Lajme

“Mbreti Charles III nuk ka vdekur”, njoftimi urgjent i Ambasadës britanike në Kiev

Një lajm i rremë ka detyruar Ambasadën britanike në Ukrainë që të reagojë ashpër, duke publikuar njoftimin zyrtar se mbreti britanik Charles III është gjallë.

Kjo erdhi pasi mediat ruse bënë një njoftim të rremë për vdekjen e monarkut britanik.

Një seri agjencish ruse raportonin njëherazi se mbreti 75-vjeçar kishte vdekur nga kanceri, duke cituar burime të paemëruara, madje të shoqëruara me një deklaratë të rreme nga pallati mbretëror ‘Buckingham Palace’ për “vdekjen e papritur”, raporton dailymail, përcjell Albinfo.ch.

Siç raportohet, fushata e dezinformacionit zgjati për vetëm disa minuta pas konfirmimeve se mbreti në fakt nuk kishte vdekur.

“Dëshirojmë të konfirmojmë se lajmi për vdekjen e mbretit Charles III është i rremë”, ishte njoftimin që e publikoi shpejt nê rrjetet sociale Ambasada britanike në Kiev.

Disa agjenci të njohura ruse dhanë njoftimin e pabazë dhe nuk dihet nëse ato kishin gabuar apo për këtë ishte përgjegjëse makineria e propagandës së Vladimir Putin.

Shakaja e hidhur për vdekjen e monarkut u pasua nga kritika në Britani dhe vendet perëndimore, ku lajmi i rremë mund të përhapej nëse nuk do të përgënjeshtrohej në kohë.

Zhvillimi vjen pas kritikave të Perëndimit për fitoren e Vladimir Putin në zgjedhjet presidenciale që konsideroheshin të manipuluara.

Lajmi i rremë u publikua nga rrjetet ruse RIA, Sputnik, Readkovka e Mash – të cilat më vonë korrigjuan informacionin e tyre.

Rrjeti Mash shkruante fillimisht në njoftim: “Mbreti i Britanisë Charles III ka vdekur, raporton pallati mbretëror Buckingham Palace. I biri i mbretëreshës Elisabeta që mori fronin më pak se një vit më parë, ishte 75 vjeç”.

Më vonë në përditësimin e lajmit thuhej se ‘mesazhi rezultoi i rremë’, por gjithsesi shtonte se ‘të mbajmë mend se disa muaj më parë u diagnostikua me kancer’.

Edhe zëdhënësja e jashtme ruse, Maria Zakharova, iu bashkua zhurmës së lajmit duke shkruar: ‘Londra zyrtare duket patetike.’

Rrjeti online pro-Kremlin BAZA shkruante: “Vdekja e mbretit britanik u publikua bazuar në një njoftim të rremë nga pallati mbretëror”.

Gazeta e Kremlinit, Rossiyskaya Gazeta, korrigjonte lajmin e saj: “Mbreti Charles III vijon të kryejë detyrat e tij publike e private, njofton pallati mbretëror. Disa rrjete publikuan më herët informacionin e rremë mbi vdekjen e tij”./Albinfo.ch