Zhvillim

Me mllef ju flas, me zjarr*

„Si mound të ndihmojm denisen?“ – pyeste polici shqiptar përderisa partneri i tij shkruante dënimin për shkeljen që i kishim bërë ligjit atë natë me veturë. Më erdhi keq ngaqë nuk e besoj dot që një 1000 denarësh që do ta zhvishte plotësisht nga çfarëdo lloj dinjiteti njerëzor, krenarie apo profesionalizmi (të cilën kushedi se a e kishte, po të marrim parasysh hallat, dajallarët, miqtë dhe familjarët që i ati është dashur të lusë, tundë e shkundë për të bërë të birin polic, me arsyetimin se polic të jesh është punë e mirë, e duke lënë të birin të pyetet deri në fund të jetës se ç’nënkuptonte i ati me „mirë“) do t’i shtojë ndonjë rehati afatgjate jetës së tij të trishtë, këtij shteti të trishtë, popullit tonë të trishtë. Turpi do të ishte i imi po të besoja. Më erdhi edhe keq kur azgani shpatullgjerë i babit dhe më i miri i mamit, me targa të Cyrihut, që sapo kishte ardhur në Atdhe ia bëri „Shkruje si t’moundesh! Din tej kush jem?“, të cilit polici duhej t’i jepte vëmendjen maksimale dhe ta pyeste aspak ironikisht së kush ishte, vetëm për të kuptuar nëse miku i tij ishte edhe miku i atit të tij, ai që e futi në punë, e po i njëjti që mund ta nxirrte nga aty. Më erdhi keq që shoku polic nuk dinte se kush ishte ai vetë: ai që i tremben, apo ai që e qeshin; ai që mbron, apo ai që vjedh. „Shkrirje dikotomish“ – mendova. S’kishte as edhe një orë që kisha arritur në Maqedoni e më mori aq pak kohë të rikujtohesha se erdha aty ku lindin dhe shkrihen dualitetet, ku e mira dhe e keqja, e sakta dhe gabimi, e bardha dhe e zeza, theksohen po aq sa edhe asgjësohen.

Duhej të takoja një shok në Shkup. „Vendtakimi“ – tha, – „te kali“. „Babi që duhej t’më sillte aty, pyeti: „Tek cili kalë?“ Qeshëm të dy. Kur arrita tek Leka m’u duk disi i çuditur, sikur donte të ikte që aty. S’kishte kah lëvizte prej luanëve. „Te Babi i Aleksandrit takohemi“ – tha Babi. „Po mamin ku e ka Aleksandri“ – pyeta veten. Femrat si mami i Aleksandrit dhe shumë të tjera, kishin dy funksione brenda Shkupit 2014: O të mbajnë çantën në krahë, o të lindin fëmijë dhe t’u japin gjinë. Pra femrat që ishin vetëm zbukurime përreth figurave mashkullore, të objektifikuara skajshmërisht, ishin vetëm roli mbështetës i burrave dhe bijve që kishin rritur. Jo që kjo s’mund të jetë e bukur, por ja që s’është vetëm kjo ajo që të mund të bëjë një femër. Kur kalova anën tjetër të lumit, pashë dy shqiptarë që ishin zënë ngaqë njëri i kishte sharë nënën tjetrit. Ky tjetri vazhdonte t’i shante nënën atij të parit. Ata që po i ndanin ua shanin nënat të dyve. „Shkrirje dikomotmish“ – mendova, – „po aq sa murëzim i tyre“.

Në Tetovë vizitova “Alba-s” – in. Pyeta për botimet më të fundit. Kishte kohë që nuk kisha rifreskuar përdorimin e ë-së tonë. Mendoj që ekziston një farë rreziku në përzgjedhjen e gjithmonë të jo komerciales dhe në barazimin e saj me jo konvencionalen, andaj mora Kandidatin e shumë përfolur të Ben Blushit. Një natë më herët, teksa dilnim vonë nga “Shend e Verë”, në qytetin e studentëve le t’i themi, lexova „Mesarnica“ diku në rrugë. Pa mos e kuptuar mirë edhe vetë, thashë se fjala „mishtore“ harmonizohej shumë me gjithçka në atë çast. Ndonëse për shkak se brenda natës, me miq kishim biseduar për shkallitjet e shumëllojshme që ndjenim të gjithë, pra intelektuale, shtetërore, kulturore, shpirtërore të shqiptarëve, të rinisë, të vullnetit. Andaj, kur hapa “Kandidatin” dhe lexova për kasapin e Blushit, qesha dhe për një çast të shkurtër kuptova se pse gjyshja ime besonte në besëtytni. „Shqiptarët kanë qejf t’i ushqejnë gratë me mish, sepse kështu, besojnë se, pjelloria e tyre rritet“ – thoshte Blushi. „Ah, prandaj kaq shumë mishtore“ -mendova.

Krahas “Kandidati” – t, mora edhe “Letër një Socialisti”, po ashtu shkruar nga Blushi. Nuk e kisha ndërmend, por ja që pashë kopertinën e cila në vend të një titulli dhe emrit të autorit siç rastis zakonisht, ishte e mbushur e tëra me fjalë dhe pikëpyetje. Ndjeva (apo konstruktova) piskëllimën e Blushit për t’u lexuar, për t’u parë, për t’u dëgjuar. U duk sikur nuk kishte mundur të priste faqen e parë të librit dhe kishte filluar nga kopertina, se përndryshe pëlciste. Aty diku ai pyeste: „A e di se Shqipëria po zvogëlohet?“ M’u duk i etur Blushi, i fkolluar po aq sa i ngopur. S’kishte se si t’ishte ndryshe. Edhe Blushi ishte shqiptar pra, përfaqësues dhe denoncues i dikotomive.

Të nesërmen takova shoqen. Më tha të shkojmë më mirë te lumi, aty pranë “Cufi”-t. Ndonëse gati tre vite kisha qëndruar në Tetovë, për herë të parë e pyeta veten se ç’kishte menduar ai që e kishte quajtur Cuf-in Cuf. „Kam sjellë një shoqe këtu më herët“ – më tha ajo, – „doja ta qetësoja, por kur pa mbeturinat që qëndronin në lumë që pas përmbytjeve, e zemërova ende më tepër“. Mbeturinat ishin ende aty. Në mos gabofsha ishin tri copa plastike apo të ndonjë materieje tjetër: e kuqe, e verdhë dhe e gjelbër. „Ironike“ – mendova, „semafori të shkelë ligjin“.

Tek sa kaloja gjyqin, madje bukur më herët se të arrija aty, jehonte zëri i një gruaje: „Sa-da-ka“. Ishte aq monotonik saqë për një moment m’u duk se dikush kishte lëshuar radio nga vetura, andaj edhe mendova me vete se asnjëherë s’do të ndaloj së habituri nga shija muzikore e disave. Është bërë e zakonshme të gjesh rrugëve tenda të mbushura me libra fetarë, mbulesa femrash, kësula haxhish dhe ligjërata apo këngë kushtuar Zot(it)(rave) e ku kërkohet e jepet lëmoshë. Ndonjëherë ne i flasim Zotit (atij, pra), ndonjëherë ai na flet neve (përmes nesh), nejse. S’isha gabuar edhe aq shumë, sidoqoftë. Sadaka-ja jehuese ishte e një gruaje në moshë që qëndronte ulur mbi një karton afër tendës së njërit prej zotërave. Asnjëherë më herët nuk e kisha shqiptarizuar sadakanë. Ketë radhë dëgjoja vetëm, „sa ka“, andaj më erdhi të pyesja: Kush ka, çka ka, sa ka, pse (e) ka, deri kur e ka, kujt ja ka marrë, kush ia ka dhënë, kur do ta kthejë, a do ta kthejë, kurrë s’do ta kthejë?! Mirëpo, duke parë gruan që kishte ngecur në mes të Zotit dhe gjyqit, e shpërfillur nga të dy instancat e drejtësisë fiktive, nuk e pyeta.

Në Ohër kërkoja perla. „Merhaba, bujrum“ – më thanë. Nga hutia e përnjëhershme pata një reagim automatik dhe fola maqedonisht. Duhej të ishte ngaqë të dyja janë të huaja për mua. M’u kujtuan rrëfimet e pleqve që shkonin kah Shqipëria për pushime të cilëve kur iu flitej në gjuhën letrare atje, përgjigjeshin me automatizëm në maqedonisht. „Ndoshta edhe shqipja ka qenë njëjtë e huaj për shqiptarët“ – mendova, dhe mendimi ishte aq i shëmtuar saqë më duhej ta gënjeja veten me diçka tjetër për të shpëtuar. U mendova për një çast se ç’ndikim mund të kishte Sulltan Sylejmani në përzgjedhjen e stolive që bënte pronari për shitoren e tij. Kisha dëgjuar se gratë në Maqedoni kërkonin tashmë stoli të stilit të këtij seriali, e në veçanti të Hürremit, gruas së Sulltanit (njëra ndër të shumtat, marrë nga haremi i virgjëreshave, po nejse, ç’rëndësi ka). „Kujt race qensh tjetër, përveç një race turke, mund t’i shijonte aq shume Akti i Pavarësisë së Shqipërisë“ – pyeste Blushi kur rrëfente se si qeni kangall i Fan Nolit kishte ngrënë dokumentin qelizë të Shqipërisë sovrane. „Një vend si Shqipëria nuk meriton të jetë i pavarur“ – thoshte Blushi. „Prej shiut, në breshër“ – mendova.

Pas një kohe, në njërin prej këndeve të shitores, vërejta një flamur të vogël shqiptar. Tek më dëgjoi se flisja shqip, „mund të folish shqip“ – tha pronari. M’u kujtua “Poçari” i Agollit dhe mendova se ndonëse pronari u fliste perlave në shqip. I besova që ishte shqiptar, themelues dhe shkatërrues i dikotomive, adhurues i vetes edhe i pushtuesit njëkohësisht. Nuk është ndonjë çudi e madhe. Kur Frantz Fanon shkroi “Lëkurë e Zezë”, “Maska të Bardha” dhe tentonte t’i hapte sytë Afrikës mbi historinë kolonialiste, shqiptarët s’kanë pse të jenë përjashtimi. Mirëpo, nuk është të qenit çështja, as edhe përgjigjja s’është çështja. Është të verbuarit ndaj të qenit çështja, pra: kush je, çka je, pse je, deri kur do të jesh, kush të tregoi se kush je, kur do të jesh, a je, a do të jesh, kurrë s’do të jesh, pse s’do t’ia dish?

U nisa për në Dibër. „Sa i vogël Skënderbeu!“ – thashë. Kisha ngecur në temën a hartimit me shkrim ku volla tërë kreativitetin fëmijëror, patriotizmin klasik e të trashëguar, urrejtjen me shumicë ndaj pushtuesve, naivitetin e një të riu, impresionizmin shekullor, romantizmin, melankolinë dhe hiperbolën tmerrësisht të tepruar, lirikën e gjakut dhe shqiptarizmit, simbolet që nga lulëkuqja e deri tek plisi, pasthirrmat e kreshnikëve të tipit „Heu„, „Ohu“, apo „E zeza“. Disa herë e pata lexuar në klasë dhe përpara familjarëve të mi. Më dukej se secili rritej disa centimetra sa herë që e dëgjonte, përfshirë veten time. Po të doja të shtoja edhe pak rritje a fryrje, mjaftonte një intonacion pak ma i dhimbshëm në atë pjesën ku shpjegoja se si Gjergji ngushëllonte një nënë Dibre për djalin qe kishte humbur në luftë. Ky ishte kulmi i emocionalitetit (ndonëse vdekja e Hürremit mund ta sfidonte).

M’u duk i vogël këtë radhë po ai Gjergj. „Aq ka qenë“ – më thanë, – „i vogël“. „Gjergji, i vogël?!“ – pyeta. „Jo de, përmendorja e tij. Ja, si shkurtabiq e kanë bërë“. Duke qenë se personalitetet e betonuara ka kohë që më duken çështje sekondare për popujt, nuk është që u shqetësova ashtu siç duhej të shqetësohej dikush që dikush ia kishte zvogëluar personazhin e hartimit historik. Kemi dhe na kanë zvogëluar shumë më shumë se buste dhe përmendore. Vetëm pak më poshtë pashë edhe dy buste të tjerë, atë të Josif Bagerit dhe Said Najdenit. „Veç për buste jemi“ – thashë dhe më erdhi turp nga vetja. Edhe unë isha shqiptare pra, krenare po aq sa e neveritur nga përmendoret: Pse aq te vogla, e pse kaq shumë?!

Përgjatë pushimit tim të shkurtër, një zonjë që më vendoste baltën shëruese, iu luta t’m’i linte duart jashtë që të mundja të lexoj në ndërkohë. „Mojr“ – tha. Kishte një shqipe të bukur dhe „mojr-a“ që i ngjante „mëjr-ës“ kërçovare si përnjëherë më shtoi simpatinë ndaj saj. Kur tretmani mbaroi, pa “Kandidatin” e Blushit dhe tha që edhe asaj i pëlqente të lexonte libra. E pyeta se çfarë librash i pëlqenin. „Histori dashurie“ – tha dhe përgjigjja do të ishte shumë e bukur, do t’i shkonte aq mirë fytyrës së saj të njomë e pa rrudha dhe duarve aq femërore (se dashuria u shkon të gjithëve fundja), po të mos shtonte – „se politika s’është për femra“. Shumë shpejt pas kësaj pyeti se ç’kisha studiuar. „Si t’i them shkencat politike“ – thashë me vete. Sigurisht do t’më ishte përgjigjur sërish me „mojr“ dhe do të kishte tentuar të modifikonte atë që më parë kishte thënë. Kështu të dyja do të kishim përfunduar në një situatë të pakëndshme që do të na e kishte bërë shumë të vështirë të takoheshim të nesërmen sërish. Ishte shumë e shkathët saqë si duket s’kishte durim t’më priste të thurja diçka që tingëllonte më bukur, andaj edhe vazhdoi t’më thoshte t’mos mërzitesha për vathët që mbaja atë ditë dhe se nëse ishin argjend mund lehtë të pastroheshin nga sulfuri i ujit. Shpëtova. „Mojr“ – i thashë.

Nuk e dija nëse zonja, të cilës i dukej vetja e papërshtatshme për politikë, e mendonte këtë për shkak se qëndronte për vlera të pasfidueshme morale dhe besimin e pakontestuar në imperativën kantiane për t’u përlyer më një ‘pisllëk’ të atillë si politika; për shkak se ndiente që nuk kishte kapacitetin e mjaftueshëm biologjikisht si grua, si një ultra-deterministe e bindur me traumë të vetë-flijimit, vetë-nënshtrimit dhe vetë-asgjësimit të cilin ia linte si trashëgimi familjare së bijës, në mos edhe mbesës, për të parë nëpër shekuj veten si qenie të shkallës së dytë; për shkak se zonja kishte vërejtur dinakërinë e saj të pakontrolluar dhe me shpresën për t’iu ngritur një bust mirësie karshi atij të Skënderbeut ndonjë ditë, kishte vendosur të qëndronte larg me etjen e një përbindëshi që robëron veten për të mos i bërë dëm njerëzimit („Ma kanë përdhunuar lirinë dhe tani e kam rrëmbyer dhe po e mbaj në shtëpi“ – do të thoshte Blushi); për shkak se zonja s’kishte pasur kohë të vërejë se Gruevski dhe kangallët e tij (pra, t’tonit) zëvendësonin netët intime të dhomës së gjumit me rënkime mbi pamundësinë për të paguar studimet e vajzave të tyre që s’duhej assesi të bëheshin shkencëtare politike; ose, për shkak se zonja kurrë ndonjëherë nuk e kishte menduar se pse ajo ishte e papërshtatshme për politikë.

Blushi do të kishte qeshur llahtarshëm nga e gjitha kjo katrahurë, ndërsa mua më erdhi keq që zonja nuk e dinte që ndonëse edhe mund të ishte një mikeshë e mirë e Blushit. Gratë (si kjo zonja, si unë) në Kandidatin e Blushit paraqiten si krijesa vetë-përcaktimi i së cilave varet thelbësisht nga njohja eksterne (që i bie të mos jetë vetë-përcaktim), sepse brendësinë e paskëshim boshe. Femrat sipas Blushit (si unë, si nëna ime) frymojnë përmes strategjive të brishta e dhelparake që i ndërtojnë për të zënë meshkujt në grep dhe të cilat përpos vetë grave, të gjithë burrat i kanë kristal të qarta (janë strategji vetë-gënjyese, të bëra nga gra të pa afta). Femrat (si ti, si nëna, motra jote), për Blushin, njëkohësisht janë shembulli klasik i politikës Makiaveliane për atë që duan të arrijnë, saqë mashtrojnë Simon Shuterin që ai të mashtronte popullin e që populli të votonte një të vdekur. „Gratë e njohin seksin vetëm në moshën e tretë, të tradhtisë. Kush nuk tradhton, nuk ka seks. Dhe grua pa seks, nuk mund të ketë“ – thote Blushi. Ajo që kishte ngelur pa ndodhur, ishte që Ollga Sedini dhe e ëma të ndizeshin të gjalla duke u denoncuar për magji në mes te bulevardeve dhe po s’patëm bulevarde, atëherë të digjeshin në majë te kalit të Aleksandrit apo Skendërbeut.

Por, Blushi nuk mund të mendonte kështu, sepse edhe Blushi duhej të kishte nënë. Ktheva pas librin dhe pashë fotografinë e tij më një përshkrim të shkurtër veprimtarie. Fotografinë që ai kishte përzgjedhur ishte bardhë e zi. Blushi dikotomik s’dukej rehat. Ai kishte gjysmën e fytyrës në hije dhe madje nuk shihte dot lexuesin e tij në sy. Syri i majtë që i dukej (socialisti pra), shikonte majtas (socialisht) dhe poshtë (dëshpërimisht). Blushi kishte marrë mbi supe cinizmin e një letrari dhe kishte shumëfishuar budallakun e një shoqërie për t’ia bërë eksplicite asaj, për ta nguacmuar atë, për ta zgjuar atë. Etimologjikisht fjala „cinik“ rrjedh nga greqishtja e vjetër dhe përmban fjalën „qen“ në vete. Besohet që cinikët e parë të Greqisë së lashtë të ishin quajtur qen për shkak të paturpësisë së tyre për të sfiduar normat konvencionale të kohës. Nëse lirika cinike e Blushit kishte për qëllim që të shqetësonte dikë, atëherë ia arriti qëllimit. Blushi e di mirë që shqetësimi i çfarëdo lloji, madje edhe cinizmi i çfarëdo lloji, është më mirë së një popull i heshtur, i vdekur pra. Andaj edhe Blushi kishte ‘lehur’ atëherë kur gjithë të tjerët kishin heshtur dhe heshtin. Blushi me mllef u kishte folur, me zjarr, Shqipërisë e shqiptarëve, neve.

„… [D]he mendova se shqiptarët ishin një popull me fat. Ata e kishin shpikur të parët ilaçin kundër mendimit“ – përfundon ai. Simon Shuteri shtrihet në plazh i vendosur që kurrë më të mos mendonte për shqiptarët. Atëherë i bie që Blushi të ishte vullnetarisht i pafat, sepse ai mendonte. Ndërkaq, ne mund të flasim sa të duam për dëshpërimin deri në qelizë që të merr frymën që nga fillimi e deri te përfundimi i romanit. Ne mund të diskutojmë për nuancat nihiliste që tundin çdo sistem vlerash dhe çorientojnë edhe atë pak që ndoshta e kemi ditur (ndoshta); për shijen narcisiste të autorit për t’u ndjerë i denjë për të gjeneralizuar një popull kaq lehtë e thjeshtë, i shoqëruar me supremacinë e të shkolluarit që manevron cinikisht me çështje që masat ndonëse as mund t’i kuptojnë; për mungesën e historive që na fryjnë, të tilla si ajo e Mic Sokolit, por Blushi qëndron pa u shfajësuar, sepse Blushi është i lodhur dhe i zemëruar. Megjithatë, Blushi nuk hesht, andaj Blushi ende beson.

Blushi s’ka pse, absolutisht, të jetë i kujdesshëm se sa dhe si të ishte i dëshpëruar. Blushit s’ka se pse t’i vijë keq pse libri i tij s’ka bërë dikë të lumtur, sepse Blushi s’është i lumtur kur lexon portalet tona të shkruajnë „Lum farmerkat për Kim Kardashian-in“; „Një vjehërr si Shyhrete Behluli“; „Si ta bëni një mashkull të çmendet pas jush“, apo „I takoni këtyre shenjave të horoskopit? Një ditë do të bëheni milionerë“. „E pse shkruan Blushi atëherë? Ç’arrin ai? Ç’bëri Blushi për atdhe?“ („Ku janë krenat qi kanë pre, librat shqip qi kanë botue? “ – do të pyeste Fishta). Ja librat shqip që Blushi boton dhe kjo, në vete, është një akt rebelimi, gjallërie, është një shenjë jete, një thirrje për të qenë ndaj atyre që bëjnë të pendohen edhe zotërat më fatalistë që mbase dikur krijuan fjalën „fat“. „Me pak fjalë, sa herë që nuk na ka pëlqyer e vërteta e fytyrës, ne ia kemi hedhur fajin pasqyrës. Ende këtu jemi. Jemi duke thyer pasqyrën për të mbrojtur fytyrën. Unë këtë nuk e pranoj. Dua që të detyroj fytyrën të shohë pasqyrën“ – thotë Blushi.

„Si mound të ndihmojm denisen?“ – pyeste polici shqiptar. Po, mund të ndihmojmë atëherë kur unë, ti, tezja apo daja që të futi në punë, miq dhe familjarë, ai miku yt që shkruan dënimin të cilin miku i shqiptarit shpatullgjerë do t’ia grisë para syve pa arritur në komisariat, shqiptarët dhe nënat e tyre të shara në anën tjetër të Vardarit (andej pra, jo këndej Lekës së Madh), Drinit a Shkumbinit, kasapët e mishit dhe të popullit, Cufianët dhe myshterinjtë që notojnë mbi mbeturinat e lumenjve të tharë, Zoti yt dhe i imi, Gjyqi yt dhe i imi, pronari shqiptar i shitores së perlave në Ohër a.k.a. Sulltan Sylejmani i Madhërishëm, busti shkurtabiq a gjigant i Gjergjit, Bagerit, Najdenit, Lekës, madje edhe ai i Justinianit, e kështu me radhë (të cilët ne i kemi vendosur e kushedi si u tunden eshtrat nën tokë), zonja e baltës dhe historive të dashurisë që s’do t’ia dijë për politikë dhe që s’dinë se dinë, Ollga Sedini dhe i ati i saj që u votua edhe i vdekur, këta ‘të vdekurit’ tanë që i ngjallim çdo katër vite së paku (pra bukuroshet e fjetura), madje edhe Blushi vetë, të detyrojmë fytyrën të shohë pasqyrën dhe të thyejmë ‘fatin’ e të mos menduarit. Vetëm atëherë do të mund të ndihmonim disi, shoku polic.

Haj, për t’mojr.

Burimi: http://panalbanica.net/
* Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion shprehin mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.