E-Diaspora

Kthimi në vendin e kujtesës

Në literaturën e specializuar, të braktisësh vendlindjen konsiderohet si një çrrënjosje dhe të zgjedhësh të jetosh gjetiu si një lëshim i rrënjëve në një tokë tjetër. Në fakt, largimi nga vendlindja është një dhimbje që është e ngulitur thellë në nënndërgjegje dhe të përcjell deri në fund. Largimi në fakt nënkupton të shkëputesh nga gjithçka që je, duke filluar nga familja, shokët, të afërmit, oxhaku i shtëpisë, zërat e familjarizuar, vendet e preferuara, gatesat e nënës apo gjyshes, dasmat apo rastet që ke përjetuar në familje. Përzierja e tyre në kujtesë bën që edhe pas shumë dekadave, të ndihesh ende shumë i afërt me atë vend dhe njerëzit e atij vendi. Vetë fakti i pushimeve në vendlindje, shkëmbimet e vazhdueshme me farefisin atje, ndjekja e vazhdueshme e aktualitetit politik atje, e dëshmon këtë lidhje.

Vendi ku i ke bërë hapat e fëmijërisë nuk shlyhet nga mendja. Nostalgjia e vendit që ke lënë, të përcjell kudo. Por me vite, atdheu ku ke lindur dhe jetuar bëhet dalëngadalë, vendi i kujtesës, ngase karshi nostalgjisë së të kaluarës, është vendi i realitetit, ai ku njeriu kalon pjesën më aktive të jetës, respektivisht shteti dhe qyteti ku ke emigruar, dhe ku fëmijët, apo mbesat e nipërit kanë lindur.

Shumica nga bashkëkombësit tanë mbajnë dritën e fenerit të tyre të ndezur, atë të kthimit, pas fazës jetësore aktive, në kulturën e origjinës. Ky realitet e prek secilin shqiptar në Zvicër apo gjetiu, dhe veçanërisht ai i dilemës të zgjedhjes mes vendit të prejardhjes, dhe vendit ku i kanë lëshuar rrënjët. Siç dëshmon realiteti, shumica dërmuese e pensionistëve shqiptarë, bëjnë një zgjidhje të mesme, për arsye të familjes së afërt në Zvicër apo gjetiu, por edhe për shkak të kushteve jetësore, sidomos ato të shëndetit, në një moshë ku trupi fillon të amortizohet. Natyrisht, këtij kompromisi edhe atje edhe këtu i ndihmon sidomos mundësia shumë e lehtësuar e udhëtimit përmes rrugës ajrore.

Përpos dilemave se ku të vazhdohet pas pensionimit, do të shtrohen edhe dilema për familjarët e migrantëve të shtyrë në moshë, që kanë të bëjnë me përkujdesjen e tyre. Në njërën anë është tradita shembullore e përkujdesjes ndaj prindërve të moshuar, por ajo bie ndesh me procesin e individualizmit që po ndodh, dhe mundësitë e kufizuara që lidhen me jetën në një dinamikë perëndimore të familjeve në fjalë. Edhe pse pra vendosja e prindërve apo gjyshërve të moshuar-a në shtëpi të pleqve nuk është tani për tani temë aktuale në familjet shqiptare, kjo çështje do të shtrohet, herët a vonë.

Këtu pastaj do të shtrohet pyetja se sa shtëpitë e pleqve dhe spitexet në fjalë janë të adaptuara ndaj migrantëve shqiptarë. Në realitet, me shtyrjen në moshë, respektivisht në pleqëri, personat e moshuar migrantë kërkojnë të konsumojnë gjellërat e vendit të kujtesës, ato të cilat ua gatuante nëna. Jo vetëm kjo, por edhe gjuha e nënës mbetet, kurse ato gjuhë që kanë mësuar si emigrantë, fshihen. Kjo sfidon po ashtu në të ardhmen shtëpitë e pleqve dhe spitexet e Zvicrës, të rreshtohen me nevojat dhe kërkesat e personave të moshuar me të kaluar migrante.

Ky numër i revistës Albinfo, është fokusuar mbi këtë çështje, duke shkëmbyer me specialistë të përkujdesjes së të moshuarve the mërgimtarë pensionistë, mbi dilemat që shtrohen mes vendit ku jetojnë dhe atij të kujtesës!

Dr. Bashkim Iseni, themelues i platformës Albinfo.ch