Made in Kosova

“Made in Kosova” në panairin më të madh të ndërtimit në Zvicër

Aktualisht prodhimet nga druri “Made in Kosova” po prezantohen për herë dytë në panairin më të madh të ndërtimit në Zvicër, “Swissbau” në Basel

Produktet “Made in Kosova” po depërtojnë nga dita në ditë në tregjet vendeve të Bashkimit Evropian dhe në Zvicër. Aktualisht, prodhimet “Made in Kosova” po prezantohen për herë dytë në panairin më të madh të ndërtimit në Zvicër, “Swissbau” në Basel.

Shtëpi me kornizë prej druri, dyer, dritare, shkallë prej druri dhe mobilje të tjera, të cilat po konkurrojnë me produktet e 17 vendeve të tjera ekspozuese të panairit u paraqitën nga 7 kompani shqiptare nga Kosova pjesëmarrëse në ketë eveniment ekonomik të Zvicrës.

Në panairin më të njohur dhe më të madh në Zvicër, “Swissbau 2018” që zhvillohet çdo vit në Basel, ku po prezantohet edhe Kosova, vizitorët janë njohur nga afër me shifra, të dhëna, grafike dhe informacione të shumta për situatën aktuale, historikun dhe të ardhmen e këtyre produkteve të industrisë së drurit.

albinfo.ch ishte e pranishme në hapjen e “Swissbau 2018”. 

albinfo.ch

Shans i mirë për hapjen e dyerve të eksportit për ndërmarrjet kosovare

“Elnor” është një kompani kosovare që tashmë për herë të dytë është pjesë e këtij panairi zviceran, ndërsa menaxheri i kësaj kompanie, Imer Ukaj, thotë për albinfo.ch se suksesi nga panairi i kaluar ka shtyrë ata që sërish të jenë edhe sivjet në Swissbau.

“Tashmë të gjithë e dinë se çfarë produktesh kërkon Zvicra. E dinë arkitektët, disenjatorët deri te punëtorët e thjeshtë”, thotë Ukaj, duke treguar se është shtuar eksporti nga Kosova në Zvicër.

Edhe për konsullin kosovar në Cyrih, Islam Spahiu, që ishte i pranishëm në hapje të panairit, ky aktivitet është një shans i mirë për hapjen e dyerve të eksportit për prodhimet e drurit nga Kosova, të cilat në një mënyrë kanë marrë një certifikim ndërkombëtar. “Nuk është edhe lehtë të depërtohet në një panair konkurrues siç është  “Swissbau” në Zvicër ndërsa numri i firmave nga viti në vit po shtohet. Sivjet i kemi shtatë prej tyre dhe kjo tregon se firmat kosovare kanë filluar të profilizohen mirë dhe të përballojnë garën ku cilësia është kriter i parë”, tha diplomati nga Kosova, Islam Spahija.

albinfo.ch

Se kualiteti nuk është më në diskutim pohon dhe Nexhat Fazliu, njëri nga menaxherët e ndërmarrjes “Binni”, për të cilin është hera e parë që merr pjesë në këtë panair zviceran.

“Teknologjia e prodhimit tashmë është e njëjtë si në Kosovë, Zvicër e Gjermani. Nuk mund të dallohet se ky produkt vjen prej Kosove, ngase të gjitha materialet e përpunuara në vendin tonë certifikohen në vendet evropiane” deklaron Fazliu, dhe thotë se panairi vetëm do të forcojë lidhjet që tashmë kanë krijuar në tregjet evropiane.

Kosova e ka cilësinë, i nevojitet promovimi

“Kosovës i duhet më shumë promovim në përmirësimin e imazhit sesa produkteve që prodhohen atje”, tregon Fazliu duke insistuar se po bëjnë më shumë në përmirësimin e imazhit të vendit në panaire si ky, “Swissbau”.    

Produktet e Binnit tashme janë të pranishme në tregun zviceran prej gati 5 vitesh.

“Falë ndërmarrësve shqiptarë ne kemi depërtuar edhe te klientela zvicerane. Zvicra është e rëndësishme për shkak të rolit që ka luajtuar diaspora shqiptare”, thotë Fazliu.

Në një kënd tjetër ishte pozicionuar firma “Graniti”, ndërsa menaxheri Bajram Lumi tha për albinfo.ch se janë pothuaj në një nivel me produktet evropiane ndërsa janë konkurrues me çmime të lira.

“Po na mungon besimi ngase dikush ka krijuar një imazh të keq dhe kur na pyesin se jemi nga Kosova na pranojnë me rezerva. Por gradualisht jemi duke i tejkaluar edhe këto paragjykime”, thekson Lumi.

USAID-i vazhdon mbështetjen e ndërmarrjeve kosovare

Rexhep Iljazi nga Programi i USAID-it EMPOWER Sektori Privat thotë se këtë herë po vijnë nga Kosova më të përgatitur në Basel.

“Pritjet janë që nga ky panair ndërmarrjet kosovare të vendosen në mënyrë permanente në Zvicër. Nga panairi i kaluar janë eliminuar dobësitë dhe të gjitha kompanitë që po marrin pjesë janë në nivelin më të lartë sa i përket cilësisë” tha Ijazi duke i përmendur edhe kompanitë tjera kosovare që po prezantojnë në të njëjtën kohë produktet e tyre në panairin IMM Këln (Gjermani)

Iljazi tha se USAID-i do të vazhdojë mbështetjen për ndërmarrjet kosovare që të depërtojnë në tregjet evropiane.

albinfo.ch

Mërgimtari, Nazmi Mehmetaj ndërton shtëpia druri në Kosovë. Kompania që ka themeluar ai me disa të tjerë, shqiptarë dhe zviceranë, mban emrin “Green House SHPK”. Ajo përbën një zingjir prodhimi, Kosovë-Zvicër.

Këto janë `shtëpi të gjelbra`, me kornizë druri, të cilat prodhohen në Kosovë dhe pastaj instalohen në Zvicër. Këto korniza druri ishin ekspozuar të martën në panairin e ndërtimit “Swissbau”.

Nazmi Mehmetaj thotë se interesimi për shtëpi druri nga Kosova është i madh sidomos nga shqiptarët që jetojnë në Zvicër.

“Pritjet janë që të lidhen ekspertët e këtij sektori ndërsa kualiteti është zviceran. Por mentaliteti duhet të ndryshojë në Kosovë ngase druri është dru dhe zviceranët ndërtojnë shtëpi druri prej vitesh”, tha Mehmetaj duke pretenduar se do të zgjerojnë kapacitetet edhe në pjesën gjermane të Zvicrës.

albinfo.ch

Zenun Bajrami përfaqëson firmën Koba nga Gjakova. Ai kishte jetuar për 30 vite në Zvicër ndërsa firmën me të cilën kishte punuar e kishte transferuar në Kosovë.

Bajrami qe 5 vite jeton dhe punon në Kosovë ndërsa nga ky vit ka gjetur një firmë zvicerane që do ta përfaqësojë në Zvicër.

Kompania merret me prodhimin e mureve ndarëse lëvizëse të punuara nga druri, alumini dhe qelqi, kryesisht për hotele dhe restorante, të cilat eksportohen jashtë vendit. Prodhojnë edhe inventar për zyra, dhoma gjumi, kuzhina, varëse për salla publike, sportive dhe shkolla”, thotë Bajrami.

albinfo.ch

Këta janë mbështetësit e pjesëmarrjes së ndërmarrjeve të Kosovës në “Swissbau”

Pjesëmarrja e dhjetë kompanive në këto dy panaire mbështetet nga: Programi i USAID-it EMPOWER Sektori Privat dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA),  Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC/DEZA), Agjencioni Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar “Deutsche Gesellschaft für internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.

Mbështetja koordinohet nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës SHPDK.

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI