Autotech

Mbi 3 milionë makina elektrike dhe hibride, nëpër rrugët e botës

Në fund të vitit 2017 mbi 3 milionë makina elektrike dhe hibride u shitën në mbarë botën, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) në raportin e saj vjetor.

Sipas të dhënave, kjo është një rritje prej 54 për qind krahasuar me vitin 2016. Për një rritje të tillë të madhe globale Kina është më e merituara, ku 580,000 automjete elektrike (EV) dhe hibride (PHEV) janë shitur gjatë vitit të kaluar, shkruan albinfo.ch.

Numri i automjeteve elektrike gjithashtu është rritur ndjeshëm në SHBA, ku vitin e kaluar u shpërndanë konsumatorëve rreth 280,000 automjete EV dhe PHEV.

Megjithëse rritja në shitje e makinave elektrike aktualisht është më e larta në Kinë dhe në Shtetet e Bashkuara, pjesa më e madhe e tregut të këtij lloji të automjeteve është vërejtur në disa vende evropiane, si në Norvegji (39%) dhe në Islandë (12%).

Kina nuk është vetëm lider botëror në shitjen e makinave elektrike, por gjithashtu ka një rritje të konsiderueshme në autobusët elektrikë dhe makinat elektrike në dy rrota.

Me rritjen e numrit të makinave elektrike në botë, nga viti në vit, rritet numri i ngarkuesve, si dhe ato private, të cilat janë të vendosura në shtëpitë dhe objektet afariste, si dhe stacionet publike për ngarkimin e baterive.