Kriza në Ukrainë

Medvedev vë në dyshim ekzistencën e Ukrainës në të ardhmen

"Dhe kush thotë se pas dy vitesh Ukraina do të vazhdojë të ekzistojë në hartën e botës? Por amerikanëve nuk u intereson..."

Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, dyshon për ekzistencën e Ukrainës në një të ardhme të afërt. Lajmin e bën të ditur agjencia ruse e lajmeve “Ria Novosti”.

“Dhe kush thotë se pas dy vjetësh Ukraina do të vazhdojë të ekzistojë në hartën e botës? Por amerikanëve nuk u intereson – ata janë aq të preokupuar në projektin ‘anti-rus’ sa nuk u intereson asgjë tjetër”, ka shkruar ai në Telegram, transmeton albinfo.ch.

Për më tepër, i besuari i Putinit dyshon se Ukraina mund të përmbushë detyrimet e saj ekonomike ndaj “zotërve jashtë shtetit”, gjegjësisht Shteteve të Bashkuara. Bëhet fjalë edhe për blerjen e gazit të lëngshëm për Ukrainën. “Pa gaz të lëngshëm perëndimor, Ukraina thjesht do të ngrijë”, ka thënë ai.

Medvedev ka publikuar postime të formuluara gjithnjë e më ashpër dhe mesazhe “nervoze” në rrjetet online që nga fillimi i operacionit ushtarak rus në Ukrainë më 24 shkurt dhe sanksionet pasuese perëndimore që u vendosën.

Nga viti 2008 deri në vitin 2012 ai ishte kreu i shtetit rus, periudhë kjo pas së cilës ai mori postin e kryeministrit deri në vitin 2020. Aktualisht është nënkryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. (afp/fis)