Lajme

Më 21 korrik nis emetimi i letrave me vlerë për mërgatën në Kosovë

Në një njoftim zyrtar, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, tregon se ka bërë të gjitha përgatitjet për emetimin e letrave me vlerë për mërgatën, ku periudha për investim është nga data 21 korrik 2021 deri më 18 gusht 2021, përcjell albinfo.ch.

Ministri Hekuran Murati deklaroi se bonot do të jenë 3 dhe 5-vjeçare, ku shuma totale do të jetë 20 milionë euro, derisa sipas nevojës, mund të rritet deri në 50 për qind.

“Bono trevjeçare dhe pesëvjeçare, periudha e shitjes do të jetë prej 21 korrik deri më 18 gusht. Dhe data e emetimit 20 gusht. Bankat komerciale me të cilat do të kemi bashkëpunim janë Raiffeisen Bank, ProCredit Bank, NLB banka, BKT, Banka Ekonomike dhe Banka për Biznes. Shuma e ofruar për shitje është 20 milionë euro në të drejtë të rritjes deri më 50 për qind të shumës së ofruar”, kishte thënë Murati.

Sipas tij, interesi vjetor do të jetë 1.2 për qind, ndërsa për 5 vjet është 2.2 për qind në vit. Shuma minimale për blerje është 10 mijë euro, kurse ajo maksimale për një person në një bankë është 500 mijë euro.

Emetimi i bonove të dedikuara diasporës, ka pohuar Murati, është parë edhe si instrument i cili e mobilizon kapitalin e diasporës që të investohet në projekte zhvillimore dhe jo vetëm të funksionojë si konsum. Ministri i Financave ka përmendur se do të vijojnë investimet për diasporën “si motor të zhvillimit ekonomik”.

“Përtej leverdisë, ky është parë si një instrument i cili e mobilizon kapitalin e diasporës tonë që të investohet në projekte zhvillimore, e jo vetëm të funksionojë si konsum për thellimin e deficitit tregtar. Ky është premtim që po e përmbushim. Do të angazhohemi që diasporën ta kem si motor të zhvillimit ekonomik. kjo nismë është diçka e veçantë. Bonot janë instrument i garantuar nga Republika e Kosovës”, ka theksuar ai.

Kujtojmë se i njëjti propozim ishte dhënë edhe nga ish-ministri i Financave në Qeverinë Mustafa, Avdullah Hoti.

“Këto letra me vlerë, do të sigurojnë mjete për qëllime specifike, siç janë subvencionet për bujqësi dhe për ndërmarrje të vogla. Përmes kësaj forme, diaspora mund të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe, gjithashtu, përfiton një normë interesi, që është më e lartë krahasuar me normën e interesit nga depozitimi i mjeteve në bankat në vendet ku janë diaspora apo në bankat në Kosovë”, kishte thënë Hoti.

Nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Europës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI