës dështoi ta votoj atë, për mungesë kuorumi.  

Iniciuesi i kësaj Rezolute ka qenë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili kërkon shtimin e kujdesit shtetëror të Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Rezoluta e miratuar në Kuvend parasheh edhe vendosjen e reciprocitetit mes të drejtave që gëzojnë serbët në veri të Kosovës me shqiptarët në Luginë.

Sipas rezolutës, Serbia duhet t’i lirojë nga burgu të gjithë të burgosurve politik të Luginës së Preshevës, ndërsa Kosova duhet të kujdeset për të zhvendosurit nga Lugina, si dhe tp organizojë shkollim dhe mirëqenia për shqiptarët atje.

Po ashtu Qeveria e Kosovës obligohet të hapen dy zyra për shqiptarët e Luginës, një në Prishtinë dhe një në Gjilan. Ndërsa kërkesë e veçantë ka qenë heqja e takës kufitare për qytetarët nga Lugina të cilët duhet të paguajnë nga 20 euro në javë për kalimin e kufirit nga Serbia për në Kosovë.

Ndryshe, një javë më parë kryeministri Hashim Thaçi kërkoi që çështje e Luginës së Preshevës të hyj se çështje kushtetuese, në mënyrë që Kosova të marrë obligim kushtetues për mbrojtje e shqiptarëve të komunave, Preshevë, Bujanoc dhe Medevgjë.