Integrimi

Me “Elefantët në kopsht”, nga Prizreni në Bernë

Shkrimtarja me prejardhje nga Kosova, Meral Kureyshi së bashku me 3 autorë të tjerë është vlerësuar me vendin e dytë të çmimit më të madh letrar të Zvicrës për vitin 2015. Intervista është zhvilluar para se të ndahej çmimi

Ka ardhur në Zvicër me prindërit nga Kosova, nga Prizreni, në vitin e largët 1992, si vajzë 9 vjeçe. Atëbotë për vogëlushen delikate nga Ballkani, në Zvicër ishte gjithçka e re dhe e huaj. “Isha nxënësja e vetme e huaj në shkollën ku më kishin regjistruar. Dhe sigurisht, duke qenë një “dukuri” e re për rrethin, më kanë shikuar si diçka ekzotike. Por them se nuk kam qenë ndonjëherë e diskriminuar si e huaj”, thotë Meral Kureyshi, shkrimtarja nga Kosova me gjuhë amtare turqishten, e cila ka hyrë në mesin e pesë kandidatëve për të fituar çmimin më të rëndësishëm letrar të Zvicrës për vitin 2015. Romani i saj i parë “Elefanten in Garten” (Elefantët në kopsht) që është edhe vepra e saj e parë e botuar, është një befasi e dorës së parë në ambientin letrar të Zvicrës. Ndërsa nominimi i autores për çmimin e përmendur, e ka bërë Meralin shumë të kërkuar nga mediet zvicerane në gjuhën gjermane, të cilat me kureshtje kanë eksploruar këtë paraqitje të re në letërsinë e këtushme.

Duke shprehur keqardhje se nuk e zotëron shqipen, Meral Kureyshi e ka pritur me shumë kënaqësi lutjen për të dhënë intervistën e saj të parë për një medium në gjuhën shqipe, për albinfo.ch.

Albinfo.ch: Ju keni ardhur si vajzë 9 vjeçe në Zvicër, në një botë krejtësisht tjetër nga ajo e Kosovës apo e Prizrenit. Çfarë keni ndjerë atëbotë, a keni pasur ndjenjën se jeni e huaj dhe a keni ndjerë ndoshta diskriminim?

Meral Kureyshi: Ne ishim të vetmit “auslanderë” në shkollë dhe sigurisht ishte paksa e sikletshme të vije nga një mes tjetër dhe të mos e njihje gjuhën e rrethit. Kjo vetvetiu të izolonte. Pastaj, mbaj mend se prindërit e shoqeve të mia të klasës nuk kishin shumë dëshirë t`i lejonin ato të luanin me mua. Por me kohë raportet u shkrinë, u normalizuan dhe unë u bëra pjesë e shoqërisë, në klasë dhe në shkollë. Mirëpo dallimet sigurisht vazhdonin. Për shembull, kur shokët e mi të klasës ktheheshin nga pushimet që i bënin jashtë, sillnin me vete gjithfarë rrëfimesh interesante. Ndërsa ne që nuk kishim të drejtë e as mundësi të lëshonim Zvicrën, ndjeheshim keq. Kështu, unë me vëllanë tim detyroheshim të shpiknim rrëfime, të sajonim ngjarje interesante të paqena, që të jemi edhe ne pjesë e tërësisë.

Trillonim përralla me elefantë

Këtu e ka burimin edhe rrëfimi mbi “Elefantët në kopsht”?

Po, mund të thuhet kështu. Sara, protagonistja e romanit me këtë titull, është autorja e këtij rrëfimi. Unë pra u rrëfeja shoqeve se në qytetin prej nga vija, ne e kishim një kopsht të madh dhe aty kishim shumëçka, madje kishim edhe elefantë… Kjo na bënte mua dhe vëllanë që edhe ne të kishim çfarë të tregonim. Unë mendoj se nga një situatë e tillë specifike duhet të dalë diçka që dallon nga e zakonshmja. Por pastaj është tjetër punë se çfarë bën ti nga ajo, çfarë nxjerr ti nga një situatë e tillë. Te rasti im mund të thuhet se si rezultat i asaj situate është zhvilluar dhuntia për shkrim.

Sa e njihni dhe e bartni me vete frymën e Prizrenit, nga koha kur keni jetuar si e vogël atje?

Natyrisht, kam kujtime shumë të gjalla nga fëmijëria, nga një realitet që sigurisht ndryshon nga ai që e shoh kur e vizitoj tash Prizrenin. Atëbotë ka qenë një shkrirje në mes të gjuhëve dhe kulturave, turqishtja, shqipja, serbishtja. Secili e ka ditur gjuhën e tjetrit, gjegjësisht të gjithë i kanë njohur të tri gjuhët, sikur të ishin të tyret. Nëna ime për shembull, kur e pyesin për gjuhën e saj amtare, thotë: “turqishtja, shqipja dhe serbishtja”.

Prizreni vazhdon të jetë edhe më tutje i bukur. Gjithsesi, njeriu si fëmijë e bart me vete një realitet të bukur të cilin e idealizon në kokën e vet. Pastaj kur atë e sheh pas 13 vjetësh mungesë, siç më ka ndodhur mua, është e qartë se përjeton një dozë deziluzionimi.

“Sinqerisht, nuk dua të fitoj çmimin. Më mjafton nominimi!”

Nominimi juaj për çmimin letrar të Zvicrës thuhet të ketë ardhur i befasishëm. Pasi që ju keni një jetë të tërë që merreni me shkrime, sa i befasishëm ka qenë ai me të vërtet për ju?

Mund të them se me të vërtetë ka qenë diçka shumë e befasishme. Absolutisht nuk kam pritur se mund të ndodhë diç e tillë. E them këtë sinqerisht pasi që sivjet janë botuar kaq shumë libra të mirë në Zvicër. Kanë konkurruar 90 libra të ndryshëm, të gjithë të mirë dhe nuk kam pritur të jem në mesin e pesë të përzgjedhurve. Natyrisht nuk pres as që të jem fituese dhe madje, e them sinqerisht, as nuk e dëshiroj një gjë të tillë. Mendoj se unë kam fituar mjaft me vet faktin që kam hyrë në mesin e pesë më të mirëve. Kjo më mjafton. Me librin e parë, si rasti im, mendoj se nuk fitohet një çmim kaq i lartë. Të përkujtoj, unë deri te ky libër nuk kam botuar asgjë nga letërsia. Kam botuar vetëm ndonjë shkrim gazetaresk edhe pse kam krijuar vazhdimisht letërsi. Por për mua nuk ka rëndësi çmimi, me rëndësi është që njerëzit ta lexojnë librin. Shkrimi i romanit mi ka marrë 10 vite.

Ju keni ngritur një “Lyric Atelie ” (atelie e poezisë) në Bernë. Çfarë bëhet në këtë atelie?

Këtë atelie e vizitojnë të rinj, fëmijë e të rritur e të moshuar, të pasionuar pas letërsisë. Këtu flitet dhe punohet rreth teksteve, shkëmbejmë mendimet, gdhendim dhe përpunojmë përpjekjet letrare të atyre që ndjekin këtë “shkollë”. Ka këtu edhe nga të huajt e gjeneratës së dytë, edhe nga Ballkani. Me ta provojmë që shkrimet të cilat ata i kanë përpiluar në gjuhët e tyre amtare, t`i përkthejmë së bashku në gjuhën gjermane.

A mund të jetohet në Zvicër nga letërsia?

Në asnjë mënyrë, sidoqoftë jo në rastin tim. Puna nga e cila jetoj aktualisht është drejtimi i ateliesë sime të përmendur. Sigurisht, me afirmimin e kohëve të fundit janë shtuar leximet letrare dhe aktivitetet e ngjashme kështu që ka ngapak edhe stimuj materialë, por jo në masën që të jetosh nga to.

Nëse deri në botimin e romanit të ri do të prisni edhe 10 vjet të tjerë, atëherë perspektiva nuk duket shumë e ndritshme…

Jo, jo (qesh) romanin tjetër do ta botoj shumë më shpejt se të parin. Ai do të jetë i gatshëm së shpejti.

A keni qasje me Kosovën, si vend të lindjes? Apo, keni ndonjë ide se çfarë ndodh atje, sidomos në aspektin kulturor?

Po, patjetër kam qasje dhe kontakte për aq sa kam atje edhe pjesëtarë të familjes së gjerë dhe për aq sa e vizitoj Kosovën, rreth një herë në vit. Por, pasi që unë në Zvicër e kam familjen dhe të gjithë miqtë, nuk di sa mund të them se Kosova është atdheu im (në kuptimin `Heimat” që ka gjermanishtja) dhe sa mund të jetoja atje.

Megjithatë, sa u përket rrjedhave kulturore, mund të them se e kam një njohje solide. E përcjell me shumë kënaqësi festivalin e filmit “Dokufest” në Prizren, festival ky shumë i avancuar, të cilin e kam vizituar mjaft shpesh. Kam njohur atje shumë njerëz. Është një gjë e bukur që qyteti ngjallet nga kjo, që jeton me festivalin dhe është mbresëlënës fakti se sa shumë njerëz nga bota e njohin Prizrenin dhe Kosovën në saje të Dokufestit. Po ashtu kam një pasqyrë edhe sa i përket jetës kulturore në Prishtinë. Kam përshtypjen se në atë qytet gjithçka është në lëvizje, ndodhin gjëra të reja, ka mjaft gjallëri në jetën kulturore të atjeshme. Vijnë njerëz të rinj që i tërheq kultura dhe arti, hapin atelie dhe galeri të ndryshme kështu që gjithçka është kaq tërheqëse. Mjerisht nuk e njoh shqipen por shumica atje e dinë anglishten kështu që merremi vesh pa problem. Atje them se ndodhin aq shumë gjëra. Ndryshe është në Beograd, ku po ashtu ka shumë aktivitete artistike por aty ka një atmosferë pak më të zymtë, disi të topitur. Për ndryshim nga Prishtina ku kemi njëlloj zgjimi, shpërthimi kulturor…

“Jam fanse e madhe e Kadaresë”

Po mbi letërsinë shqiptare a keni ndonjë ide?

Patjetër. Madje mund të ju them se jam një fanse e madhe e Ismail Kadaresë. Ai është një shkrimtar i madh dhe mendoj se Kadare duhej ta fitonte çmimin Nobel (intervista është zhvilluar pikërisht më 8 tetor, ditën kur ky çmim iu nda shkrimtares bjelloruse Svjetllana Aleksejewitsch). Kadaresë jo vetëm që ia lexoj romanet por e kam parë dhe dëgjuar disa herë edhe atë personalisht në prezantimet e tij letrare në Zvicër. Herën e fundit ka qenë në Friburg, ku më ka lënë përshtypje të veçantë. Librat e tij i lexoj dhe i përjetoj më mirë në gjuhën frënge (të cilën e kam studiuar krahas gjermanishtes) se sa në atë gjermane.

Keni ardhur si e huaj në një moshë të re. A mund të thoni diçka për integrimin e të huajve në Zvicër: ka qenë atëherë më i vështirë apo është tash?

Mendoj se integrimi ka qenë, është dhe mbetet problem. E shoh shumë të rëndësishme që njeriu aty ku jeton të lidhet me realitetin, të mësojë gjuhën e vendit etj. Integrimi është edhe ballafaqim, pra ai ndodh kur ti je me dikë që nuk mendon njësoj si ti, që nuk flet njësoj si ti etj. Nga ana tjetër ka shumë njerëz (nga të huajt) që nuk e bëjnë këtë dhe mbeten vetëm brenda qarkut familjar dhe kulturor të tyre. Ky sigurisht nuk është integrim pasi që nuk ka ballafaqim në mes të të ndryshmeve.

A ju intereson politika?

Gjithsesi. Në fakt, marrja me politikë është një motiv plotësues për mua që më në fund të provoj ta marr pasaportën zvicerane. Mendoj se ka ndryshime që ndodhin në botë në dritën e lëvizjeve të reja migratore, fenomen që për mua është një luftë e tretë botërore edhe pse askush nuk e thotë këtë. Kjo dyndje e popujve do të reflektohet edhe në realitetet e shteteve të ndryshme dhe as Zvicra nuk mund të mbetet jashtë këtyre ndryshimeve. Për shembull Zvicra ka marrë deri tash vetëm 30 refugjatë drejtpërdrejt nga kampet siriane dhe kjo flet për një frikë që ekziston edhe këtu, në kuptimin: kur unë jam mirë, nuk dëshiroj të rrezikoj në drejtimin që gjendja ime të ndryshojë për të keq. Dhe kur ka frikë, nuk ka integrim.

 

“Jeta kulturore në Prishtinë, ka hov e gjallëri”

Kam një pasqyrë edhe sa i përket jetës kulturore në Prishtinë. Kam përshtypjen se në atë qytet gjithçka është në lëvizje, ndodhin gjëra të reja, ka mjaft gjallëri në jetën kulturore të atjeshme. Vijnë njerëz të rinj që i tërheq kultura dhe arti, hapin atelie dhe galeri të ndryshme kështu që gjithçka është kaq tërheqëse. Mjerisht nuk e njoh shqipen por shumica atje e dinë anglishten kështu që merremi vesh pa problem. Atje them se ndodhin aq shumë gjëra. Ndryshe është në Beograd, ku po ashtu ka shumë aktivitete artistike por aty ka një atmosferë pak më të zymtë, disi të topitur. Për ndryshim nga Prishtina ku kemi njëlloj zgjimi, shpërthimi kulturor…

Meral me tre autorë tjerë fiton çmimin e përbashkët, të dytë

Të dielën në Bazel, në kuadrin e Festivalit të Librit (Buchfestival) është bërë ndarja e çmimit për librin më të mirë te vitit në Zvicër. Ky çmim, më i larti që jepet në Zvicër për letërsi, i është ndarë autores Monique Schwitter për romanin e saj “Eins im Andern”. Çmimi lidhet me një shumë prej 30 mijë frangash.

Meral Kureysh ka ndarë çmimin e përbashkët, të dytë, me tre autorët tjerë të nominuar të rrethit të ngushtë. Në atë listë kanë qenë: romani “Elefanten im Garten” i Meral Kureysh “Verbeugung vor Spiegeln” i Martin R. Dean, “Das primäre Gefühl der Schuldlosigkeit” i Dana Grigorcea dhe “Wie wir älter werden” i Ruth Schweikert. Të katër autorët e zgjedhjes së ngushtë kanë fituar çmimin e dytë, në vlerë prej 2500 frangash. 

Nominimi i kosovares Meral Kureysh për çmimin më të lartë letrar të vendit ka qenë një befasi për opinionin e këtushëm letrar për faktin se romani i saj është vepra e parë letrare që ka botuar autorja deri tash.

 

Fotot: Matthias Günter