Kosova

Kujtohet masakra e Dubravës, Kurti e quan “kamp me qëllim eliminimi”

Kryeministri Kurti, lidhur me masakrën e Dubravës tha se ky ishte një plan i bërë nga shteti për të bërë një vend si kamp me qëllim eliminimi.

Ai, mes tjerash, vlerësoi se shqiptarët në ish-Jugosllavi ishin populli me i shtypur, ku si dëshmi ai përmendi emrat emblematikë, simbol të rezistencës shqiptare Adem Demaçi dhe Ukshin Hoti, raporton rtk, përcjell Albinfo.ch.

“Në luftën e fundit shteti serb i grumbulloi shumë të burgosur për t’i sjellë këtu në burgun e Dubravës për t’i ekzekutuar. Ky plan e bëri këtë vend si një kamp me qëllim eliminimi. Çfarë ndodhi më së miri e tregojnë dëshmitarët e asaj kohe se si u organizuan masakra nga policia e Serbisë”, tha ndër të tjera, kryeministri Kurti.

Për masakrën në burgun e Dubravës kanë reaguar edhe krerët e institucioneve shtetërore, por dhe të mbijetuarit e kësaj ngjarjeje.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, tha se për këtë ngjarje, dhe pse kane kaluar mbi 24 vjet, shumë pak u bë për drejtësi dhe ende, fatkeqësisht, nuk ka.

“Jemi mbledhur këtu ne burgun e Dubravës për ta kujtuar njërin ndër aktet të gjenocidit të Serbisë. 116 të burgosur u vranë nga forcat serbet. Burgu është si institucion që kontrollohet dhe organizohet nga shteti dhe këtu mbi 1000 të burgosurit ishin në dorën e shtetit serb. Këtu, ata u grumbulluan dhe masakra filloi. Edhe pse kane kaluar mbi 24 vjet, shumë pak u bë për drejtësi dhe ende, fatkeqësisht, nuk ka. Kur është puna për UÇK-në po ka drejtësi ndërkombëtare e për shtetin serb, për ata s’po ka drejtësi ndërkombëtare. Ne jemi duke e përjetuar këtë si padrejtësi të madhe që duhet të marrë fund. E jona është që të bëjmë çdo gjë që na takon, aq sa kemi ne duar”, tha ai.

Për këtë ngjarje të rëndë foli Nait Hasani, i mbijetuar i masakrës,i cili tha se kjo masakër ishte planifikuar me përpikëri nga shteti serb.

“Nga prilli këtu i grumbulluan të gjithë. Ideja ishte të na grumbullonin sa më shumë e ta kamuflonin që kjo vrasje t’i vihet NATO-s. Me gardianët e burgut dhe serbët, që ishin të burgosur këtu, filloi të bëhet ajo që s’e bëri NATO. Edhe në këtë ditë i dëgjoj ato zhurma të asaj ngjarjeje. Kjo vrasje shtetërore, ku na vranë dhe askush nuk e dinin sa ka zgjat pushkatimi dhe kjo është për mua një ngjarje e tmerrshme. Është ngjarje më kriminale që mban vulën e historisë së shtetit serb. Ishte hakmarrje ndaj popullit shqiptar dhe ndaj NATO-s dhe ndërkombëtarëve”, tha, ndër të tjera, Nait Hasani, i mbijetuari i masakrës.

Ai, me këtë rast apeloi tek institucionet vendore që kjo ngjarje të trajtohet edhe në bisedimet me Serbinë, teksa përmendi figurën  e Ukshin Hotit, i cili ishte marrë nga ky vend, kritikoi edhe ndërkombëtarët, të cilët, sipas tij, për këtë ngjarje kanë heshtur të gjithë.

“Kërkojmë edhe një herë nga ju kryeministër dhe Ministria e Drejtësisë të ngrihet aktakuzë për kriminelët serbë. Kërkojmë drejtësi dhe gjykim të kriminelëve serbë. Sot në Hagë gjykohet lufta dhe liria jonë. Detyrë e jona është, që si shtet ta mbrojmë atë”, tha Nait Hasani, i mbijetuari i masakrës në Dubravë.

Lidhur me këtë ngjarje foli edhe Enver Dugolli, ish i burgosur, si dhe i mbijetuari i masakrës në Dubravë, i cili, po ashtu, shprehu kritika për mosveprimin e drejtësisë ndërkombëtare për këtë ngjarje.

“Tani po bëhen 24 vjet që çdo herë japim dëshmi dhe të dhëna për të vërtetën që ishte bërë këtu, por deri më tani drejtësia nuk po vepron. Nuk kemi asnjë të dënuar në këtë masakër”, deklaroi Dugolli, ndërsa bëri të ditur nismën e tij, kërkesën ndaj Gjykatës Speciale për këtë ngjarje, duke angazhuar edhe juristë me qëllim që Dhomat e Specializuara kanë juridiksionin që ta trajtojnë këtë masakër, duke bërë të ditur numrin e të vrarëve dhe të plagosurve, si dhe të zhdukurve./Albinfo.ch