E-Diaspora

Mërgata shqiptare dhe partitë politike

A është organizimi i mërgatës shqiptare në parti politike shqiptare zgjidhja e duhur? Mendoj që jo! A ka alternativa të tjera më të mira ? Mendoj që po!

Mërgata shqiptare dhe jo diaspora, siç po e quajnë me lehtësi të pakuptueshme, shumë folës kur kanë për temë shqiptarët e migruar në të gjitha kontinentet, për arsye të ndryshme ekonomike dhe politike, e që edhe e para determinohet nga e dyta, nuk janë në gjendje të kuptojnë se ç`lajthitje i bëjnë së vërtetës që në bërthamë të trajtimit të temës.

Por, kësaj radhe nuk është për temë trajtimi dallimi mes nocionit mërgatë dhe diasporë. Sido që të quhet, e sido që të shkruhet dhe thuhet për të, ajo në esencë mbetet adresa plotësuese dhe shpresëdhënëse për mbijetesë, për gjallërim, për ngritje dhe fitore.

Gjatë historisë së ekzistencës kulminante të tyre, në të kaluarën e paraluftës çlirimtare, por edhe në fillet e rindërtimit dhe ringritjes së shtetit të Kosovës, ato kanë arsyetuar ekzistimin e tyre. Puna që kanë bërë për të avancuar drejt shtetbërjes, edhe pse duke çaluar dhe polarizuar tejmase, ka qenë jo vetëm e domosdoshme, por më se e nevojshme.

Por kohët patën ndryshuar dhe shqiptarët e angazhuar në parti politike, të zëshëm dhe me kritika ndaj politikbërjes në qendër, u panë si pjesë problematike dhe jo si pjesë që ndihmon në zgjidhje të problemeve të shumta që ka Kosova.

Viteve të fundit, sidomos ai që e lamë pas, dhe ky që i kemi ardhur deri në gjysmë, në arenën politike të mërgatës shqiptare me epiqendër Zvicrën dhe Gjermaninë, parti politike nga Kosova kanë shtrirë angazhimin dhe ndikimin e tyre duke rithemeluar e themeluar nëndegë e degë të partive të tyre.

Të gjendur në situatë të vështirë të politike, ato shpresën për një fije rimëkëmbje dhe „rimbushje“ e kanë shndërruar në sistem të tyre plotësues politik.

Partitë politike me qendër në Kosovë, si LDK, PDK dhe AAK, pasi që e panë votën e mërgatës shqiptare që determinon edhe ndërrime pushtetesh, kur me të madhe kjo votë në zgjedhjet e parafundit parlamentare shkoi në favor të VV-së, i ke në vlugun e punës, ku më të zëshëm e ku më të heshtur, për të ngritur dhe ringritur bazat e tyre politike në mërgatë, e që një kohë vetë i zbehën, i mbyllën dhe i shuan.

Kjo vlen për të gjitha partitë politike shqiptare në mërgatë dhe mërgatë nuk ka vetëm Zvicra dhe Gjermania, por ajo është e shtrirë në secilin qytet të Europës dhe pothuajse në secilin shtet të SHBA-së, në Kanada, Australi e Azi. Ajo është e shtrirë gjithandej.

Lidhja me vendlindjen nuk bëhet vetëm përmes librezave partiake. Lidhja me vendlindjen, lidhja me vendin e prejardhjes nuk bëhet vetëm përmes partive politike. Ka dhjetëra mundësi, me angazhime serioze për të qenë më afër vendlindjes, për të qenë më afër vendit të prejardhjes.

Gjenerata e dytë dhe sidomos kjo e treta që po vjen me të madhe, nuk kalkulojnë asgjë me kutin e kultit të personalitetit (politik). Ata kalkulojnë ndryshe nga paraardhësit e tyre.

Ata vlerësojnë rezultatet, dhe jo miqësitë. Ata vlerësojnë sukseset, pa debulesa. Ata vlerësojnë punën dhe jo mitin! Ata të flakin në momentin që t`i i flak interesat e tyre. Këta i ke gjithandej ku rezultatet kanë vulën e tyre.

Partitë politike shqiptare të Kosovës; të majtë e të djathtë, të qendrës a të përzier, do të ishte mirë që mërgatën të mos e shikojnë si benefit që sjell ngritje të përqindjes së votave në zgjedhje, por si benefit të zhvillimit të vendlindjes, respektivisht vendit të prejardhjes.

A është organizimi i mërgatës shqiptare në parti politike shqiptare zgjidhja e duhur? Mendoj që jo! A ka alternativa të tjera më të mira ? Mendoj që po!

Dhe, pikërisht në mungesë të alternativave të tjera më dobiprurëse, kanë dështuar radhazi pushtetet e deridjeshme dhe, më mirë nuk po duket se do të jetë as me këta të sotmit. Aty ku libreza partiake ka më shumë “pushtet dhe vlerë” se sa që ka vlera e pushtetit të trurit të  shqiptarit të mërguar, dështimi është rezultati i fundit.

 

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI