Kosova

Kosovë: 28 për qind më pak nxënës në shkolla se para 12 vjetësh

Është duke vazhduar largimi i qytetarëve nga Kosova, e kjo më së miri dëshmohet më rënien e numrit të nxënësve nëpër shkolla.

Sipas Agjencisë së Statistikave, në shkollimin fillorë të mesëm të ulët në Kosovë në vitin shkollor 2008-2009 ishin 319.154 nxënës, kurse në vitin shkollor 2020-2021, numri i nxënësve është 229.664, ( 28% më pak nxënës së para 12 vjetëve).

Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës, përmes një reagimi publik thotë së këto statistika janë alarmante, transmeton Telegrafi.

“Sipas Agjencisë së Statistikave në shkollimin fillor dhe mesëm të ulët në Kosovë në vitin shkollor 2008-2009 ishin 319,154 nxënës.Ndërsa 12 vjet më vonë, në vitin shkollor 2020-2021, ky numër ka rënë në 229,664 nxënës. Kështu del se sivjet i kishim 89,490 nxënës (ose 28%) më pak se 12 vjet më parë. Gjithsej 80 shkolla të këtij niveli janë mbyllur për të njëjtën periudhë (2008-2009: 972 shkolla kundrejt 2020-2021: 892 shkolla), thuhet në reagim.

Tutje, në reagim thuhet së vetëm në vitin e fundit ishin mbi 8 mijë nxënës më pak në shkolla.

“Këto statistika do të duhej të ishin alarmante për çdo vend e qeverisje. Ikja nga Kosova vazhdon me ritëm të frikshëm edhe pa liberalizimin e vizave. Vetëm vitin e fundit ishin 8,295 më pak nxënës në bankat shkollore të këtij niveli”, thuhet në reagim.

Ndryshe, ikja e qytetarëve nga Kosova po ndodh kryesisht për shkak të gjendjes ekonomike. E vendi ku shumica e kosovarëve kanë gjetur vetën është shteti i Gjermanisë, kjo për shkak të kushteve që ofron ky shtet, ku qytetarët pajisen me viza të punës dhe më pas atyre pas një kohë iu lejohet të marrin edhe familjet e tyre./Telegrafi