Lajme

Kosovari 29-vjeçar akuzohet për 8 grabitje në banka dhe pika karburanti

Seria e grabitjeve të kosovarit ka filluar më 9 tetor 2015 në Nunningen SO dhe ka përfnduar më 11 tetor 2019

Duke filluar më 30 maj, të hënën që vjen, do të zhvillohet një proces gjyqësor katërditor kundër tre personave në Gjykatën e Qarkut të Laufenburg-ut, Aargau. Ata akuzohen, ndër të tjera, për grabitje të shumëfishtë të kualifikuar.

Banda akuzohet se ka kryer një sërë grabitjesh. I dyshuari kryesor (29 vjeç), me shtetësi kosovare, mësohet se ka qenë i përfshirë në tetë grabitje, të zhvilluara në tre kantone, transmeton albinfo.ch. Zakonisht vepronte i maskuar, i veshur me të zeza, i armatosur dhe ka arritur të arratisej pa u zbuluar në fund.

Seria e grabitjeve të kosovarit mësohet se ka filluar më 9 tetor 2015 në Nunningen SO. Aty ai  thuhet të ketë hyrë në Raiffeisenbank pak para orës 11:00, shkruan blick.ch. Më pas mësohet se ka kërcënuar me armë një punonjës dhe ka vjedhur disa mijëra franga.

Më 25 korrik 2019, ai akuzohet se ka mbërthyer dhe rrëzuar një punonjës të pikës së karburantit Coop në Zwingen BL pak para orës 4:30 të mëngjesit. Atë e ka kërcënuar me armë dhe është larguar sërish me disa mijëra franga me vete.

Mësohet se bashkëpunëtori i kosovarit ka qenë duke pritur në makinë.

Më 16 shtator 2019, ai është përfshirë sërish në një grabitje. Në atë kohë, pak para orës 04:30, një burrë me pistoletë ka kërcënuar një punonjëse në dyqanin Tamoil-Avec në Frick AG. Viktima ka arritur të arratiset. Pas kësaj, autori është larguar me një veturë ngjyrë argjendi të cilën e drejtonte një bashkëpunëtor.

I akuzuari kryesor dhe një nga bashkëpunëtorët mësohet se kanë sulmuar pikën e karburantit Coop në Wettingen AG pak pas orës 4:30 të mëngjesit të datës 20 shtator 2019, transmeton albinfo.ch. Ata mësohet se kanë kërcënuar me armë punonjësen. Kur ajo hapi kasafortën dhe në të nuk kishte para, ata ishin larguar.

Më 11 tetor 2019, kosovari 29 vjeçar sërish ka goditur. Kësaj radhe, me dy bashkëpunëtorë. Kjo ka ndodhur pak para orës 07:15. Dy punonjës të postës në Zwingen BL janë kërcënuar me armë nga tre persona. Më pas të dy viktimat janë lidhur. Së fundi autorët janë larguar pa plaçkë – për arsye të paqarta.

Përsëri i vetëm, i akuzuari kryesor thuhet se ka hyrë në degën e bankës Basellandschaftliche Kantonalbank në Breitenbach SO më 17 tetor 2019 pak para orës 11:30. Pasi një punonjës i ka dorëzuar disa mijëra franga, personi i lartpërmendur, i armatosur mësohet se ka ikur.

Stacioni i karburantit në Frick sulmohet për herë të dytë

Më 4 nëntor 2019, T. mësohet se ka vepruar sërish me një bashkëpunëtor, transmeton albinfo.ch. Sërish është dyqani Tamoil Avec në Frick, ku kanë hyrë dy persona rreth orës 20:40 ku marrin disa mijëra franga.

Ai dhe një bashkëpunëtor mësohet se kanë kryer grabitjen e fundit më 11 nëntor 2019, kur, pak para orës 04:00: Në pikën e karburantit Coop në Gibenstorf AG, kërcënohet një punonjës, autorët ikin me paratë e vjedhura.

Kosovari mund të dënohet me 8 vjet e gjysmë burgim

“Sigurisht, ne nuk mund të zbulojmë se si i gjurmuam autorët e dyshuar” thotë një zëdhënës i zyrës së prokurorisë publike të Aargaut. Vetëm kaq: “Kishte hetime intensive nga prokuroria publike dhe policia kriminale, në të cilat punuan hetues nga tre kantone dhe që përfundimisht çuan në sukses”.

Për arsye hapësire dhe sigurie, gjykimi do të zhvillohet në godinën e forcës lëvizëse të policisë në Schafisheim AG, përcjell albinfo.ch. Sipas informacioneve të gazetës, prokurori publik kërkon dënim me burg prej 8 vjet e gjysmë për të akuzuarin kryesor.

Vendimet do të shpallen në ditën e fundit të gjykimit. Vazhdon të vlejë prezumimi i pafajësisë.

(Foto: KAPO SO)