Bota

“Low cost” edhe në linjat hekurudhore

Kompania FlixMobility ka nisur së fundmi dy linja me shpejtësi të lartë në Gjermani, me tarifat që nisin nga 10 euro

Gjithmonë e më tepër pasagjerë po zgjedhin linjat ajrore me çmime të ulëta si Ryanair apo EasyJet, ndërsa linjat tradicionale në Evropë janë tronditur në themele dhe janë detyruar të ulin çmimet dhe t’u ngarkojnë pasagjerëve tarifa shtesë për bagazhet.

Së shpejti, kjo tronditje në transportin ajror mund të shtrihet edhe në atë hekurudhor, për shkak të kërkesës së Bashkimit Evropian për të nxitur konkurrencën në shërbimet e trenave.

Operatorët hekurudhorë si SNCF në Francë apo Deutsche Bahn në Gjermani do të detyrohen të ulin çmimet dhe analistët shprehen se tarifat e ulëta mund të thithin milionë pasagjerë të rinj, shkruan ‘Scan’.

Një ulje çmimi po e konsideron edhe Getlink SE në Mbretërinë e Bashkuar, e cila kërkon të sfidojë Eurostar, e cila ofron shërbimin me shpejtësi të lartë përmes tunelit që lidh Francën me Anglinë.

Tarifat aktuale nga Eurostar për këtë shërbim arrijnë deri në 510 dollarë për një udhëtim në vajtje dhe ardhje nga Londra në Paris, përcjell albinfo.ch.

Eksperienca mbështet iniciativë e BE për të futur linja hekurudhore rivale. Linja si Prage-Ostrava ka dyfishuar numrin e pasagjerëve ndërsa çmimi i biletave ka rënë ndjeshëm.

Kompania FlixMobility ka nisur së fundmi dy linja me shpejtësi të lartë në Gjermani, me tarifat që nisin nga 10 euro. Konkurrenca edhe më e madhe do të bënte që të përdorej më tepër rrjeti 9 mijë kilometra i hekurudhave në Evropë. Aktualisht, linja e Tunelit Francë-Angli shfrytëzohet në vetëm 58% të kapacitetit të saj.

Disa kompani të reja kanë arritur rezultate të shkëlqyera falë çmimeve të ulëta, si Italo SpA në Itali, e ish shefit të Ferrarit, Luca Cordero di Montezemolo. Sot kjo linjë shërben në 17 qytete me trenat e saj të kuq, prenotimin online dhe kontrollon 30% të lidhjeve të shpejta hekurudhore në Itali. Vetëm vitin e kaluar ajo i shërbeu mbi 13 milionë pasagjerëve.

Por Italo SpA ka nxitur edhe Trenitalia të reduktojë ndjeshëm çmimet. Në linjat ku operon Italo, çmimet e Trenitalia kanë rënë me 41%, ndërsa pasagjerët janë shtuar me 80%. Të dyja këto kompani kanë shtrënguar madje edhe linjat ajrore falë çmimeve të favorshme me 40 euro vajtje ardhje.

Efekte të ngjashme janë ndjerë edhe në Austri, Çeki dhe Suedi pas shtimit të linjave rivale. Megjithatë, linjat e reja konkurrente nuk do ta kenë të lehtë të pushtojnë të gjithë tregun evropian edhe për shkak të monopoleve të kompanive shtetërore, të cilat do të përpiqen t’i rezistojnë ndërhyrjeve nga jashtë.