Kosova

Me “Një got’ për mot”, Rahoveci mbushet plot

Ky edicion sivjet filloi më herët se zakonisht, me qëllim që të merrnin pjesë edhe mërgimtarët.

Të rinj e të moshuar nga Kosova, diaspora dhe vende të tjera të botës, mbrëmë u bënë bashkë n’Konak të Rahovecit. Dhomat në hotele ishin rezervuar qysh në qershor e korrik, e organizatorët kishin përgatitur edhe tenda për të akomoduar numrin e madh të vizitorëve.

Nën moton “Një got’ për mot”, dje në Rahovec ka filluar Festivali i Vjeljes së Rrushit “Hardh Fest”, shkruan albinfo.ch, kurse mbrëmja është hapur me një koncert n’Konak, me artistë vendas e të huaj. Ky edicion sivjet filloi më herët se zakonisht, me qëllim që të merrnin pjesë edhe mërgimtarët që kanë ardhur për pushime në këtë kohë.

Artisti Elton Dema Shtavica, që tash e 17 vite jeton në Suedi, ka ardhur në Hardh Fest, por këtë herë si mysafir, e jo për të performuar, siç kishte bërë tri vite më parë. Edhe pse jeton larg, ai thotë se ndihet rahovecian, dhe është shprehur i lumtur që Hardh Fest-i sivjet po mbahet në muajin gusht.

“Është një ndjenjë e mrekullueshme që vendasit tanë mendojnë për ne, që edhe ne të diasporës të kemi mundësi ta shijojmë këtë festival”, ka thënë Eltoni. I pyetur se a do të vijë prapë në Hardh Fest, Eltoni ka thënë: “Deri sa ekzistoj unë dhe festivali, unë do të jem këtu.”

Këtë edicion të Hardh Festit, pos vizitorëve besnikë, pati edhe prej tyre që erdhën për herë të parë. Gazetarja Vjosa Çerkini, kishte marrë me vete edhe miq nga Gjermania.

© Albinfo.ch

“Ajo që më ka shtyrë të vij, ka qenë rekomandimet e miqve, por edhe kisha dëshirë ta shoh se si mbahet Hardh Fest-i mes vreshtave të Rahovecit, t’i shoh për së afërmi produktet që prodhohen në Kosovë, po në të njejtën kohë edhe muzika, që është pjesë e pandashme e jetës sime”, ka thënë Çerkini.

Megjithëse gjermanët njihen si adhurues të birrës, Armin Dausch nga Gjermania, kishte ardhur mbrëmë edhe për një arsye të veçantë: për të provuar verërat e Rahovecit. “Arsyeja pse jam këtu, është vera, dua të provoj sa më shumë verërëa të reja”, ka thënë Dausch. Ka shumë verërëa të mira në Kosovë, po më pëlqejnë, janë shumë cilësore.”

Artistët e famshëm, të mahnitur nga Rahoveci

Përpos disa vizitorëve, HardhFest-in dhe Rahovecin i vizituan për herë të parë edhe artistë të famshëm që performuan mbrëmë.

Grupi i njohur si legjenda e rock-ut shqiptar, “Tre musketjerët”, filluan me këngën “Zemra e një gruaje”, për të vazhduar më pas me hitet e tjera. Megjithëse kanë shëtitur e performuar në disa qytete të Kosovës, me Rahovecin u njohën për së afërmi mbrëmë, dhe ajo çka i ka mahnitur, sidomos Aleksandër Gjokën, është publiku në Hardh Fest.

“Për mua është hera e parë që vij në Rahovec, më ka befasuar. Më duket vetja sikur jam në ato festat që bëhen në Gjermani, në Francë e Angli, domethënë festat e birrës. Një publik i jashtëzakonshëm”, ka thënë Gjoka në një prononcim për albinfo.ch.

Tre musketjerët – © Albinfo.ch

Në mbrëmjen e parë të Hardh Fest-it performoi edhe grupi i rock-ut alternativ nga Hungaria, “The Moog”. Tonyo Szabo, nga ky bend, po ashtu është befasuar nga publiku rahovecas. “Jemi shumë të emocionuar sepse nuk kemi pritur që do të ketë kaq shumë njerëz”, ka thënë Szabo për albinfo.ch.

Megjithëse nuk kanë pasur mundësi të vizitojnë shume qytetin, ai është shprehur i kënaqur nga ajo që ka parë. “Nuk e kemi parë shumë, sepse po qëndrojmë në Prizren, por për aq sa e kemi vizituar, është shumë shumë i bukur”, ka thënë ai, teksa verërat e Rahovecit i ka quajtur të mrekullueshme.

“The Moog” kanë thënë se do të vinin përsëri në Kosovë, nëse ftohen për të performuar.

The Moog – © Albinfo.ch

Edicioni i sivjetmë, me më shumë vizitorë dhe risi

Qysh në mbrëmjen e parë, Hardh Fest-i ka mbledhur në konak vizitorë të shumtë, që sipas organizatorëve, i kanë kaluar edhe pritshmëritë e tyre. Mundësia për të provuar verëra, muzicientët shqiptarë dhe të huaj, aktivitetet e reja, e po ashtu pjesëmarrja e mërgimtarëve e kanë shtuar numrin e turistëve në Rahovec.

“Të gjitha parashikimet tona janë tejkaluar qysh në natën e parë të HardhFest-it, komuna na ka lejuar që ta mbajmë më herët për shkak të mërgimtarëve, dhe sonte festivali e ka pasur vizitueshmërinë më të mirë nga të gjitha vitet prej kur ekziston”, ka thënë Agron Sokoli, drejtor i bordit të Hardh Fest-it.

Ndër aktivitetet e reja që do të mbahet këtë edicion, është “Be Hardh Fest”, gjatë së cilit turistët do të kenë mundësi të mbjellin nga një hardhi rrushi dhe ta shkruajnë emrin e tyre. Risi do të jetë edhe aktiviteti Hardh Eks, një garë argëtuese për personat mbi moshën 23 vjeçare. Por më të veçantin, Sokoli e ka cilësuar Hardh Mini Maratonën, që po organizohet si fushatë vetëdijesuese për të mbledhur fonde për fëmijët me fibrozë cistike.

© Albinfo.ch

“Është aktiviteti më i mirë i Hardh Fest-it, është përkrahur shumë… Deri tash ka qenë përkrahja shumë e madhe, sepse shqiptarët janë njerëz humanë”, ka thënë Sokoli për albinfo.ch.

Këtë edicion, Sokoli ka thënë se Hardh Fest i ka dhënë më shumë hapësirë artisteve gra. Ndër artistët kryesorë që janë ftuar sivjet në HardhFest, janë Jehonë nga Kosova,  DJ Amer Doux nga Shqipëria dhe Ana Malo nga Maqedonia e Veriut.

Gjatë prononcimit për albinfo.ch, Sokoli ka njoftuar se synojnë që një festival të tillë ta organizojnë edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Njëherësh, ai ka bërë thirrje për biznesmenët që merren me hoteleri, ta rrisin numrin e dhomave, sepse është rritur numri i turistëve, të cilët pos Rahovecit, janë akomoduar edhe në qytetet përreth.

Edicioni i pestë i HardhFest-it do të vazhdojë edhe në dy ditët në vazhdim, me një sërë aktivitetesh. Përpos koncerteve që do të mbahen gjatë mbrëmjeve, ditët do të përcillen me vizita nëpër Rahovec, panairin e rrushit, verës dhe rakisë, aktivitete letrare dhe të tjera.

© Albinfo.ch