Lajme

Kundërshtohet vendimi i Qeverisë për pagesën e polisës kufitare për diasporën

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka marrë vendim që ta mbulojë pagesën e polisës kufitare për mërgatën.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në arsyetimin e këtij vendimi tha se nga 1 korriku Qeveria do ta marrë përsipër që të mbulohet ky shpenzim.

“Ky vendim na hap rrugën që së bashku me BQK dhe BSK të marrim përsipër që Qeveria ta mbulojë këtë pagesë. Mbulimi do të fillojë nga 1 korrik. Është një mbulim i përkohshëm. Kosova duhet të gjejë një zgjedhje që të anëtarësohet në Kartonin e Gjelbër”, ishte shprehur Murati.

Pas këtij vendimi, kanë reaguar disa organizata të shoqërisë civile.

Sipas tyre, ky vendim ka tendencë për keqpërdorim të parasë publike përmes financimit nga buxheti i Kosovës.

I kujtojmë Qeverisë që ky vendim është tendencë e qartë për keqpërdorim të parasë publike përmes financimit nga buxheti i Republikës, buxhet i cili në asnjë rrethanë nuk i dedikohet subvencionimit të shërbimeve të shtrenjta të sigurimit të autopërgjegjësisë që rezulton nga veprimi privat i ngasësve të tyre. Për më tepër, buxheti është rrjedhojë e një kontributi të një shumice të varfër të qytetarëve, e i cili reflekton detyrimin për shpenzimin maksimalisht racional dhe vetëm për objektiva që janë të domosdoshme e që kanë për qëllim një ineteres publik të Republikës”, thuhet në reagimi.

Ata thonë se ky mbulim i pagesës është plotësisht i pajustifikueshëm.

“Ne vlerësojmë që ky shpenzim në këtë formë është plotësisht i pajustifikueshëm, e promovon një model të pabarazisë sociale, ku shteti ndërhyn për të subvencionuar pronarin e automjetit që në parim është një individ me status relativisht solid pasuror dhe mundëson një sjellje të qeverisë që përmes klientelizimit të të subvencionuarit t’i përfitojë atij mbështetjen politike”, vijon reagimi i organizatave.

“Vendimi si i tillë promovon një model jo të mirë të politikëbërjes, pasi që hap horizonte për vendime të ngjashme të kësaj natyre në të ardhmen edhe nga qeveri pasardhëse. Vendime të tilla janë në kundërshtim me modele zhvillimore ekonomike, marrë parasysh që përfitues janë kategori, siç janë personat privatë dhe Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS), e cila ka një histori të gjatë të lidhjeve korruptive me familjarë të ish-pushtetarëve të kaluar. Në vend të kësaj, Qeveria e Kosovës nëpërmjet Byrosë Kosovare të Sigurimit duhet të bëjë përpjekje konkrete që ta fusë Kosovën në Kartonin e Gjelbër, e jo të ndërmarrë veprime që shkaktojnë shpenzime luksi në kurriz të qytetarëve të varfër të Republikës sonë. Prandaj, ne e shohim këtë vendim të Qeverisë si të pamatur dhe palogjikshëm në kontekstin social e politik në të cilin gjendemi. Pavarësisht fuqisë së madhe politike që i lejon për të marrë vendime të tilla, Qeveria duhet të tregohet e matur dhe serioze, duke i shmangur vendimet populliste dhe të ngutshme që e fusin shtetin e Kosovës në obligime që në këtë periudhë nuk do të duhej të ishin parësore, duke e marrë parasysh mirëqenien e ulët ekonomike në vend”, përfundon reagimi, shkruajnë mediat kosovare.

Lista e organizatave që kundërshtojnë vendimin:
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)
Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet (ÇOHU)
Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
Lëvizja FOL
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
Rron Gjinovci


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI