Maqedonia

Kush përfiton nga rritja e ndihmave në Maqedoni

Për këtë pako të ligjeve sociale nga arka e shtetit janë ndarë diçka mbi 32.5 milionë euro. Përndryshe, të dhënat zyrtare thonë se 400,000 qytetarë jetojnë në varfëri

Përfituesit e ndihmës sociale, familjet me fëmijë ku buxheti familjar nuk është më i lartë se një pagë minimale, prindërit që ruajnë fëmijë me pengesa në zhvillim, ndërsa e kanë arritur moshën e pensionit, por nuk e marrin të njëjtën.

Këto janë kategoritë e qytetarëve të cilët do të përfshihen me reformën sociale të cilën i prezantoi ministrja në Maqedoninë Veriore, Mila Carovska.

Përllogaritjet e saj janë se ndihma për qytetarët që jetojnë në rrezik social, do të rritet për 300%, raporton “Alsat”.

Paraqitja fillon të mërkurën ndërsa mjetet e para do të ndahen nga muaji i ardhshëm, përcjell albinfo.ch.

“Vendosim kompensim të vazhdueshëm prej 8000 denarëve (130 euro) për të gjithë prindërit prej moshës 62 apo 64 vjeçe që kanë ruajtur fëmijë. Në mënyrë shtesë, këta prindër që kanë fëmijë me pengesa në zhvillim, ndërsa janë të punësuar, kompensimi për orarin e shkurtuar të punës deri në 50% nga paga mesatare”, deklaroi Mila Carovska, ministre e punës dhe politikës sociale në Maqedoninë Veriore.

Ndërsa, rreth gjashtë mijë persona të moshës mbi 65 vjeç, të cilët kanë jetuar në Maqedoni për të paktën 15 vjet dhe nuk kanë të ardhura, do të marrin pension mujor prej rreth 100 euro. Pas reagimeve publike se qeveria po e heq ndihmën për fëmijën e tretë, Carovska thotë se edhe më tej kjo masë është në fuqi, vetëm se ndihma financiare do të marrin qytetarët e varfër.

“Nëse familja ka të ardhura deri në 12 mijë denarë (195 euro), ata do të mund ta ushtrojnë të drejtën e shtesës për fëmijën e tretë, siç ishte në ligjin e mëparshëm, që në dhjetë vitet e ardhshme të marrin shtesë prej tetë mijë denarë. Përveç kësaj, fëmijët në rrugë tani do të jenë cak i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, sepse çdo fëmijë do të ketë shtesa për vete dhe nuk do të lejohet të qëndrojë në rrugë edhe familja nëse merr të ardhur të garantuar nuk do të lejohet të del në rrugë së bashku me fëmijët e tyre”, pohoi Mila Carovska.

Miratimi i kësaj pakoje ligjesh është vonuar për pesë muaj, pranon Ministrja. Por, pritjet e qeverisë janë se me reformën e re sociale nga varfëria do të dalin rreth 30,000 familje. Për këtë pako të ligjeve sociale nga arka e shtetit janë ndarë diçka mbi 32.5 milionë euro. Përndryshe, të dhënat zyrtare thonë se 400,000 qytetarë jetojnë në varfëri.