Lajme
Mentor Latifi: Jeta ime pasqyron rrugëtimin e diasporës kosovare në Zvicër
Mentor Latifi, ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër dhe Lihtenshtajn, e sheh rrugëtimin e tij personal si një pasqyrim të historisë së diasporës kosovare. Në një intervistë për “20 Minuten”, ai rrëfen për fëmijërinë në Prishtinë, rininë në kantonin Aargau dhe kthimin e tij si përfaqësues diplomatik në vendin ku dikur kishte ardhur si refugjat, transmeton albinfo.ch.
Latifi u lind në vitin 1974 në Prishtinë. Pas mbylljes së shkollave për shqiptarë, në vitin 1991 familja e tij u shpërngul në Zvicër. “Në Kosovë situata ishte e padurueshme. Ne patëm fat që u pritëm dhe morëm një shans këtu. Jam mirënjohës dhe këtë e ndajnë shumë bashkatdhetarë të mi,” thotë ai.
Në Oftringen dhe Zofingen ai ndoqi shkollën e mesme, ndërsa më vonë studioi administrim biznesi në Bazel. Babai i tij, ish-profesor universitar në Kosovë, u detyrua të punonte punë të ndryshme për të mbajtur familjen. Megjithatë, Latifi thekson se ata nuk e panë këtë si sakrificë, por si një mundësi.
Në vitin 2005, pavarësisht natyralizimit, ai vendosi të kthehej në Kosovë. Punoi në sektorin bankar dhe më pas për kompaninë farmaceutike zvicerane Roche në Ballkan. Në maj 2024 mori postin e ambasadorit në Bernë, duke e cilësuar këtë si “mbyllje të rrethit”: “Nisa në Zvicër si refugjat dhe u ktheva vite më vonë si ambasador.”
Ai vlerëson integrimin e kosovarëve në Zvicër, duke thënë se komuniteti ka kaluar nga stigmatizimi në pranimin e plotë. “Në vitet ’90 ishim delja e zezë në posterët e SVP-së, sot shumë kosovarë zviceranë janë më borgjezë sesa politikanët e SVP-së të asaj kohe,” thotë me humor Latifi, transmeton albinfo.ch.
Ambasadori përmend edhe rolin e sportistëve si Shaqiri, Xhaka, Behrami e të tjerë, të cilët sipas tij “kanë qenë ambasadorët e heshtur të diasporës, duke treguar se është e mundur të jesh njëkohësisht zviceran dhe kosovar.”
Si përfaqësues diplomatik, ai synon të forcojë lidhjet ekonomike mes dy vendeve dhe të ndihmojë në transferimin e njohurive, veçanërisht për sistemin dual të arsimit profesional, që ai e sheh si model për Kosovën.
Latifi do të qëndrojë në Zvicër deri në vitin 2028, pas së cilës planifikon t’i rikthehet Kosovës. “Gjithmonë duhet të dalësh nga zona e rehatisë. Këtë përvojë e kam pasur gjithmonë pozitive dhe po përpiqem ta përcjell edhe te fëmijët e mi,” thekson ai, transmeton albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Një ditë e bukur plot gëzim dhe kujtime të paharrueshme ...një shëtitje me karakter shkollor të nxënësve të disa shkollave shqipe dëshmoi edhe njëherë se organizimet... -
Ilirët sjellin shpirtin shqiptar në Festën e Ngjyrave në Aigle -
Dy motrat shqiptare që humbën jetën në aksident ishin nga Zvicra – flet babai i tyre -
Kthehet nga Gjermania, mërgimtari përballet me vjedhje në shtëpinë e tij -
Manifestim kulturor shqiptar në Bavari, nderohet figura e komandantit Bekim Berisha – “Abeja”
Jeta në Zvicër
-
Vullnetarë të shumtë po ndihmojnë në kërkimin e 5 vjeçarit shqiptar, në lumin Reuss Dardani, familjar: "Si familje, jemi të befasuar për të mirë nga numri i njerëzve që kanë... -
Escholzmatt, Lucern: Një grua gjendet e vdekur, i dyshuari është plagosur rëndë -
Fillon fushata e mbledhjes së nënshkrimeve për transport publik falas -
Ilirët sjellin shpirtin shqiptar në Festën e Ngjyrave në Aigle -
Zvicra planifikon batalion me dronë dhe robotë luftarakë deri në vitin 2028













