Kosova

Linja e re ajrore me shërbime drejt Italisë

Sipas Krasniqit, kosovarët që jetojnë në Itali kanë pasur shumë probleme sa i përket udhëtimit me aeroplan drejt Kosovës, e që kjo ka qenë edhe ndër arsyet që e ka shtyrë atë të krijojë këtë kompani

Muaji dhjetor do të shënojë fillimin e punës së kompanisë ajrore “Airkos”, kompani e cila do të ofrojë udhëtime nga Kosova drejt shtetit të Italisë dhe anasjelltas.

Më 7 dhjetor do të jetë fluturimi i parë i “Airkos” drejt Trevizës së Italisë, ku nga ajo ditë pastaj do të ofrojë fluturime dy herë në javë, çdo të martë dhe të premte.

“Prej datës 7 dhjetor do të jetë fluturimi i parë nga Prishtina drejt Trevizës dhe anasjelltas, dy herë në javë, të martën dhe të premten. Do të fillojmë së pari me këto dy ditë dhe pastaj do të rrisim edhe numrin e fluturimeve. Pastaj do ta krijojmë edhe disa pako që do t’i krijojmë mundësitë për të vizituar Venecian ose Veronën, por jo vetëm këto dyja, po edhe në Kosovë do të krijojmë disa pako që do t’iu mundësojnë të huajve, italianëve në përgjithësi, që të vijnë dhe të vizitojnë Kosovën dhe të kemi shembull çmime të volitshme për qytetarët e Kosovës që dëshirojnë të shkojnë për të vizituar Italinë”, ka deklaruar drejtori gjeneral dhe themeluesi i “Airkos”, Jeton Krasniqi për “KosovaPress”.

Qëllimi i krijimit të kësaj linje fluturimi, sipas Krasniqit është krijimi i lidhjes në mes të dy shteteve, përcjell albinfo.ch.

Sipas Krasniqit, kosovarët që jetojnë në Itali kanë pasur shumë probleme sa i përket udhëtimit me aeroplan drejt Kosovës, e që kjo ka qenë edhe ndër arsyet që e ka shtyrë atë të krijojë këtë kompani.

Përveç bashkatdhetarëve që jetojnë në Itali, të cilët do të kenë më të lehtë të vijnë në vendlindje, edhe qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që me çmime shumë të arsyeshme të vizitojnë Italinë, pasi kjo kompani ajrore “Airkos” ka menduar që të krijojë pako udhëtimesh.

Drejtori i “Airkos”, Jeton Krasniqi, ka thënë se biletat prej Kosovës drejt Italisë dhe nga Italia në Kosovë do të jenë shumë të arsyeshme.

Për fillim kompania ajrore “Airkos” do të operojë vetëm drejt Italisë, por që synim i kësaj kompanie është zgjerimi edhe në tregje të reja, e një nga synimet është edhe Greqia.

“Airkos” sipas drejtorit të saj Jeton Krasniqit, ani pse është kompani e re, është një kompani me shumë perspektivë dhe me qëllimin e saj kryesor të cilin e ka që t’ua mundësojë të gjithëve të udhëtojnë dhe të vizitojnë Italinë.

“Airkos” fluturimin e parë drejt Trevizës së Italisë nga Kosovë do ta ketë në muajin dhjetor.