Muzikë

Me çifteli në dorë, Jurgeni nga Gjermania sjell remix, hitet botërore

Instrumentisti shqiptar, Jurgen Pecnikaj, me çifteli në dorë mahnit këngëtarët me famë botërore me remixet e tij

Jurgen Pecnikaj është instrumentisti shqiptar, i cili jeton dhe punon në Berlin të Gjermanisë.

Ai është një artist i talentuar dhe ushtrohet në instrumentin e çiftelisë, ndërkohë që përzgjedhja e tij muzikore është tërësisht e ndryshme nga ajo që jemi mësuar të dëgjojmë.

Prej pasionit të tij, ai është bërë mjaft i njohur për shumë yje ndërkombëtare, si Bebe Rexha, grupi muzikor “Black Eyed Peas” etj.

Jurgeni është një talent unik në tregun e muzikës, performon me çifteli remixet e hiteve që janë botërore, duke tërhequr vëmendjen e shumë këngëtarëve.

Ai tregon për Albinfo.ch. se është lindur dhe rritur në Tiranë dhe shkollimin për muzikë e përfundoi në vendlindje.

“Jam lindur dhe rritur në Tiranë. Që në fëmijëri kam studiuar violinë dhe piano në Liceun Artistik në Tiranë. Përveç Liceut Artistik, kam studiuar dhe Shkencat Kompjuterike & IT Programing, mirëpo këtë të fundit m’u desh ta ndërprisja për të ikur në Gjermani”, shprehet Jurgeni.

Vlen të theksohet se ka gati tre vjet që Jurgeni punon dhe vepron në shtetin gjerman. Përkundër vështirësive në ambimentimin e tij në këtë shtet, ai shprehet optimist me qëllime të qarta drejt punës dhe suksesit.

“Në Gjermani kam rreth 2 vjet e gjysmë që jetoj, sigurisht rrugëtimi ka vështirësi kur lëviz nga një vend në një vend tjetër, kulturat e ndryshme, gjuha, por të rëndësishme janë synimet dhe qëllimet që ia vë vetes dhe, pa dyshim se ia dal mbanë”, tregon ai.

Çiftelia, një rrugë suksesi për Jurgenin

Muzika për Jurgenin gjithherë ka qenë një pasion dhe kohët e fundit duket se po bëhet një profesion, që është unik në kohën moderne. Lidhja e tij me muzikën nuk është e rastësishme, pasiqë babi i tij është Lekë Pecnikaj, këngëtar i shquar në Ansamblin Shtetëror.

Çiftelinë e kam mësuar në moshë të re, rreth 15 vjeç, por vetëm në tre vjetët e fundit ushtroj vazhdimisht. Arsyeja se pse jam kaq i dhënë me muzikën, është nga familja ime. Jam rritur në një frymë muzikore, babai im është Lekë Pecnikaj, këngëtar në Ansamblin Shtetëror, i cili ia ka kushtuar gjithë jetën këngës shqipe”, bën të ditur ai.

Versioni me çifteli bëri goxha zhurmë, aq sa për njerëzit po duket tërheqëse dhe kjo pa dyshim se është një ruajtje e traditës si pasuri në vete.

“Sigurisht muzika me çifteli është një pasuri në vete, jo vetëm çiftelia, por dhe lahuta etj. Duke parë të rinjtë që nuk dëgjojnë edhe shumë muzikë popullore, u mundova të sjell një version tjetër për ta dhe më vjen mirë që u pëlqyen remixet e realizuara nga unë”.

Tërhoqi vëmendjen e Bebe Rexhës, Black Eyed Peas (Bep), Daddy Yankee

Jurgeni me rrymën e tij muzikore po ngjet ngadalë shkallët e suksesit në këtë zhanër. Para pak kohësh këngëtarja Bebe Rexha publikoi një video, ku Jurgeni kishte krijuar remixin e këngës “Say my name”. Ai ndiqet edhe nga artistë të njohur shqiptarë dhe krijimet e tij pëlqehen shumë nga të gjithë.

Se si e priti reagimin e Bebe Rexhës, Jurgeni tregon se u ndje shumë mire, mbi të gjitha kur vlerësohesh nga një artiste aq e madhe. “Pasi hodhi në story muzikën time, Bebe Rexha duke kërcyer me remixin tim, u ndjeva vërtet i vlerësuar”, tregon ai për albinfo.ch.

Po ashtu, një remix me çifteli i këngës Ritmo të Black Eyed Peas dhe J Balvin, i krijuar nga Jurgen Pecnikaj, është publikuar në Instastoryn e “Bep”.

Përveç kësaj, ai ka mahnitur një nga këngëtarët më të njohur, siç është Daddy Yankee, duke luajtur me çifteli këngën “Con Calma”.

Ka qenë vetë Daddy Yankee ai i cili e ka parë e dëgjuar këtë këngë, e më pas, teksa i ka bërë përshtypje, e ka shpërndarë edhe në Instagramin e tij.

Në këtë mënyrë Daddy Yankee u ka treguar fansave të tij në gjithë botën se sa shumë i ka pëlqyer ky version i këngës së tij, e luajtur nga një i ri shqiptar.

Ideja për këngët që i shndërron në një rrymë tjetër, Jurgeni shprehet se shumica e këngëtarëve suprizohen dhe e urojnë, “mbase nuk mendojnë se dikush mund të luajë dhe me çifteli dhe menjëherë e ndajnë me fansat e tyre”, tha ai.

Jurgeni bën të ditur për Albinfo.ch se do të ketë projekte të reja për verën 2021

“Besoj në qershor do të publikojmë një version akustik me këngëtaren Mimoza, e cila këndon dhe vepron në Amerikë. Më vjen mirë që çiftelinë do ta shohin edhe njerëzit anembanë botës”, përfundon ai. /Albinfo.ch


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI