Lajme

Lamtumirë viza!

KE sot ka propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Ky vendim thyen izolim 20 vjeçar për kosovarët

Pas lajmit të madh që erdhi dje nga Budapesti, ku Kosova u pranua si shteti i 55 i UEFA-s, sot qytetarët e Kosovës kanë marrë sihariqin më të madh të viteve të fundit, atë për heqjen e regjimit të vizave. 16 vjet pas përfundimit të luftës dhe 8 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Komisioni Evropian ka dhënë dritën jeshile për heqjen vizash.

KE sot ka propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë.

Komisioneri për Migrim dhe çështje të brendshme, Dimitris Avramopoulos i tha REL se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga udhëzuesi për liberalizim të vizave dhe se shpreson se tani edhe Parlamenti Evropian dhe Këshilli, do ta miratojnë propozimin.

Komisioneri Avramopoulos tha se megjithatë Kosova ka edhe dy kushte për të përmbushur përpara miratimit përfundimtar të propozimit.

“Ne po e vazhdojmë përkushtimin tonë për të propozuar udhëtimin e lirë pa viza në Bashkimin Evropian, për qytetarët e Kosovës me pasaporta biometrike. Kjo do të lehtësojë kontaktet ndërmjet njerëzve, do të forcojë lidhjet afariste, kulturore e sociale ndërmjet BE-së dhe Kosovës. Ky është edhe qëllimi”, deklaroi Avramopoulos.

Ai tha se duhet të përgëzohet Kosovën për arritjet në shumë fushadhe në përmbushjen e kritereve.

“Në raportin e sotëm të progresit, Komisioni konfirmon se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat nga udhëzuesi për liberalizim të vizave duke marrë parasysh se me miratimin e këtij propozimi nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, siç e dini janë edhe dy hapa përpara, Kosova do të ketë ratifikuar marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi dhe do të forcojë edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaro ai.

Lajmi për heqjen e vizave, ka gëzuar jo vetëm qytetarët por edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përshëndetur propozimin e Komisionit Evropian për heqjen e vizave për Kosovën duke thënë “Goodbye visa” apo lamtumirë viza.

“Pas dekadave të izolimit, nuk do të ketë më pritje para ambasadave, nuk do të ketë refuzime. Nuk kemi fituar dhuratë, por kemi merituar liberalizimin me punën tonë të përbashkët. Kur punojmë bashkë, asnjë kufi nuk na ndal. Urime liberalizimi sot, urime edhe për UEFA dje. Javë historike”, ka shkruar Thaçi.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar qytetarët e vendit për propozimin pozitiv të Komisionit Evropian për heqjen e vizave. Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka potencuar se ky vlerësim pozitiv paraqet përkushtimin e Kosovës për vlera evropiane.

“Urime Qytetarë të dashur! Rekomandimi pozitiv për heqjen e vizave është vlerësimi më i merituar për qytetarët e Republikës së Kosovës nga Bashkimi Evropian. Rezultatet e punës së Qeverisë çdo ditë e më shumë janë të prekshme për qytetarët e Kosovës, qytetarë të kontinentit dhe të vlerave evropiane”, ka shkruar Mustafa.

Këtij vendimi i është gëzuar edhe përfaqësuesi opozitar, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Në fakt rekomandimi, megjithëse i fundit nga të gjitha vendet tjera të Evropës Juglindore, shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit të Kosovës në BE, që është përcaktim yni strategjik”, ka shkruar Haradinaj, sipas të cilit, Komisioni Evropian e ka bërë rekomandimin e duhur, sepse më në fund edhe Kosova po hyn në modelin e trajtimit të njëjtë me shtetet tjera, të cilat tashmë e kanë fituar këtë të drejtë.

“Vonesa e Kosovës në këtë proces, duhet t’i faturohet qeverive të disa mandateve të fundit, ndërkohë që u bëj thirrje autoriteteve në Bruksel, që të mos e vonojnë vendimin përfundimtar të liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërkaq raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek ka uruar qytetarët e Kosovës për rekomandimin e liberazlimit të vizave nga Komisioni Evropian.

Ajo në një postim në Facebook, ka thënë se “sot është ditë gëzimi për Kosovën, si dhe është një hap që do t’i japë fund izolimit të gjatë dhe të papranueshëm të qytetarëve të Kosovës”.

“Drita e gjelbër e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave që pritej për një kohë të gjatë, sjell gëzim te qytetarët kosovarë dhe për të gjithë ne që e kemi përkrahur për shumë gjatë udhëtimin pa viza për shtetin më të ri evropian. Është një moment i ri dhe i mirë edhe për procesin integrues në Kosovë”, shprehet ajo.

Ky hap i pritur gjatë, sipas europarlamenatres Lunaçek, do të çojë drejt përfundimit të izolimit të papranueshëm të qytetarëve të Kosovës, që prej kur liria e udhëtimit gëzohet nga qytetarët e të gjitha vendeve të regjionit që nga fundi i vitit 2010.

Ndryshe, nesër Kuvendi i Kosovës mbanë një seancë solemne që ka të bëjë me rekomandimin nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave. Në këtët seancë pritet të mbajnë fjalim Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Kosova ka qenë shteti i fundit i Ballkanit perëndimor që nuk është përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave. Pas heqjes së vizave, kosovarët mund të udhëtojnë lirshëm nëpër të gjitha shtetet e BE-së. Por para se të ndodhë kjo, autoritetet në Prishtinë po planifikojnë një fushatë vetëdijesimi, se heqja e vizave nuk nënkupton edhe punë në BE.