Lajme

Lukas Mandl: “Liberalizimin e vizave nuk e keni dhuratë, atë e keni merituar”

“Kosovarët nuk kanë arsye për të festuar liberalizimin e vizave, sepse liberalizimi nuk është dhuratë, por meritë, pas përmbushjes së shumë reformave dhe plotësimit të shumë kritereve”

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, në një intervistë ekskluzive për albinfo.at ka folur për liberalizimin e vizave, pengesat dhe pritjet e gjata që kosovarët hasën gjatë këtij rrugëtimi deri në finalizimin e kësaj çështjeje.

Ai thotë se kosovarët nuk kanë arsye për të festuar liberalizimin e vizave, sepse sipas tij, liberalizimi nuk është dhuratë, por meritë duke përmbushur shumë reforma dhe plotësuar shumë kritere.

Tutje, Mandl flet edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si dhe për kandidimin e tij në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, të cilat do të mbahen në qershor të vitit 2024.

Albinfo.at: Kosovarët fatkeqësisht nuk kanë përfaqësues të tyre në Parlamentin e BE-së, por sa herë që ishte e nevojshme, zëri i tyre u dëgjua përmes jush, veçanërisht për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, ku ju jeni angazhuar për shumë vite. Më në fund, nga 1 janari (v.j. dje) 2024, kosovarët udhëtojnë pa viza. Si ndiheni dhe cili është komenti juaj për këtë?

Mandl: Nuk ka asnjë arsye për të festuar. Sepse liria e vizave po vjen me një vonesë tepër të gjatë. Kriteret ishin plotësuar që para shtatë vjetësh. Dhe, Kosova duhej të përmbushte më shumë kritere se shtetet tjera. Qytetarët e shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor, kanë vite që udhëtojnë pa viza. Fatkeqësisht, vonesat në BE, të shkaktuara nga një pakicë e vogël e shteteve anëtare, ishin shembull për këtë, që shtetit më të ri në Evropë, Republikës së Kosovës t’i vështirësohen gjërat. Unë gjithashtu nuk e fsheh perceptimin tim se fillimi i luftës së agresionit Putin-Rusi ka hapur sytë e shumë njerëzve ndaj llojit të urrejtjes irracionale që ekziston ende në Evropë. Kjo ka bërë që njerëzit me vullnet të mirë të qëndrojnë së bashku më ngushtë dhe gjithashtu në një vlerësim më të madh të kontributit të Kosovës në qytetërimin e Perëndimit politik.

Photo Credits: Buero

Albinfo.at: Kosova për dekada ishte i vetmi vend në Evropë që nuk kishte liberalizim të vizave. Çfarë mendoni se ka qenë pengesë apo çfarë e ka dënuar Kosovën gjatë gjithë këtyre viteve?

Mandl: Një numër i vogël i shteteve anëtare që ende nuk e njohin Kosovën, ndonjëherë politikisht e injorojnë ekzistencën e Kosovës. Kjo mund të jetë e rehatshme për ta në disa situata, por është thellësisht e gabuar. Pas fillimit të luftës së agresionit Putin-Rusi, është pothuajse vështirë e mundshme të injorohet se, kush është në cilën anë.

Albinfo.at: A iu bë padrejtësi shtetit të Kosovës dhe veçanërisht qytetarëve të saj?

Mandl: Në kuptimin juridik, jo; por në kuptimin politik ishte e padrejtë që qytetarët e Kosovës duhej të prisnin më gjatë se të tjerët.

Albinfo.at: Përveç përkrahësve të liberalizimit të vizave për kosovarët, ka pasur edhe zëra dhe reagime të kundërta. Cilat ishin arsyet e hezitimit të disa eurodeputetëve që ishin kundër liberalizimit të vizave për Kosovën dhe si u bindën këta skeptikë të votonin për liberalizimin?

Mandl: Jo të gjitha shtetet ishin të bindura. BE-ja bazohet në tri institucione: Parlamenti Evropian, Këshilli i Qeverive të Shteteve Anëtare dhe Komisioni Evropian. Parlamenti Evropian zgjidhet drejtpërdrejt dhe flet në mënyrë demokratike për qytetarët e Bashkimit Evropian. Shumica e tyre prej kohësh ishin pro liberalizimit të vizave për kosovarët. Shtatë vjet më parë, Komisioni i BE-së konfirmoi se Kosova kishte përmbushur pothuajse 100 kritere. Por midis qeverive të shteteve anëtare, disa shtete e kishte bllokuar atë.

Ata për të cilët e kam fjalën e dinë se kjo u referohet atyre dhe shpresojmë se do të vazhdojnë të vendosin që gjuha e përbashkët të peshojë më shumë se ajo që na ndan në çështjet e ardhshme dhe të rimendojnë qëndrimin e tyre bllokues ndaj shtetit më të ri të Evropës.

Albinfo.at: Çfarë ndikoi konkretisht në një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave?

Mandl: Siç e përshkroi kancelari gjerman, pika e kthesës, e shkaktuar nga fillimi i luftës së agresionit Putin-Rusi, ka çuar në shumë fillime të mira. Ende bëhet fjalë vetëm për fillimin, nuk është ende diçka e qëndrueshme. Por, Kosova ende nuk do ta kishte fituar statusin “pa viza” pa pas ndodhur ndryshimi në fjalë. Po ashtu Bosnja dhe Hercegovina, Ukraina dhe Republika e Moldavisë nuk do të kishin statusin e kandidatit, Danimarka nuk do të ishte shteti i fundit anëtar që i bashkohej Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së, Finlanda dhe Suedia nuk do të lëviznin drejt NATO-s. Le të shpresojmë se fillimet e shumta të mira do të çojnë në një kohezion të vazhdueshëm të qytetërimit, të dinjitetit njerëzor dhe lirive qytetare, demokracisë dhe shtetit të së drejtës dhe se gjithnjë e më shumë njerëz do të jetojnë në kushte humane. Por, kjo shpresë duhet të bëhet angazhim konkret: duhet të punojmë për të!

Photo Credits: M.Lahousse

Albinfo.at: Edhe sot ka zëra kundër, duke pretenduar se do të ketë ikje masive të qytetarëve nga Kosova drejt vendeve të BE-së. Si e shihni këtë?

Mandl: Nuk e besoj. Të gjithë në Kosovë duhet ta dinë se udhëtimi pa viza nuk ka të bëjë fare me lejen e punës. Kjo është një çështje krejtësisht tjetër. Por, liria e vizave do të thellojë marrëdhëniet e mira njerëzore mes njerëzve në BE-në e sotme dhe atyre në Kosovë. Migrimi për motive punësimi po bëhet kryesisht nga Gjermania, por edhe nga disa vende të tjera, për të mirën e ekonomisë së tyre. Kjo është legjitime, por nuk është mirë për Kosovën. Kosovarët janë të uritur për arsim dhe punojnë shumë. Unë, uroj që shumë të rinj kosovarë të punojnë për vendin e tyre. Dhe së fundi, Kosova përbën vetëm rreth dhjetë për qind të popullsisë së Ballkanit Perëndimor. Rreth 90 për qind udhëtojnë pa viza për një kohë të gjatë dhe as atëherë dhe as tash nuk mund të bëhet fjalë për një eksod masiv.

Albinfo.at: Z. Mandl, bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë aktualisht nuk po tregojnë ndonjë zhvillim të dukshëm. Cila mendoni se do të ishte zgjidhja më e mirë?

Mandl: Serbia duhet ta njohë Kosovën. Fëmijëve serbë duhet t`u shpjegohet në shkolla për krimet e luftës. Traumat në të dy vendet duhet të tejkalohen. Nevojitet punë aktive drejt paqes. Serbia duhet të kuptojë se ka një të ardhme të mirë nëse bashkëpunon me fqinjët e saj, sesa t’i ngacmojë ata vazhdimisht. Shumë njerëz në Serbi gjithashtu e shohin atë në këtë mënyrë. Por, regjimi i Vuçiçit ka ende një kontroll të fortë mbi shtetin dhe kryesisht kontrollon shoqërinë; por shoqëria civile në Serbi po zgjohet. Popullin patriot të Serbisë, i cili dëshiron një të ardhme të mirë për vendin e tij, ne duhet ta shohim si partner. Dialogu i BE-së kishte qëllim të mirë, por Vuçiq flet një gjuhë tjetër jashtë dialogut e tjetër në dialog. Megjithatë, pala kosovare mund ta përdorë dialogun për të vënë në tryezë konceptin e saj për të ardhmen.

Photo Credits: S.Tzovaras

Albinfo.at: Kam lexuar në një intervistë që ju keni thënë se BE-ja, me liberalizimin e vizave, do ta avancojë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. A pritet kjo tash pas liberalizimit?

Mandl: Nuk e mbaj mend, por ndoshta kështu është cituar. Gjithsesi, liberalizimi i vizave nuk duhet parë si dhuratë për Kosovën. Sepse kosovarët kanë bërë shumë për këtë: kanë zbatuar reforma, kanë përmbushur kriteret dhe kanë treguar shumë durim. Dialogu duhet të vazhdojë gjithsesi dhe jam i kënaqur që administrata aktuale e SHBA-së po mbështet dialogun e udhëhequr nga BE. Por, agjenda e dialogut duhet të jetë më e qartë dhe rezultatet duhet të jenë më konkrete.

Albinfo.at: Të flasim pak për zgjedhjet në BE. Zgjedhjet për Parlamentin Evropian do të mbahen nga 6 deri më 9 qershor 2024. A do të kandidoni sërish dhe çfarë prisni nga këto zgjedhje?

Mandl: Unë do të aplikoj për një nominim. Nëse propozohem, do të kandidoj për të kërkuar besimin e popullit që të me jepet mundësia të punoj si një nga 20 përfaqësuesit austriakë në Parlamentin e ri Evropian. Unë, shpresoj nga zgjedhjet që shumica ose të gjithë këta 20 do të punojnë me zemër e me mendje, me pasion, profesionalizëm dhe zell për bashkatdhetarët e tyre austriakë dhe për një të ardhme të mirë për Evropën. Në dimensionin mbarë evropian, pres që përbërja e Komisionit të ri të BE-së pas zgjedhjeve evropiane të jetë shumë vendimtare për të ardhmen; Sa i përket personelit, ashtu edhe përmbajtjes shumë do të varet nëse në Parlamentin Evropian do të forcohen forcat konstruktive apo partitë populiste.

Albinfo.at: Cila mendoni se është sfida më e madhe e BE-së në të ardhmen?

Mandl: BE-ja është dëshmi e gjallë se bashkëpunimi është më i mirë se konfrontimi dhe konflikti. Falë tregut të brendshëm dhe Unionit të përbashkët, Evropa po ecën më mirë se kurrë – pavarësisht të gjitha problemeve. Roli dhe sfida e Evropës do të jetë ruajtja e bashkëpunimit brenda dhe kontributi i jashtëm në një botë me më shumë bashkëpunim ose të paktën bashkëjetesë.