Kosova

Kurti, Osmani, Haradinaj e Abdixhiku publikojnë pasurinë

Publikohen deklarimet e pasurisë nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka publikuar deklarimet vjetore të pasurisë së disa prej figurave kryesore politike në vend, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, ish-presidenten Vjosa Osmani, kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj dhe kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku.

Në deklarimin e kryeministrit Albin Kurti, vërehen ndryshime në kursime dhe shpenzime krahasuar me vitin e kaluar. Sipas të dhënave të APK-së, Kurti ka deklaruar vetëm 16 euro e 41 centë para të gatshme në emrin e tij. Ndërkohë, në emër të bashkëshortes janë raportuar 19 mijë e 500 euro, të cilat sipas deklarimit burojnë nga paga dhe trashëgimia familjare. Po ashtu, janë deklaruar edhe 2 mijë euro kursime të vajzës dhe 50 euro të tjera nga familjarët.

Krahasuar me vitin e kaluar, kur Kurti kishte deklaruar rreth 1,800 euro kursime, këtë vit evidentohet një rënie e tyre. Ndryshim është shënuar edhe te shpenzimet për banim, pasi qiraja mujore është rritur në 350 euro, nga 250 euro sa ishte më parë.

Sa i përket pasurive të paluajtshme, nuk ka ndryshime, ndërsa është deklaruar një banesë në emër të bashkëshortes me vlerë 530 mijë euro. Në pjesën e detyrimeve figuron një kredi në emër të bashkëshortes me vlerë të mbetur prej 160 mijë euro. Ndërkohë, të hyrat vjetore të Kurtit nga paga si kryeministër janë deklaruar 21 mijë e 315 euro, ndërsa bashkëshortja ka deklaruar të ardhura vjetore prej 51 mijë eurosh.

Ndërkaq, ish-presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar në APK mëditje në vlerë 10 mijë e 305 euro, të realizuara nga udhëtimet zyrtare jashtë vendit, përveç pagës në vlerë 33 mijë e 248 euro që e merrte si presidente.

Osmani ka deklaruar se nuk ka ndryshime të mëdha te pasuritë e paluajtshme. Në pronësi të saj figuron një arë me vlerë 35 mijë euro, si dhe një shtëpi në pronësi të përbashkët me vlerë 208 mijë euro. Ndërkohë, disa prona të tjera janë deklaruar në emër të bashkëshortit, përfshirë një banesë me vlerë 60 mijë euro, dy shtëpi në Australi me vlerë 510 mijë euro dhe 170 mijë euro, si dhe një garazh kolektiv me vlerë 5 mijë euro.

Si para të gatshme, Osmani ka deklaruar 3 mijë e 115 euro, ndërsa bashkëshorti rreth 750 euro. Si detyrime financiare, janë renditur 9 mijë euro për këste të papaguara për punë shtesë në shtëpi, si dhe 20 mijë e 500 euro huamarrje për pagesën e banimit në Melbourne. Për të hyrat e bashkëshortit janë deklaruar 11 mijë e 350 euro nga paga dhe 11 mijë dollarë nga qiraja në Australi.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar pasuri milionëshe në formularin e tij pranë APK-së. Në deklarimin e familjes Haradinaj figurojnë tri shtëpi, tri banesa, një vilë, toka dhe truall, me vlerë totale që kap rreth dy milionë euro.

Sa i përket kursimeve, Haradinaj ka deklaruar në bankë 23,625.58 euro të ardhura nga paga dhe qiratë, ndërsa bashkëshortja e tij Anita Haradinaj ka deklaruar 8,311.33 euro, po ashtu nga qiratë.

Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar dy prona të reja krahasuar me vitin e kaluar. Bëhet fjalë për dy banesa në pronësi të bashkëshortes, njëra me vlerë 120 mijë euro dhe tjetra 100 mijë euro, të cilat janë të trashëguara nga prindërit.

Në deklarim përfshihen edhe pasuri të tjera të paluajtshme, si një shtëpi në pronësi të përbashkët me vlerë 200 mijë euro, një banesë e përbashkët e blerë me kredi bankare me vlerë 265 mijë euro, si dhe një shtëpi e trashëguar prej 200 metrash katrorë me vlerë 150 mijë euro.

Abdixhiku ka deklaruar edhe një veturë Mercedes-Benz të vitit 2019, me vlerë 25 mijë euro, në emër të bashkëshortes. Po ashtu, bashkëshortja e tij zotëron 25% të aksioneve në kompaninë “AMPERA GROUP”, pa një vlerë të specifikuar.

Në aspektin financiar, Abdixhiku ka raportuar 386 euro kursime dhe depozita bankare, ndërsa ka deklaruar edhe 4,915.36 euro të ardhura nga paga. Bashkëshortja e tij ka deklaruar 4,293.40 euro nga paga dhe kursimet.

Sa i përket kredive, ai ka bërë të ditur se ka një kredi për renovimin e shtëpisë me shumë të mbetur prej 32,502 euro, si dhe një kredi tjetër për blerje banese me detyrim të mbetur prej 126,020.40 euro. Në total, të ardhurat vjetore të Abdixhikut arrijnë 16,889 euro nga paga, ndërsa ai ka deklaruar edhe 24 mijë euro të tjera nga një angazhim shtesë.

Kryetari i PDK-së Badri Hamza në deklarimin vjetor të pasurisë ka treguar se i ka dy banesa, një me sipërfaqe 120 metër katror në vlerë 70 mijë euro dhe një më sipërfaqe 98 metër katror në vlerë 46 mijë euro.
Ai ka deklaruar se i ka në pronësi edhe tri garazhe në vlerë 14 mijë e 700 euro së bashku.
Gjithashtu ka deklaruar se ka një hektar tokë në vlerë 50 mijë euro dhe një shtëpi prej 72 metrash katror në vlerë 25 mijë euro. Ndërkohë në emër të bashkëshortes ai ka deklaruar një banesë prej 60 metrash katror në vlerë prej 39 mijë euro.
Para të gatshme ai ka deklaruar se ka mbi 10 e 700 euro në një llogari dhe 1408 euro në një llogari tjetër.
Ai ka deklaruar të ardhura vjetore personale në vlerë prej afër 19 mijë e 700 euro. 

 

Publikimi i këtyre deklarimeve nga APK-ja synon rritjen e transparencës dhe monitorimin e pasurisë së zyrtarëve publikë, në kuadër të mekanizmave të parandalimit të korrupsionit./Albinfo.ch