Lajme

Kush është spiunja ruse, e cila u arrestua në Kosovë?

Ajo punon për media të afërta me Kremlinin

Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë ka raportuar më 7 gusht se media ku punon Aslamova – Komsomolskaya Pravda – ka thënë se ajo është liruar nga autoritetet e Kosovës në mëngjesin e së dielës dhe tani gjendet në Serbi.

Sipas redaktorëve të saj – që është thënë të kenë kontaktuar me Aslamovan – ajo tani është në Rashkë.

Rashka është qytezë në Serbi në afërsi të Jarinjës – pikëkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë.

Aslamova është cituar të ketë thënë se pasi është marrë në pyetje, i është rekomanduar të lëshojë territorin e Kosovës.

Sipas mediumit ku punon ajo, Aslamova ka udhëtuar deri në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë me autobus.

Ajo u ka thënë redaktorëve të saj se edhe zyrtarët kufitarë në Serbi e kanë marrë në pyetje.

Sipas gazetës, Aslamova ka qenë në Serbi dhe Kosovë për të përgatitur “një material special për tensionet e fundit” mes dy vendeve.

Në një postim në rrjetin social Facebook, të datës 5 gusht, ajo shihet në fotografi me peshkopin Stefan të Serbisë.

“Me një bekim të tillë, nuk është e frikshme shkuarja në betejë”, ka thënë ajo në mbishkrimin e fotografisë.

“Raportim nga zonat e luftës”

Daria Aslamova, 52-vjeçare nga Rusia, është korrespondente speciale për të përditshmen ruse, Komsomolskaya Pravda.

Kjo gazetë njihet për qëndrimet e saj pro-Kremlinit.

Aslamova ka punuar edhe në Ukrainë si korrespondente lufte për kanalin që përhap propagandë ruse, Tsargrad.

Ajo është parë si gazetare në shumë zona të luftës, përfshirë Çeçeninë, Abhazinë, Nagorno-Karabakun, Osetinë, Taxhikistanin dhe ish-Jugosllavinë.

Përgjatë karrierës së saj, ajo ka intervistuar ish-presidentin irakian, Sadam Hussein dhe presidentin sirian, Bashar al-Assad.

Ajo është arrestuar disa herë në zonat e luftës dhe e ka të publikuar edhe një libër me titull, “Ditari i një vajze famëkeqe”.