Integrimi

Vota për Lirijen, votë për shqiptaren e parë në Parlamentin Kantonal të Bernës

Në rast të zgjedhjes së saj, Lirija Sejdi do të bëhet deputetja e parë me prejardhje shqiptare që do të jetë pjesë e Parlamentit kantonal të Bernës

“Me mua në Parlamentin Kantonal, komuniteti shqiptar në kantonin e Bernës do të kishte mundësinë të ketë një person kontaktues në parlament, i cili mund të shprehë kërkesat e tyre atje. Pjesëtarët e gjeneratës së parë e patën të vështirë dhe punuan shumë për të ndërtuar një jetë këtu në Zvicër. Do të ishte në nderin tim të ndërtoj mbi këtë bazë dhe të vazhdoj t’i hap rrugën brezit të ardhshëm të rrënjëve shqiptare në Zvicër”.

Është ky prononcimi për albinfo.ch i Lirija Sejdi, me rastin e kandidimit të saj për Parlamentin kantonal të Bernit, në zgjedhjet që do të mbahen në fund të muajit.

E lindur dhe e rritur në Zvicër e me prejardhje nga qyteti i Ferizajt, Lirija ka studiuar sociologji, shkenca politike dhe psikologji në Bernë, Cyrih dhe Lozanë, me fokus të veçantë migracionin, arsimin dhe gratë.

Ajo tashmë ka shumë përvojë në shumë institucione, ku ka punuar në kërkime, në Fachhochschule Nordwestschweiz dhe në Zyrën Federale të Statistikave në fushën e arsimit dhe të rinjve.

“Për mendimin tim, politika nuk bëhet vetëm në parlament. Shoqëria, përmes lëvizjeve në rrugë, formëson në mënyrë aktive politikën” shprehet Lirija, dhe si shembull për këtë përmend aktivitetet e saj të shumta me Lëvizjen e Grave Greviste, ku është aktive që nga 2019.

Partia Socialdemokrate – SP, deri më tash mbetet si më e pëlqyera nga personat me sfond emigracioni. Albinfo.ch ka shkruar tashmë për shumë kandidatë të suksesshëm në Zvicër nga kjo parti.

“Drejtësia është shumë e rëndësishme për mua. Unë dua të punoj për të siguruar që të gjithë të kenë të njëjtat mundësi në shoqëri. SP ofron hapësirë për këtë qasje, pra për fokusimin tim në arsim dhe angazhimin tim feminist dhe antiracist, prandaj jam përfshirë në SP” thotë ajo. Ajo nuk harron të shfaqë këtu edhe entuziazmin e ish Ministres se Punëve të Jashtme të Zvicrës, Micheline Calmy Rey (nga po kjo parti), e njohur për përkrahjen e pa rezervë për pavarësinë e Kosovës.

Duke qenë e njohur me problematikën, Lirija si kauzë qendrore ka padyshim mundësitë e barabarta, në veçanti në arsim. Si pikë kyçe, padyshim janë edhe fëmijët e migrantëve. Tek kjo e fundit është më se e rëndësishme që atyre tu ofrohen mundësitë e barabarta. Po ashtu edhe të drejtat e barabarta për gratë dhe burrat janë ndër pikat për të cilat ajo synon të luftojë.

Duke qenë se vjen nga rajoni i Oberaargau, që është një zonë rurale, Lirija mendon se është shumë e rëndësishme të ruhet shërbimi bazë publik, dhe në këtë kuptim ajo kërkon mos mbylljen e postave dhe stacioneve hekurudhore apo marketeve dhe barnatoreve.

Nëpërmjet formimit saj sindikal, ajo shpreson të përmirësojë kushtet për pjesëtarët e komunitetit shqiptar që merren me përkujdesje dhe infermieri, por edhe të mbështesë fëmijët në shkollim, shkruan albinfo.ch. Pa harruar asnjëherë që përmes aktivitetit te saj politik, të kontribuojë edhe në fusha të ndryshme në vendin e saj të prejardhjes, Kosovën.

Ndërsa për të gjithë ata që nuk kanë vendosur ende se për kënd të votojnë, ky është mesazhi origjinal nga Lirija Sejdi:

“Unë kandidoj për Parlamentin Kantonal të Bernës në distriktin Oberaargau në listën e grave të SP-së, kjo është lista 1. Për të më mbështetur, zgjidhni listën 1 dhe më futni në listë për herë të dytë, domethënë fshini ndonjë nga emrat e tjerë dhe shkruani emrin tim dhe numri përpara emrit tim në vendin e personit të fshirë (mund të jem në listë maksimumi dy herë dhe lista mund të ketë maksimumi 12 emra). Ndryshe, ju mund të merrni listën boshe, të shkruani listën numër “1” dhe emrin e listës “SP Frauen” dhe më pas të shkruani emrin tim dhe numrin përpara emrit tim dy herë në listë. Shumë e rëndësishme: Karta e votimit (jo lista) duhet të nënshkruhet, në të kundërt vota nuk llogaritet”.

Në rast të zgjedhjes së saj, Lirija Sejdi do të bëhet Deputetja e parë me prejardhje shqiptare që do të jetë pjesë e Parlamentit kantonal të Bernës.

Zgjedhjet për Parlamentin Kantonal të Bernës ( Grossrat) zhvillohen më 27 mars 2022 (të dielën e javës së ardhshme) ndërsa gara do të zhvillohet për njërën nga 160 ulëset që ka ky organ legjislativ.