Bota

Mundësitë e një krize të ardhshme ekonomike globale

Zgjerimi aktual ekonomik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shënuar një moment shumë të rëndësishëm në historinë e tij, njëkohësisht edhe më i gjati i shënuar ndonjëherë

Përballë një situate të tillë lind natyrshëm pyetja: “Nga do të vijë kriza e ardhshme ekonomike globale?”

Me bankat qendrore në shumë tregje të zhvilluara, të tilla si SHBA-ja, Japonia dhe Eurozona, në dukje të paafta për të gjeneruar inflacion dhe duke përdorur një politikë monetare jokonvencionale, ndoshta kriza tjetër do të jetë diçka që nuk e kemi përjetuar kurrë më parë, dhe ndoshta do të jetë e shoqëruar edhe me këtë epokë të re të politikës monetare.

Por edhe risqet tradicionale duhet të analizohen. Një prej tyre, një prej më të rëndësishmëve është ai i një krize të gjerë të tregjeve në zhvillim, në të cilën një numër i konsiderueshëm tregjesh përballen me vështirësi të tilla, si gjetja e financimeve të nevojshme dhe përballja me pasojat e një krize bankare ose të një krize të borxhit sovran. Dhe pikërisht ky është edhe risku i dytë më i madh me të cilin po përballet aktualisht ekonomia globale.

Por, cilat janë ato shtete që janë më të rrezikuara? Për t’i dhënë përgjigje një pyetje të tillë ne mund të bazohemi në një metrikë klasike, dhe të shikojmë ato tregje ku defiçiti i llogarisë korrente, shuma e parave që i duhen nga pjesa tjetër e botës për të financuar investimet dhe konsumin mbi tepricën e kursimeve të brendshme , është shumë më e madhe se flukset e investimeve të huaja direkte (FDI) .

Në këto raste, ky hendek duhet të plotësohet nga flukset financiare afatshkurtra, të tilla si investimet në tregjet e aksioneve ose të bonove.

Bazuar në këtë metrikë, Ukraina, Afrika e Jugut, Pakistani dhe Indonezia janë ndër ato shtete të cilat duken si më të rrezikuarat. (Venezuela është përjashtuar, duke qënë se ajo është aktualisht duke përjetuar një krizë të tillë).

Të shumtë mund të jenë ata që mund të pyesin se përse Turqia nuk është pjesë e kësaj liste. Arsyeja kryesore është se ajo është përballur tashmë me një krizë të ngjashme dhe ka marrë masat për të përmirësuar disa prej faktorëve që e shkaktuan atë. Kështu për shmebull kur lira turke ra, qeveria turke bëri që inflacioni të rritej dhe të ardhurat reale të binin.

Teksa njerëzit shpenzojnë më pak për gjithçka, vendi importon më pak, duke bërë që defiçiti i llogarisë korrentë të bjerë në një nivel të tillë që mund të mbulohet lehtësisht nga Investimet e Huaja Direkte. Megjithatë kjo nuk është mënyra më e mirë e mundshme për të vepruar, e cila thekson edhe njëherë reformat e vështira me të cilat duhet të përballen këto vende për të tërhequr sa më shumë investime të huaja direkte apo për të rritur kursimet e brendshme./monitor