Jeta në Gjermani

Leunora Salihu ekspozon skulpturat e saj në parkun e qytetit Wuppertal

Deri në 20 qershor, në këtë park mund të shihen skulpturat e Leunora Salihut, ish studentes master të profesorit Tony Cragg

Një ekspozitë interesante e titulluar “Copëza” ka filluar të shtunën (17 Prill) në parkun e skulpturave Waldfrieden, në Wuppertal. Deri në 20 qershor, në këtë park mund të shihen skulpturat e Leunora Salihut, ish studentes master të profesorit Tony Cragg.

Skulpturat e saj janë krijuar kryesisht tëmodular nga elementë të prodhuar me dorë.

Në vazhdim, albinfo.ch sjell shkrimin e publikuar nga “Wuppertaler Rundschau” lidhur me këtë ekspozitë.

Arti po lufton për të bërë rrugën e tij përmes pandemisë, në një mënyrë mbresëlënëse. Pas hapjes së ekspozitës Beuys tri javë më parë, tani është Leunora Salihu, punimet e së cilës shfaqen në parkun e skulpturave, në  Wuppertal.

Mbi 100 pemë janë mbjellë në park pasi pothuajse po aq kishin rënë viktima të brumbullit të lëvores së pemëve.

Por tani është këtu Leunora Salihu, e cila guxoi të prezantonte punën e saj nën hijen e një “gjiganti”, përcjell albinfo.ch. Në fakt, a duken të gjithë të vegjël kur kanë “në shpinë” një artist të madh si Beuy? Mbase jo! Kosovarja flet me vetëbesim për skulpturën dhe zbulon marrëdhëniet e thella që ka me objektet e saj.

“Gjithmonë vjen momenti kur skulptura kërkon diçka nga ju”, thotë Salihu, duke përshkruar procesin e krijimit të skulpturave të saj prej qeramike. Ajo flet për një rrugë e cila fillon me idenë.

Leunora rrallë modelon duke u bazuar në modele, përkundraz, ajo i vë mendimet e saj në letër. Atje ato janë akoma të lakueshme, më vonë marrin një jetë të tyren.

Pastaj mbaron liria e artistit, e shkëputur nga gjithçka dhe fillon lufta me veprën: A qëndron statika? A përshtaten materialet në mënyrë harmonike? Këto janë pyetje që nuk mund të marrin përgjigje të plotë paraprakisht, ndonëse shikuesit i duket sikur gjithçka është planifikuar që më parë.

Por, nuk është kështu, përkundrazi: të mos jesh në gjendje të përcaktosh asgjë – kjo është bukuria e skulpturës. Ju vetë e vlerësoni procesin dhe nevojën e vazhdueshme për t’u falur besimin materialeve, thotë Leunora Salihu, transmeton albinfo.ch. Qeramika dhe druri janë ato me të cilat ajo ka pasur përvoja të mira në këtë drejtim. Qeramika në veçanti është një material magjepsës që kalon nëpër shumë procese.

Leunora Salihu nuk është e huaj për skulptorin Tony Cragg. Në akademi ajo ishte studente e tij e klasës master, ai e vlerëson qartë qasjen e saj dhe trajtimin e ndjeshëm të materialit. nga ana e saj. Ajo ka vazhduar të zhvillohet që atëherë – punimet e ekspozuara këtu janë dëshmi e qartë e kësaj.

Cragg e quan Salihun “një mendje krijuese dhe të fiksuar për punën e saj” – ndoshta parakushtet më të mira për të vazhduar për të bërë emër në të ardhmen.

Leunora Salihu është e lindur në Kosovë, Prishtinë, në vitin 1977, ku dhe ka mbaruar Fakultetin e Arteve. Më vonë, ajo ka përsosur artine  saj në Akademinë e Arteve në Kiel, Gjermani.

Leunora është bërë e njohur me skulpturat e saj karakteristike, të ekspozuara kryesisht në ambiente të hapura, në qytete të ndrshme të Gjermanisë.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI