Shqipëria

Mediat ndërkombëtare shkruajnë për Sali Berishën dhe familjen e tij

"Berisha ka qenë politikani dominues në Shqipëri për shumë vite. Nga 2005 deri në 2013, ai ishte kryeministër i vendit"

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka shpallur sot të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA, ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

Blinken është shprehur me anë të një postimi në Twitter se, aktet korruptive të ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha minuan demokracinë në Shqipëri.

Blinken ka shpallur publikisht Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, kjo ngjarje ka tërhequr edhe vëmendjen e medias ndërkombëtare:

Agjencia franceze e lajmeve, AFP

Ministri i Jashtëm amerikan, Antony Blinken e ka shpallur ish-udhëheqësin fajtor për “akte korrupsioni” të tilla si “përvetësim të fondeve publike” dhe “ndërhyrje në punët publike”, përfshirë “për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”.

“Retorika e tij tregon se ai është gati të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura dhe përpjekjeve antikorrupsion”, denoncoi sekretari i Shtetit në një deklaratë.

“Aplikimet për viza nga Sali Berisha, gruaja e tij ose dy fëmijët e tyre do të refuzohen”, tha kreu i diplomacisë amerikane, në bazë të një ligji që sanksionon zyrtarë të huaj të dyshuar për korrupsion të rëndësishëm ose shkelje të të drejtave të njeriut.

Agjencia e lajmeve ”Associated Press”

SHBA sanksionoi sot ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha, duke e ndaluar atë të hyjë në vend, pasi u akuzua për përfshirje në “korrupsion të rëndësishëm”.

Berisha, 76 vjeç, i cili ka qenë gjithashtu president në vitet 1990, tani është një deputet në Partinë Demokratike të opozitës.

“Ai ka qenë i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një deklaratë.

Berisha u akuzua gjithashtu për “përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe postet si zyrtarë publikë”, shtoi Blinken.

Gazeta gjermane ”Suddeutsche Zeitung”

SHBA ka ndaluar hyrjen në vend të ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe të afërmve të tij me akuzat për korrupsion, njoftoi sot Departamenti amerikan i Shtetit.

Si kryeministër i vendit, Berisha është përfshirë në korrupsion të rëndësishëm, sipas sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Berisha përvetësoi fondet publike dhe përdori fuqinë e tij për të pasuruar veten dhe ata përreth tij.

Edhe gruas dhe fëmijëve të Berishës gjithashtu u është mohuar hyrja në SHBA.

Berisha ka qenë politikani dominues në Shqipëri për shumë vite. Nga 2005 deri në 2013, ai ishte kryeministër i vendit.

Gjatë kësaj kohe, ai dhe shumë prej ministrave të tij janë përfshirë vazhdimisht në praktika dhe çështje të lidhura me korrupsionin.

Radioja gjermane ”Deutsche Welle”

Sali Berisha dhe familja e tij janë shpallur “non grata” nga SHBA.

Në një mesazh në Twitter, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shkruan se “Berisha dhe familja e tij janë shpallur zyrtarisht të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA dhe prandaj edhe ju ndalohet hyrja në vend”.

“Veprat e korrupsionit të ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri”.

Agjencia turke e lajmeve, Anadolu Agency

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është shpallur si person i papërshtatshëm për të hyrë në SHBA.

Vendimi është bërë publik nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, që në rrjetet sociale tha se “Veprimet korruptive të ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minuan demokracinë në Shqipëri”.

“Sot shpall publikisht Berishën dhe familjen e tij të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA. Ne qëndrojmë të bashkuar kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”.

Agjencia britanike e lajmeve, Reuters

Sali Berisha dhe familja e tij shpallen “non grata” nga SHBA.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ndaloi sot ish-presidentin dhe ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha dhe familjen të hyjnë në SHBA për shkak të “veprimeve korruptive” dhe abuzimit të pushtetit.

Blinken tha në një deklaratë se Berisha, si kryeministër në veçanti, ishte përfshirë në “veprime korruptive të tilla, si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij “.

Blinken tha në Twitter se “Berisha ka minuar demokracinë në Shqipëri”.