Kultura

Mërgimja, vajza prapa sfilatave të modës

Vajza me origjinë nga Klina, Mërgime Millaku në intervistë për albinfo.ch na tregon për sukseset e saj si dizajnere, për trendët e modës në Zvicër, për atë se sa modernë janë bashkatdhetarët tanë në veshje etj.

 

Babai i saj kishte migruar prej vitesh në Zvicër. Ai kishte një parandjenjë që shumë shpejt këtë rrugë do ta ndjekë edhe vajza e tij e sapolindur. Për këtë, ai vajzën e tij e pagëzoi me emrin Mërgime. Që në moshën njëvjeçare Mërgime Millaku iu bashkëngjit të atit në Zvicër, nga ku vazhdon të jetojë me familjen e saj. Mërgimja jo vetëm që u integrua suksesshëm në shoqërinë zvicerane, por ajo është bërë mjaft e njohur me kreacionet e saj si dizajnere e modës në këtë shtet. Vajza me origjinë nga Klina, në intervistë për albinfo.ch na tregon për sukseset e saj si dizajnere, por edhe përcjelljen e modës në Zvicër.

albinfo.ch: Për ata që kanë më pak njohuri rreth aktiviteteve tuaja, cilat janë sukseset tuaja të deritashme si dizajnere?

Mërgime Millaku: Përgjatë shkollimit si dhe pas përfundimit, kam pasur herë pas here prezantime të ndryshme të koleksionit tim duke angazhuar edhe modele të ndryshme, ndër to  edhe motrën time, të cilës ia kisha qepur një fustan nusërie më të cilin fustan ajo e kurorëzoi martesën e saj.
Thuajse të gjitha sfilatat i kam pasur në Cyrih dhe Bazel. Së fundmi, tani para një muaj kisha rastin të përzgjidhem ndër shumë dizajnere nga shkolla e dizajnit në Cyrih ku edhe e kam përfunduar shkollën. Më është bërë e mundur që t`i prezantoj punimet e mia në këtë “Showroom” duke e pasur privilegjin që të gjitha punimet t`i shes tek klientët të cilëve iu pëlqejnë qepjet dhe modelet e mia.
Po ashtu vlen të përmendet që për muajin gusht të vitit 2015 në revistën e njohur ndërkombëtare për dizajn, kulturë, muzike dhe art “Superior-Magazine“ jam prezantuar si asistente me një koleksion të disa punimeve.

Pse e zgjodhët këtë profesion?

E kujtoj veten që kur isha pesë vjeçare dhe i kërkoja nënës sime gjilpëra kur i preja rrobat e mia dhe i qepja kukullave fustane sipas shijes sime.
Pastaj edhe në shkollë, në lëndën punëdore, kam qenë nxënësja më e zellshme dhe më e suksesshmja ngase veç kisha njohuri të qepjes. Përkrahjen e parë e kam pasur natyrisht nga nëna ime, e sidomos nga mësuesja ime e cila e patë organizuar për mua në atë kohë një „modeshow“ me kreacionet e mia ku patën marrë pjesë edhe nxënës tjerë. Që atëherë e kam kuptuar se ky do të jetë profesioni im i të ardhmes. Më pëlqen kur nga një material të papërpunuar të krijoj në mënyrën time, artin tim dhe ta gëzoj një person, i cili e vesh punimin tim. Mendoj që këtë profesion e kam paksa të trashëguar  edhe nga gjyshja ime (nga ana e nënës).

Me çfarë po merreni aktualisht?

Pas përfundimit të shkollës profesionale të dizajnit në Cyrih, nga ku mora edhe shumë përvoja të ndryshme dhe vizitova vende dhe shkolla të shumta nëpër botë, për t`u relaksuar pak dhe për të fituar edhe përvoja në fusha të tjera, vendosa të punojë me disa firma të njohura që merren me kualitete të larta të materialeve, stofrave etj. Aktualisht krahas disa aktiviteteve (si këshilltare e modës, valltare) punoj si stiliste dhe këshilltare e modës në filialin e firmës së njohur franceze të rrobave “The Kooples“ në Bazel.

Si është të merresh me dizajn në Zvicër?

Duke e njohur mentalitetin minimal dhe të thjeshtësisë zvicerane, është pak e vështirë të krijosh atë modë çfarë ata dëshirojnë. Këtu njerëzit vishen në mënyrë më praktike, duke i dhënë rëndësi më shumë aktiviteteve tjera sesa botës së modës.

Çfarë dizajnesh bëni? A bëni edhe për meshkuj?

Krijimet e mia janë të veçanta dhe ekstravagante. Praktikoj stilin feminist dhe për momentin krijoj vetëm për botën femërore. Stili im i veçantë është punimi „Haute Couture”.  Në të ardhmen mendoj që të bëj kreacione edhe për meshkuj. Mendoj se për meshkuj ka nevojë për brende të reja.

Ku mund të gjenden kreacionet tuaja?

Në atelienë time ne Bazel. Shumë shpejt do ta hap edhe një butik dhe do ta kombinoj me një Atelier të dytë, në të cilën klientët do të kenë mundësi të bëjnë  ndryshime në veshjet e mëparshme ose të dizajnoj veshje të veçanta për atë person.

Çfarë mendimi keni, si vishen shqiptarët në Zvicër?

Mendoj se gjeneratat e reja, ose më mirë të them, diversiteti kulturor e multikulturor ka bërë që Zvicra të ngjyroset më mirë. Bashkëkombësit tanë, mendoj që kanë shije të veçantë në të veshur, kjo gjë shihet në blerjet e shumta nëpër dyqane si dhe kombinimet në të veshur i kanë më stil.

Përveç modelimit dhe dizajnit, merreni edhe me vallëzim?

Modelimi është pasion imi ashtu siç është edhe vallëzimi. Jam trajnere e vallëzimit të belly dance ku ushtroj herë pas here grupe të ndryshme duke performuar po ashtu. Të kuptohemi, përkushtimin më të madh e kam për profesionin tim, për të cilin dua që energjinë time ta shfrytëzoj deri në maksimum.

A keni ndonjë dizajner nga ku inspiroheni?

Elie Saab është idoli im më i madh. Më pëlqen edhe Karl Lagerfeld, i cilli është dizajner i shumë brendeve të njohura, prej tyre ma e famshmja “Channel”. Më bën përshtypje ngase me punimet e veta tregon se sa kreativ është duke krijuar shumë stile dhe labela të ndryshëm.

Në Kosovë a mendoni t’i prezantoni ndonjëherë kreacionet tuaja?

Po, është dëshirë e madhe imja, krijimet e mia një ditë t`i prezantoj edhe në Kosovë, në vendin ku mendoj që ka shumë talent në këtë fushë dhe ka mjaft ide për krijime të ndryshme.

Cilat do të jenë planet tuaja për këtë vit?

Kam shumë plane dhe kërkesa për bashkëpunime me agjenci të ndryshme që kanë treguar interesim për krijimet e mia. Shpresoj që të më realizohen dhe të kem shumë sukses.

Zviceranët preferojnë veshjet praktike
Duke e njohur mentalitetin minimal dhe të thjeshtësisë zvicerane, është pak e vështirë të krijosh atë modë çfarë ata dëshirojnë. Këtu njerëzit vishen në mënyrë më praktike, duke i dhënë rëndësi më shumë aktiviteteve tjera sesa botës së modës.

Në të ardhmen, edhe kreacione për meshkuj
Krijimet e mia janë të veçanta dhe ekstravagante. Praktikoj stilin feminist dhe për momentin krijoj vetëm për botën femërore. Stili im i veçantë është moda „Haute Couture”. Në të ardhmen mendoj që të bëj kreacione edhe për meshkuj. Mendoj se për meshkuj ka nevojë për brende të reja.