Kosova

Kuvendi i Kosovës dështon për të gjashtën herë

Koalicioni PAN pranoi se nuk i ka numrat e nevojshëm, prandaj kërkoi më shumë kohë për konsulta

Kuvendi i Kosovës ka dështuar për të gjashtë herë ta zgjedh kryetarin dhe kryesinë e  re të parlamentit, pasi koalicioni fitues PAN në mbledhjen e sotme konstituive, kërkoi më shumë kohë për t’i bërë votat e mjaftueshme për votimin e organeve të reja.  Koalicioni PAN tha se nuk i ka numrat e nevojshëm, prandaj edhe i duhet më shumë kohë për konsulta.

Megjithatë një debat i ashpër u zhvillua ndërmjet të nominuarit nga Vetëvendosje për kryeministër Albin Kurti dhe ish-kryeparlamentarit dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Debati eskaloi pasi Enver Hoxhaj në emër të PAN-it, tha se ky koalicioni edhe pse e ka të drejtën kushtetuese ta propozoj kryetarin e Kuvendit, këtë nuk e bën sot, sepse nuk i ka votat e mjaftueshme për votim.

Hoxhaj tha se PAN-i i ka 60 deputetë, por jo 61 sa janë të nevojshme për konstituim të Kuvendit. Prandaj Hoxhaj kërkoi kohë shtesë, më pak se dy javë dhe më shumë se 10 ditë kohë.

Kjo situatë e irritoi Albin Kurtin e Vetëvendosjes, i cili akuzoi PAN-in e në veçanti PDK-në si pjesë e koalicionit PAN, se po e mbanë Kosovën të bllokuar për interesa personale e klanore.

“Ne jemi deputetët kemi ngelur pa Kuvend. Po bëhen gati dy muaj e gjysmë që s’kemi Kuvend e lere me Qeveri. Ata thonë se i kanë numrat dhe nuk guxojnë të nxjerrin para votës kandidatin e tyre. Urdhëroni z.Veseli matuni se a i keni votat. Me 11 qershor nuk u matet për kryeministër tani s’po mateni si kandidat për kryetar Kuvendi”, ka thënë Kurti

“Pse s’po matesh ? Dil matu, shiko a i ki 61 deputetë. Gjykata kushtetuese me vendimin  26 gushtit 2014 ua ka dhënë të drejtën, pra dil matu”, i tha në vazhdim Kurti-Veselit.

Kurti po ashtu tha se si deputet do ta votoj një kandidat tjetër të PAN-it për kryetar të Kuvendit, por jo Kadri Veselin.

Ndërsa Kadri Veseli e akuzoi Albin Kurtin se po mban fjalim politik në Kuvend e elektoral në Kuvend. Veseli i tha Albin Kurtit se nëse i ka 61 vota le të bëhet kryeparlamentar dhe kryeministër, por sipas tij Kosova do t’ia shohë sherrin. “Sherrin ka me ta pa Kosova, ke me kthy Serbinë në Kosovë”, i ka thënë Veseli Kurtit duke e akuzuar VV-ne edhe për vdekjen e Astrit Deharit.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti ka thënë se vendi po humbë shumë nga mosmarrëveshjet politike.

“Vendi ka pasoja nga kjo bllokadë. Vendi ka një kryeministër të përgjegjshëm që po kujdeset për vendin derisa të bëhet Qeveria tjetër. Kjo po ndodh për shkak të individëve që nuk po sillen në mënyrë normale. PAN duhet të jap kandidatin e tyre sot”, ka thënë Hoti.

Duke e parë se seanca nuk po prodhon zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, kryesuesi i saj, deputeti Adem Mikullovci e ndërpreu atë, duke thënë se do t’i njoftojë me kohë deputetët për vazhdimin e saj. Por, nga debati i sotme, u pa se në Kosovë po përsëritet i njëjti skenar me zgjedhjet e vitit 2014, kur Kosova mbeti 6 muaj pa institucione.