Maqedonia

Me vizitën e Cholet u riafirmua mbështetja e SHBA-së për Maqedoninë e Veriut

Duket se vizita në Shkup e këshilltarit të Departamentit të Shtetit, Derek Shole, vjen në një moment vendimtar për rajonin dhe Evropën. Ky është vlerësimi i djeshëm pas takimit të përbashkët të kryeministrit Dimitar Kovaçevski me Shole. Kryeministri beson se partneriteti ynë i fortë strategjik me SHBA-në ka një rëndësi të madhe në vitin e ardhshëm, i cili është i mbushur me sfida si këtu, ashtu edhe në nivel global. Përkundër faktit se Shole dhe Kovaçevski kanë biseduar për luftën kundër korrupsionit, në takimin në Qeveri nuk është përmendur “lista e zezë” e SHBA-së për sanksione, përcjell albinfo.ch.

Në takim u theksua mbështetja e madhe nga SHBA-ja në përparimin e mëtutjeshëm të Maqedonisë së Veriut dhe u vlerësua se miqësia tradicionale, e sinqertë dhe shumëvjeçare me SHBA-në ka rëndësi të madhe në zhvillimin e demokracisë, reformës dhe proceseve integruese në vend.

Gjithashtu u konstatua se partneriteti strategjik i Maqedonisë së Veriut me SHBA-në është një mbështetje e fortë për të gjitha proceset e rëndësishme për të ardhmen demokratike të vendit dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Në takim, Kovaçevski dhe Shole diskutuan për progresin që është bërë në vitet e kaluara në luftën kundër korrupsionit dhe sfidat e shtetit për arritjen e qëllimit të sundimit suprem të ligjit në nivel të BE-së si aspirant për anëtarësim në Union në vitin 2030.

Me këshilltarin Shole biseduan edhe për rrugën evropiane të shtetit, për rëndësinë e madhe të stabilitetit politik në vend dhe të zbatimit të të gjitha reformave, sjelljen e vendimeve të cilat do të thonë integrim i shtetit në BE dhe për ndryshimet kushtetuese.

Mes temave kyçe për të cilat biseduan me këshilltarin e DASH-it është edhe përballja me krizën ekonomike dhe energjetike gjatë sjelljes së të gjitha masave, megjithatë edhe gjatë sigurimit të tërë asaj që nevojitet për furnizim të papengueshëm me energji elektrike me qëllime të subvencionuara, për çka thotë, kemi ndihmë të madhe nga SHBA-ja dhe konkretisht nga z. Shole.

Lista për sanksione apo e ashtuquajtura “lista e zezë” nuk ishte temë e takimit. Ai në pyetjen e gazetarëve pas vizitës në kompaninë “Pekabesko”, sqaroi është aktivitet të cilin e zbaton SHBA-ja në suaza të Strategjisë së saj për luftë kundër korrupsionit të shpallur nga ana e presidentit amerikan, ku saktë janë cekur aktivitetet të cilat ndërmerren lidhur me sundimin e së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit në SHBA ashtu edhe në shtete të cilat janë partnere të saj, siç është edhe Maqedonia e Veriut.

Pas takimit u ra dakord për një takim të ri në pjesën e dialogut strategjik që Republika e Maqedonisë së Veriut ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili është paraparë të zhvillohet në gjysmën e parë të këtij viti 2023.

Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Shole, u prit dje në Qeveri dhe zhvilloi takim me kryeministrin Kovaçevski i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja e ngarkuar për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në profilin e tij në Fejsbuk në lidhje me takimin e djeshëm në Qeveri me Shole ka shkruar se projektet dhe aktivitetet në kuadër të Dialogut Strategjik janë bazë solide për forcimin dhe avancimin e mëtejmë të partneritetit strategjik të lidhjeve dypalëshe.

Këshilltari i sekretarit shtetëror të SHBA-së, Entoni Blinken, nga Shkupi shkon për Prishtinë në takime me përfaqësues qeveritarë, liderë politikë dhe përfaqësues nga shoqëria civile. Në fokus të bisedimeve do të jenë përpjekjet e SHBA-së që të ndihmojë në avancimin e integrimit kosovar dhe euroatlantik, duke përfshirë edhe përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja që të arrihet marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të fokusuara në njohjen e ndërsjellë.

Shole sot do të vazhdojë në Beograd, ku me udhëheqësinë e Qeverisë serbe do të bisedojë për sigurinë energjetike, integrimin ekonomik rajonal dhe progresin drejt qëllimit të Serbisë për qasje në BE. Ai, gjithashtu, do të bisedojë për rolin e Serbisë në përforcimin e paqes rajonale dhe sigurisë dhe angazhimit të saj të vazhdueshëm në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Qëllimi i vizitës së Shole në Ballkanin Perëndimor, siç ishte paralajmëruar më parë nga Departamenti i Shtetit, është të theksojë përkushtimin e përhershëm të SHBA-së për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor.

Ambasadorja e SHBA-së në vend, Anxhela Ageler, të hënën tha se SHBA-ja ka plan që t’i riafirmojë prioritetet e përbashkëta, siç është lufta kundër korrupsionit dhe se kjo do të mbetet prioritet për Uashingtonin dhe do të ngritë disa çështje gjatë vizitës së këshilltarit të Departamentit të Shtetit, Derek Shole.

Ageler theksoi se ky do të jetë vit shumë intensiv, ndërsa siç tha, këshilltari Shole me vizitën e tij do t’i konfirmojë angazhimet dhe mbështetjen e SHBA-së për Maqedoninë e Veriut.

Shole duhej të udhëtonte në Shkup muajin e kaluar, por vizita e tij ishte shtyrë për shkak të testit pozitiv në Covid.

“Më vjen keq që duhet të shtyj udhëtimin tim në Ballkan dhe në Bruksel për shkak të testit pozitiv për Kovid. Unë do të mbetem i angazhuar në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me rajonin e Ballkanit dhe mezi pres ta bëj udhëtimin në fillim të vitit të ardhshëm”, shkroi atëherë diplomati i lartë amerikan në profilin e tij zyrtar në Twiter.