Portrete të firmave

Laboratori më modern i Zvicrës, vepër e përbashkët e Armendit dhe Stefanit

Është bashkëpronar i njërit ndër laboratorët dentare më të bukur në Zvicër, të vendosur në ndërtesat më të larta në qendër të St.Gallenit. Kjo tregon simbolikisht nivelin që kanë arritur dy pronarë, njëri shqiptar dhe tjetri zviceran, Armend Krasniqi dhe Stefan Abderhalden

Armend Krasniqi dhe Stefan Abderhalden  karrierën e filluan në vitet `90, fillimisht si teknikë dentarë duke punuar nëpër laboratore të ndryshme zvicerane. Sot ata kanë më shumë se 20 punëtorë dhe bashkëpunojnë me shumë ordinanca stomatologësh gjithandej në Zvicër, shkruan albinfo.ch. Ata kanë njërin ndër laboratorët më të bukur dhe modern në Zvicër, që gjendët në katin e 6-të në Neumarkt të St. Gallenit.

Dhe kjo, veç tjerash, tregon më së miri edhe simbolikisht, se deri ku ka arritur karriera e tyre prej teknikësh dentarë në një qytet ku konkurrenca në këtë fushë është mjaft e fortë. Në laboratorin të cilin me sukses e menaxhojnë Armend Krasniqi dhe Stefan Abderhalden, mund të shihni teknologjitë më të reja dhe më moderne, siç janë cad/cam aparatura, 3shape përpunim i datave digjitale, 3d print dhe shumë të tjera, për të cilat ata kanë investuar së bashku që nga viti 2012.

Në Zvicër, puna e teknikut dentar vlerësohet si punë që do shumë profesionalizëm, përqendrim, shkakton stres dhe lodhje fizike, prandaj edhe paguhet shumë mirë. Prodhimi i një dhëmbi konsiderohet art në vete, i cili kërkon kohë, pasion dhe rregulla të përcaktuara në bazë të karakteristikave të një dhëmbi.

Nuk ka frikë nga turizmi dentar

Por ata nuk janë dekurajuar asnjëherë megjithë faktin se turizmi dentar po rritet nga agjencitë që vjedhin pacientët në klinikat vendase për t’i dërguar në vendet fqinje, si në Gjermani, Austri, e deri në Hungari.

Abderhalden pranon se konkurrenca nga vendet fqinje ka ndikuar në biznesin e tyre. “Por ata që vlerësojnë punën tonë në Zvicër, qëndrojnë këtu. Normalisht që klinikat tjera jashtë vendit kanë kosto më të ulëta dhe jo secili banor në Zvicër ka mundësi të paguajë ose të siguroj dhëmbët, por ndikimi nuk është aq i madh sa flitet”, shprehet për albinfo.ch Stefani.

Në Zvicër çmimet për shërbimet dentare janë shumë më të shtrenjta, por kjo është normale, standardi i jetës është më i lartë, qiraja, pagat, sigurimet dhe materialet me kualitet të lartë që përdoren. Përballë kësaj ne kemi garancione për shumë vite, si nga punimi i dhëmbeve, po ashtu dhe nga materiali, në shumicën e rasteve dhe përmbajtjen e mirë të dhëmbve, punimet tona qëndrojn mbi 20 vite në gojë”.

Vlerësimi i partneritetit

Stefan Abderhalden, zvicerani partner i shqiptarit nga Prizreni, tregon për albinfo.ch se si filluan biznesin në St. Gallen. Ata ishin njohur kur Armendi punonte në laboratorin e babait të tij. Papritmas gjendja ishte keqësuar nga ish pronari dhe në vitin 2012 kishin vendosur të vazhdonin punën bashkë në laboratorin e vjetër. “Ne kemi temperamente të ndryshme por ne zëvendësohemi shumë mirë së bashku edhe pse i kemi detyrat e ndara. Unë bëj punën administrative në laborator, ndërsa Armendi përkujdeset për klientët dhe punimet në laborator”, thotë Stefan, dhe pranon se ka përfituar gjëra nga traditat shqiptare. Sipas tij, ata kanë temperament, janë super miqësor, mbajnë familjet bashkë, janë të sinqertë dhe të drejtperdrejtë. Zvicerani është i kënaqur me bashkpunimin.

Edhe Armendi vlerëson shumë Stefanin për bashkunimin e deritashëm.»Stefan është një super njeri, punëtor i madh, ka durim dhe më ka përkrahur gjithmonë»

Në top 5 laboratoret dentare në Zvicër

“Ne jemi në top 5-shin e laboratorëve më të mëdhenj në Zvicër për gamën e të gjitha shërbimeve dentare. Kjo matet me madhësinë dhe me shërbimet që ofrojmë”, thekson tekniku shqiptar i dhëmbëve.

“Në vitin 2012 kemi filluar me një ekip prej 5 vetave ndërsa tani kemi mbi 20 punëtorë. Që nga maji 2016 kemi rregulluar laboratorin e ri në një siperfaqe prej 340 m2. Nga shumë klinika stomatologjike ka edhe shqiptarë të shumtë që vijne me kënaqësi të porosisin dhëmbët për pacientët e tyre. Laboratori është në standardet më të larta europiane, sepse ai ecën paralelisht me tekonolgjinë bashkëkohore, duke përdorur jo vetëm aparatura por edhe materiale dentare më cilësore të tregut, të kompanive më të njohura në botë”, thotë Armendi dhe ndihet krenar për cilësinë e garantuar dhe estetikën në fushën e dentarisë.

Punëtorët janë shumë të motivuar dhe kanë liri të pakufizuar në laborator, përveç  pamjes së laboratorit, e cila motivon në punimin e dhëmbëve, punëtorët nuk kanë orar të caktuar, vijnë kur të duan në punë, kanë të drejtë të përdorin telefonin e dorës dhe të kryejnë termine private. Në këtë laborator është vështirë të gjeni shefin ngase të gjithë janë të barabartë.

Armendi shton se edhe në trojet shqiptare ka teknikë dentarë dhe stomatologë shumë të mirë, që bëjnë punë cilësore. Por për fatë të keq, jo vetëm stomatologjia por edhe të gjithë sektorët tjerë janë mbrapa, thotë ai.

Kush është Armendi

Armendi është me prejardhje nga fshati Breznë i Prizrenit. Si 14 vjeçar kishte migruar në Zvicër. Fillimisht kishte ardhur për pushime bashkë me babain e tij që po punonte sikur të gjithë këpucëtarët e tjerë shqiptarë. Bëhet fjalë për vitin 1991, kur babai i Armendit kishte planifikuar që të sillte familjen për pushime verore të shkollës. Por pasi gjendja në Kosovë ishte keqësuar dhe ishin mbyllur shkollat, ai ka mbetur sot e kësaj dite në Zvicër. 41 vjeçari kishte ëndërruar që një ditë të bëhej stomatolog por jo teknik dentar. Mosha kur  Armendi kishte filluar shkollimin në Zvicër, në klasën e shtatë, i kishte zbehur ëndrrat që ai të bëhej stomatolog. “Mendimi që sërish do të kthehem në Kosovë më ka vështirësuar rrugën e shkollimit të vështirë në Zvicër. Në atë kohë ishte shumë vështirë që të rinjtë të siguronin një profesion si teknik dentar ne Zvicër.

Armendi vazhdon te jetë i lidhur me Prizrenin. Atdhe mund të bëjmë ku të duam po vendlindje asnjëherë. Në Prizren më pushon shpirti. Edhe pse shumicën  e jetës e kam kaluar këtu, prapë më rrah zemra per Kosovën. “Falënderoj familjen dhe partnerin tim Stefan për mbështetjen e tyre. Pa ata nuk do të kisha arritur këtë sukses”, thotë Armendi.

Të gjithë të barabartë

Punëtorët janë shumë të motivuar dhe kanë liri të pakufizuar në laborator, përveç  pamjes së laboratorit, e cila motivon në punimin e dhëmbëve, punëtorët nuk kanë orar të caktuar, vijnë kur të duan në punë, kanë të drejtë të përdorin telefonin e dorës dhe të kryjn termine private. Në këtë laborator është vështirë të gjeni shefin ngase të gjithë janë të barabartë.

/Publireportazh/