Bota

Ky shtet evropian ofron këto benefite që mërgimtarët të kthehen në vendlindje

Qëllimi kryesor i skemës Regressar është që njerëzit të rikthehen në atdhe, edhe nëse nuk janë punëtorë të kualifikuar

Portugalia njihet në gjithë botën për vijën e mrekullueshme bregdetare, për plazhet me ujëra të kristalta, për ditët e shumta me diell dhe për kuzhinën e pasur, shkruan Forumi Ekonomik Global.

E, megjithatë, përqindja e qytetarëve të saj që jetojnë jashtë shtetit është një nga më të lartat në botë.

Përballë një popullsie që po plaket dhe mungesës së fuqisë punëtore, qeveria po përpiqet të gjejë metodat e duhura për t’i tunduar ata që të kthehen sërish në atdhe. Skema Regressar (Të rikthehesh) u ofron qytetarëve portugezë, të cilët kanë jetuar larg vendit për të paktën tre vjet, lehtësi për t’u kthyer sërish në vend. Ata që do të pranojnë të kthehen do të kenë lehtësi të shumta, si për shembull, përgjysmimi i taksës së tatimit mbi të ardhurat për një periudhë pesëvjeçare, transmeton Monitor.

Shteti ka mjaftueshëm para për të ndihmuar zhvendosjen e cilitdo që vendos të rikthehet në Portugali dhe të fillojë aty një punë, përcjell albinfo.ch.

Portugalia ofron të drejtën për të jetuar brenda vendit për të gjithë investitorët dhe ata që kanë hapur vende pune. Ajo ofron edhe ulje taksash për të gjithë punëtorët e kualifikuar që vijnë për të punuar nga shtete të huaja. Qëllimi kryesor i skemës Regressar është që njerëzit të rikthehen në atdhe, edhe nëse nuk janë punëtorë të kualifikuar.

Sfida më e madhe

Për shkak të goditjeve të rënda që ky shtet ka marrë në dekadat e kaluara, një numër i madh njerëzish kanë emigruar. Pjesa më e madhe e atyre që emigruan ishin të rinj të arsimuar, akademikë, etj., duke shënuar një ikje prej 50,000 njerëzish në vit gjatë periudhës 2011-2014. Ekonomia nisi ta rimarrë veten, pas një pakete shpëtimi të dhënë nga BE-ja, si dhe nga turizmi dhe industria e teknologjisë në rritje dhe fuqizimi i eksporteve. Por, ndërsa Produkti i Brendshëm Bruto është rikthyer në nivelet e para krizës dhe niveli i papunësisë ka rënë, kompanitë po ankohen për mungesë të madhe stafi të kualifikuar.

Më shumë se gjysma e CEO-ve në vend u shprehën për sondazhin e kryer nga firma e konsulencës Stanton Chase, se pikërisht gjetja e këtyre punonjësve të kualifikuar ishte sfida e tyre më e madhe. Edhe për kreun e Konfederatës Portugeze të Biznesit, problemi është i pranishëm në çdo sektor. Qeveria thotë se shumë prej atyre që u larguan nga vendi në fillim të dekadës u përkasin një prej brezave më të kualifikuar që Portugalia ka pasur ndonjëherë, duke e kthyer skemën Regressar, në “domosdoshmëri”.

Shqetësime të tjera

Portugalia nuk është i vetmi vend europian që dëshiron të rikthejë në atdhe të gjithë (ose pjesën më të madhe) ata që kanë emigruar. Polonia e ka hequr taksën e të ardhurave për emigrantët e rinj, në një përpjekje për të rikthyer në vend numrin e madh të personave të larguar (rreth 1.7 milionë njerëz në 15 vitet e fundit) dhe për të plotësuar hendekun e thellë të mungesës së fuqisë punëtore. Sipas një studimi të fundit të kryer nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet e Jashtme të 14 shteteve të BE-së, emigrimi po kthehet në shqetësimin kryesor të tyre.

Në Itali, Rumani dhe Spanjë, qytetarët janë më të shqetësuar për njerëzit që largohen nga vendi sesa për ata që hyjnë në këto shtete. Madje disa prej tyre mendojnë, se shtetasit duhet të parandalohen dhe të mos lejohen të largohen nga vendi i origjinës, për periudha të gjata kohore.