Maqedonia

Maqedonia e Veriut do të shpërndajë “Pasaportat e gjelbra” për Covid-19

Aty do të jetë QR kodi elektronik, i cili do të ketë të dhëna për vaksinimin, për PCR testin dhe eventualisht për antitrupa.

Rreth 200 mijë qytetarë deri më tash janë vaksinuar, ndërkaq rreth 380 mijë të tjerë janë paraqitur për t’u vaksinuar. Për momentin rrjedh vaksinimi i qytetarëve mbi 40 vjeç si dhe i atyre mbi 65 vjeç, të cilët janë paraqitur pas një maji.

Po ashtu vaksinohen pacientët në dializë dhe ata të që kanë kryer transplantime, ndërkaq vaksinimi i gazetarëve nën 40 vjeç ende nuk ka filluar.

Ministri i Shëndetësisë tha se javën e ardhshme pritet të fillojë vaksinimi i tyre duke paralajmëruar dhe arritjen e shumë dozave të tjera të vaksinave, transmeton Alsat, përcjell Albinfo.ch.

Njoftimi i fundit përmes ambasadës kineze dje dhe sot është se 500 mijë vaksina të Sinovakut duhet të arrijnë në  fillim të muajit qershor. Në qershor priten edhe 100 mijë Pfizer vaksina përmes sistemit Covax. Ende nuk e kemi dinamikën për arritjen e vaksinës Pfizer përmes marrëveshjes sonë direkt. Kemi njoftime se përmes ambasadës ruse do të kemi doza të reja të vaksinës ruse deri në fund të muajit maj, por nuk e kemi të konfirmuar”, pohoi Venko FIlipce, ministër i Shëndetësisë.

Qytetarët mbi 60 vjeç, të cilët janë vaksinuar me Astra&Zeneca në shtete të tjera, do të mund që dozën e dytë ta marrin në Maqedoni. Ministri i Shëndetësisë tha se javës së ardhshme do të jepen pasaportat e gjelbra.

Mund të vaksinohen përmes mjekut amë. Do të rivaksinohen edhe me Astra&Zeneca nëse janë mbi 60 vjeç. Një pjesë e dozave të cilat arritën tani, janë të dedikuara për këto raste. Një pjesë e kemi lënë anash si rezervë. Javën e ardhshme do ta japim të ashtuquajturin “green passport”, aty do jetë QR kodi elektronik, i cili do të ketë të dhëna për vaksinimin, për PCR testin dhe eventualisht për antitrupa. Cilindo nga parametrat në cilindo shtet evropian që do të kërkohet, do të mund që udhëtari t’i ketë me vete”, tha Venko Filipce, ministër i Shëndetësisë.

Ndërkaq qytetarët, të cilët e kanë lëshuar terminin për vaksinim, duhet të paraqiten përsëri dhe të presin radhën.