Sport

Kuqezinjtë mbesin në Ligën C

Pas shumë lajmeve negative, Shqipëria ka marrë një lajm të mirë në futboll. Kuqezinjtë nuk do të bien në Ligën D në Ligën e Kombeve, sepse janë qipriotët ata që renditen si vendi i tretë më i dobët i Divizionit C.

Në Nikosia, Qipro u mposht me rezultatin 0:2 nga Norvegjia në ndeshjen e fundit të fazës në grupe, të cilën e mbylli në kuotën e pesë pikëve, por vetëm një prej tyre kishte vlerë në renditjen e vendeve të treta (nuk llogariten pikët e marra me Slloveninë e vendit të fundit), përcjell albinfo.ch.

Kështu me vetëm një pikë, në renditjen e vendeve të treta të katër grupeve, Qipro do të bëhet skuadra e katërt që do të bjerë në Divizionin D të Ligës së Kombeve, pas Lituanisë, Sllovenisë dhe Estonisë.

Nga ana tjetër, kuqezinjtë do të garojnë sërish në Divizionin C, edhe Ligën e ardhshme, por me paraqitjen e dobët në këtë edicion, kanë zbritur në vazon e 4-t në shortin për Euro 2020, që do të hidhet në muajin dhjetor.