Lajme
Kosovës, kritere shtesë për liberalizimin e vizave
Problemi që po kërcënon seriozisht liberalizimin e vizave, është fluksi i madh i të papunëve, që mësyjnë ilegalisht rrugën për në vendet e BE-së
Të enjten pritet që Kuvendi i Kosovës pritet me procedura të shpejtuara të miratojë pakon prej tetë ligjeve që kërkohen për përmbushjen e kritereve teknike nga procesi i liberalizimit të vizave. Me këto ligje, Kuvendi pritet të përmbyllë pjesën e vet të punës nga aspekti legjislativ për këtë sezon, kurse një angazhim shtesë pritet të ndodhë gjatë vjeshtës.
Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, deputeti Lutfi Haziri ka thënë se këto ligje rregullojnë fusha nga aspekti i rendit dhe ligjit të kërkuara nga Komisioni Evropian në kuadër të dialogut që Prishtina zhvillon me Brukselin për procesin e liberalizimit të vizave, bën të ditur Radio Evropa e Lirë.
“Janë ligje që rregullojnë çështjen e azilit, azil-kërkimit, menaxhimit të kufirit dhe çështjeve tjera që kryesisht kanë të bëjnë me një siguri dhe kontroll më të madh të lëvizjes së njerëzve brenda shteteve të Shengenit”, ka thënë Haziri. Me këtë pako ligjore, Kosova nuk pritet të rrumbullakojë legjislacionin e nevojshëm që Komisioni Evropian u kërkon vendeve që mëtojnë të futen në liberalizim. Një pako e re ligjore mund të inicohet pas raportit të vjeshtës së Komisionit Evropian, ku nëse jo ligje të reja, mund të kërkohet harmonizimi edhe i legjislacionit aktual me atë të BE-së.
Deputeti Haziri ka thënë, po ashtu, se në këtë fazë, Brukseli po kërkon më shumë aspekte teknike të miratimit të ligjeve, kurse një problem edhe më të madh në këtë drejtim ai e sheh fazën e zbatimit të tyre për çka Kosova shpesh nuk ka dhënë shembuj të mirë të implementimit.
“Problemi më i madh në Kosovë në këtë fushë, përveç legjislacionit të miratuar, është i legjislacionit sekondar dhe zbatimi i ligjit. Por, tash nuk po flitet për zbatim të ligjit, kryesisht po flitet për miratim të ligjeve që parasheh një numër të madh të ligjeve që do të ndryshohen dhe adoptohen, ndërkaq një pjesë e tyre janë ligje që do të miratohen për herë të parë në Kuvend”, ka shpjeguar Haziri.
Përderisa ana legjislative konsiderohet si një aspekt teknik, të cilin Kosova mund ta plotësojë, një nga problemet më të mëdha që po kërcënon seriozisht liberalizimin e vizave, është fluksi i madh i të papunëve, që përmes migrimeve ilegale mësyjnë rrugën për në vendet e Bashkimit Evropian. Largimi i njerëzve nga Kosova kryesisht ndërlidhet me azil-kërkimin dhe punësimin e jashtëligjshëm nëpër vendet e BE-së, çka nga Brukseli është cilësuar si veprim i papranueshëm.
Deputeti Lutfi Haziri është shprehur se duke i pasur parasysh të gjitha problemet aktuale, mund të pritet që në vjeshtën e këtij viti, Brukseli t’i caktojë një kalendar të saktë Kosovës, të cilin shteti më i ri evropian duhet ta respektojë ose do të humbë tutje hapin në këtë proces. “Kosova do ta marrë një kalendar të saktë brenda të cilit duhet t’i realizojë edhe detyrat teknike, por duhet të mbajë edhe fjalën sa i përket ndaljes me çdo kusht të azilkërkuesve dhe vendosjes së sundimit të ligjit brenda Kosovës. Njëri nga parametrat matës në liberalizimin e vizave është sundimi i ligjit, lufta kundër krimit, korrupsionit dhe dukurive të ngjashme”, ka thënë deputeti Haziri.
Ndërsa Kosova po ballafaqohet me probleme serioze qoftë teknike apo praktike në kuadër të zbatimit të kritereve për liberalizimin e vizave, të enjten pritet që në Prishtinë të qëndrojë Komisionari për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule. Ai pritet të mbajë një fjalim edhe para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
E-Diaspora
-
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani Nga 22 maji kanë hyrë në fuqi rregulla të reja për regjistrimin, ri-fitimin dhe natyralizimin e... -
Albin Kurti nesër në Zvicër, takim me mërgatën shqiptare në Cyrih -
LDK mban takim me bashkatdhetarë në Vjenë -
Koncerti Zvicerano-Kosovar bashkon diplomacinë, kulturën dhe miqësinë në SHBA -
Zvicër
Policia zvicerane arreston 67-vjeçarin nga Kosova si të dyshuar për tentim mashtrimi me telefon
Jeta në Zvicër
-
Mijëra zviceranë demonstrojnë kundër iniciativës “10 milionë” Në pankarta shkruante veç tjerash, se do të ishte më mirë të kufizoheshin emetimet e CO2... -
Jans nxit reagime me krahasimin e nismës “10 milionëshe” me Brexit-in -
Zvicra zgjeron sanksionet ndaj Rusisë -
Dy gjyqtarët në lidhje dashurie mbeten në detyrë -
Spitali Universitar i Cyrihut raporton në prokurori 10 vdekje të dyshimta













