Kosova
Kurti mirëpret heqjen e masave të BE-së dhe akuzon opozitën për koston politike dhe financiare
Kryeministri në detyrë tha se stabiliteti në veriun e Kosovës është rezultat i sundimit të ligjit nga institucionet shtetërore, ndërsa opozitën e fajësoi për bllokimin e marrëveshjeve që, sipas tij, i kanë kushtuar Kosovës miliona euro, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka mirëpritur të premten vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Masat ishin vendosur nga Bashkimi Evropian në vitin 2023, pas tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Gjatë një mbledhjeje të Qeverisë, Kurti deklaroi se institucionet e Kosovës “nuk ishin shkaktare të përshkallëzimit të situatës” në veri, duke theksuar se ulja e tensioneve dhe funksionimi normal i institucioneve atje janë rezultat i veprimeve të shtetit.
Sipas tij, masat ndëshkuese, të cilat pritet të hiqen plotësisht në fund të janarit dhe t’i mundësojnë Kosovës përfitimin e miliona eurove ndihmë financiare, u shoqëruan me dy sulme serioze. Ai përmendi sulmin e shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit dhe atë të nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit, duke përsëritur se për të dy rastet ekzistojnë prova për përfshirjen e shtetit të Serbisë.
“Në retrospektivë, çdo kompromis ndaj sundimit të ligjit do të ishte fatal për Kosovën. Situata e qetë, lëvizja e lirë dhe funksionimi i institucioneve të shtetit në veriun e Kosovës janë pikërisht sepse ka triumfuar sundimi i ligjit dhe rendi publik”, tha Kurti. Ai shtoi se, pavarësisht masave ndëshkuese, Qeveria nuk ka qenë “asnjëherë e hidhëruar” me Bashkimin Evropian dhe ka mbetur e përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe përmbushjes së kritereve për anëtarësim.
Duke folur për pasojat financiare të masave, Kurti kritikoi partitë që në mandatin e kaluar ishin në opozitë, për faktin se nuk votuan në nëntor Planin e Rritjes dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore, para shpërndarjes së Kuvendit. “Republika e Kosovës, masat më të mëdha financiare, nuk i ka vuajtur nga Bashkimi Evropian, por nga opozita parlamentare”, deklaroi ai.
Partitë opozitare kishin refuzuar të merrnin pjesë në seancën e thirrur nga partia e Kurtit, duke argumentuar se Qeveria në detyrë po i përdorte këto çështje si “instrument të lojërave të saj politike”. Mungesa e konsensusit për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve të shkurtit çoi në shpalljen e zgjedhjeve të reja, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.
Përveç masave ndëshkuese të BE-së, Qeveria e udhëhequr nga Kurti është përballur edhe me kritika nga Shtetet e Bashkuara për shkak të disa vendimeve në veriun e vendit, përfshirë mbylljen e institucioneve serbe dhe ndërmarrjeve publike që funksiononin në sistemin serb, si dhe ndalimin e përdorimit të dinarit serb për kryerjen e pagesave.
Serbia ka financuar struktura paralele në veri dhe ka mbështetur serbët atje përmes pensioneve dhe shtesave të tjera në dinarë. Institucionet e Kosovës i kanë konsideruar këto veprime si pjesë të shtrirjes së sovranitetit shtetëror në këtë pjesë të vendit, ndërsa SHBA-ja dhe BE-ja i kanë cilësuar disa prej tyre si të pakoordinuara.
E-Diaspora
-
Një ditë e bukur plot gëzim dhe kujtime të paharrueshme ...një shëtitje me karakter shkollor të nxënësve të disa shkollave shqipe dëshmoi edhe njëherë se organizimet... -
Ilirët sjellin shpirtin shqiptar në Festën e Ngjyrave në Aigle -
Dy motrat shqiptare që humbën jetën në aksident ishin nga Zvicra – flet babai i tyre -
Kthehet nga Gjermania, mërgimtari përballet me vjedhje në shtëpinë e tij -
Manifestim kulturor shqiptar në Bavari, nderohet figura e komandantit Bekim Berisha – “Abeja”
Jeta në Zvicër
-
Rekord i ri i nxehtësisë në Gjenevë Një temperaturë prej 36 gradë Celsius u regjistrua në Gjenevë-Cointrin duke shënuar 23 qershorin më të... -
Zyrtarja e migracionit lirohet nga akuza: “Shkeljet nuk ishin të natyrës penale” -
Firma Kantonale e IT-së shpërblen me 14.000 franga mbajtjen e punonjësve -
Zvicër: Integrimi i inteligjencës artificiale në biznese po rezulton më i ndërlikuar sesa pritej -
Ku qiramarrësit kursejnë pjesën më të madhe të pagave të tyre











