Lajme

Manifestim i shkollave shqipe të Kantonit të Argaut – festë e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar

Ky aktivitet dëshmoi edhe një herë forcën organizative, përkushtimin e mësuesve dhe dashurinë e brezit të ri për gjuhën amtare

Argau, Zvicër – Në një atmosferë festive dhe tejet emocionuese, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) “Naim Frashëri” në Kantonin e Argaut organizoi manifestimin tradicional me rastin e përfundimit të vitit shkollor 2025/2026, duke mbledhur në një vend nxënës, mësimdhënës, prindër, përfaqësues institucionesh dhe mysafirë të shumtë nga Zvicra dhe trojet shqiptare.

Ky aktivitet, i cili tashmë është shndërruar në një ngjarje të rëndësishme arsimore dhe kulturore për komunitetin shqiptar në kanton, dëshmoi edhe një herë forcën organizative, përkushtimin e mësuesve dhe dashurinë e brezit të ri për gjuhën amtare.

Manifestimi u hap me interpretimin e Himnit Kombëtar nga nxënësit e shkollave shqipe të kantonit, duke krijuar emocione të veçanta te të pranishmit. Programin e udhëhoqi ish-nxënësja e shkollës shqipe, Ilmije Luma, e cila, në emër të Kryesisë Kantonale të LAPSH-it, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për praninë dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj shkollës shqipe.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i LAPSH-it për Kantonin e Argaut, Riza Demaj, vlerësoi punën e palodhshme të mësuesve dhe prindërve, duke theksuar se ruajtja e gjuhës shqipe në mërgatë mbetet një nga misionet më të rëndësishme kombëtare.

Manifestimin e përshëndeti edhe znj. Besarta Balaj, zyrtare e lartë për mësimin në mërgatë pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës, e cila vlerësoi rolin e shkollave shqipe në diasporë në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe edukimin e brezave të rinj. Ajo përgëzoi të gjithë mësuesit, e në veçanti ata që ishin të pranishëm me nxënësit e tyre. Ajo përgëzoi të gjithë mësuesit në veçanti ata të cilët ishin prezentë me nxënësit e tyre Qefseren, Vaxhidin, Safeten, Halimen, Vjollcën, Elfeten, Nurajn, Eshtrefen, Sadeten, Zyrafeten dhe Arditën.

Një rëndësi të veçantë manifestimit i dha pjesëmarrja e përfaqësuesve diplomatikë shqiptarë. Të pranishëm ishin përfaqësuesja e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Zvicër, znj. Monika Zguro, dhe zëvendëskonsulli i Konsullatës së Republikës së Kosovës, z. Avni Zejnullahu. Znj. Monika Zguro, e cila foli në emër të trupit diplomatik, përgëzoi mësuesit dhe prindërit shqiptarë për angazhimin e tyre gjatë gjithë vitit shkollor, që fëmijët ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën amtare. Ajo përgëzoi veprimtarët Riza Demaj dhe Vaxhid Sejdiu për angazhimin e tyre në përfshirjen e sa më shumë fëmijëve në mësimin plotësues të gjuhës shqipe, duke theksuar se hapja e njëmbëdhjetë pikave të reja shkollore gjatë vitit shkollor flet më së miri për këtë përkushtim.

Mbështetjen e institucioneve vendore e dëshmoi edhe pjesëmarrja e kryetares së Komunës së Suhr-it, Carmen Sutter. Ndërkohë, aktivitetin e nderuan me fjalën e tyre edhe akademik Frashër Demaj nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, si dhe prof. dr. Rabije Murati nga Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës.

Pjesa artistike e manifestimit ishte kulmi i kësaj feste shkollore. Nxënësit e të gjitha shkollave shqipe të Kantonit të Argaut prezantuan me krenari recitime, këngë dhe valle kushtuar gjuhës shqipe, flamurit kombëtar, historisë, lirisë dhe atdheut. Programi filloi me interpretimin e mrekullueshëm të nxënëseve të Shkollës Shqipe në Neuenhof, Lira Zuka dhe Arnela Halimi, me këngën “Flasin shqip tingujt e zemrës”.

Gjatë gjithë programit artistik, në skenë u paraqitën nxënësit e shkollave shqipe nga Neuenhof, Spreitenbach, Bad Zurzach, Oftringen, Gränichen, Dintikon, Wohlen, Birr, Hunzenschwil, Othmarsingen, Rupperswil, Windisch, Wettingen, Frick, Möhlin dhe Muhen, të përgatitur me përkushtim nga mësuesit e tyre.

Një moment veçanërisht emocionues ishte ndarja e certifikatave për semi-maturantët që kanë përfunduar me sukses programin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. LAPSH-i i Kantonit të Argaut vlerësoi nxënësit për përkushtimin dhe vijueshmërinë e tyre ndër vite, ndërsa Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës, përmes znj. Besarta Balaj, i nderoi nxënësit shembullorë me libra si shenjë mirënjohjeje për suksesin dhe angazhimin e treguar.

Me certifikata, me rastin e përfundimit të programit shkollor, u nderuan. Ajla Sulejmani dhe Era Kelmendi, nxënëse të mësueses Qefsere Sejdiu; Shera Dakaj, Sara Zymeri, Lorena Rrafshi, Leon Hoxhaj dhe Loresa Hoxhaj, nxënës të mësuesit Vaxhid Sejdiu; Dioreta Fazliaj, Ardona Elezaj, Lina Muharremaj dhe Doresa Fazliaj, nxënëse të mësueses Ardita Abazi; Yllka Balaj, Luana Salihu dhe Kanina Zajmi, nxënëse të mësueses Elfete Hysenaj-Gashi; Esma Iljasi, Laila Ibrahimi, Amra Ibrahimi, Ailinda Canaj, Fatime Abdiji, Harun Amiti, Ayla Amiti, Eldion Bytyqi dhe Leon Dilla, nxënës të mësueses Nuraj Iljasi; Diar Shala, Anik Rama dhe Aron Cerimi, nxënës të mësueses Eshtrefe Nuhiji; Aulon Isufi, Amelia Sylejmani dhe Arbër Rexhepi, nxënës të mësueses Zyrafete Muqolli-Aliu.

Një falënderim i veçantë u shkon prindërve dhe veprimtarëve të LAPSH-it “Naim Frashëri” në Kantonin e Argaut, të cilët, nën drejtimin e kryetarit Riza Demaj dhe sekretarit Rexhep Neziri, u përkujdesën për organizimin dhe aspektin teknik të manifestimit. Mirënjohje e veçantë shkon gjithashtu për mbështetësin e kahershëm të LAPSH-it në Kantonin e Argaut, z. Visar Muriqi.

Manifestimi u përmbyll me paraqitjen e Shoqatës Kulturo-Artistike “Shota”, e cila solli emocione dhe duartrokitje të shumta nga publiku.

Ky manifestim ishte një dëshmi e qartë se shkolla shqipe në diasporë vazhdon të mbetet vatër e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet mësuesve, prindërve, institucioneve shqiptare dhe komunitetit në përgjithësi.