Zhvillim

Mërgimtarët mbajnë gjallë kompanitë Rent a Car në Kosovë

Çmimet e veturave Rent a Car në Kosovë fillojnë nga 25 deri në 30 euro për vetura ekonomike dhe deri në 250 euro për ato luksoze

Qiradhënie e makinave Rent a Car ka marrë hov të madh kohëve të fundit duke bërë që të rritet edhe numri i kompanive që e ofrojnë këtë shërbim edhe në Kosovë.

Në vend operojnë disa kompani që janë të njohura ekskluzivisht për shërbimin e makinave me qira “Rent a Car”, por ka edhe agjenci të vogla me numër të kufizuar automjetesh që ofrojnë të njëjtin shërbim. Vetëm në Aeroportin e Prishtinës operojnë 11 kompani „Rent a Car” që kanë zyrat e tyre edhe në Prishtinë.

Duke i përfshirë edhe qytetet tjera të Kosovës llogariten të jenë gjithsej mbi 50 kompani që merren me qiradhënie të veturave.

„Rent a Car” edhe nëse nuk je shofer

Kompanitë kosovare ofrojnë shërbimin e shoferëve të tyre me  pagesë ekstra sipas kushteve që ka secila prej tyre.

Vetura jepet për një afat kohor 24 orë dhe llogaritet si një ditë. Në rastet kur kemi të bëjmë me mos kthim të makinës në orën e kërkuar, kompanitë aplikojnë pagesë ekstra. Zakonisht ora e parë vonesë tolerohet, ndërsa më pas fillon aplikimi i çmimit sipas kushteve që kanë kompanitë.

Çmimi është treguesi kryesor në të cilin përqendrohen qiramarrësit. Sa më e gjatë periudha e qiramarrjes aq më i lirë është çmimi ditor i qirasë. Kështu për shembull, nëse një makinë e vogël kushton 35 euro për një ditë, atë mund ta marrësh me çmim deri në 45 për qind më lirë nëse bëhet fjalë për një muaj.

Capture d’écran 2015-08-05 à 09.09.48

Për secilin klient zgjidhje e përshtatshme

Çmimet e veturave Rent a Car në Kosovë fillojnë nga 25 deri në 30 euro për vetura ekonomike dhe deri në 250 euro për ato luksoze, për një ditë, varësisht nga kohëzgjatja e huazimit dhe periudha e vitit kur ajo huazohet.

Kompania Brovina e themeluar nga Arben Brovina me seli në Prishtinë përfaqëson kompaninë ndërkombëtare „HERTZ International” në Republikën e Kosovës.

„Hertz Kosova” në flotën e saj përmban vetura nga më të ndryshmet, duke ofruar për secilin klient një zgjidhje të përshtatshme, nga veturat më të vogla ekonomike, ato të mesme e deri ne vetura me te mëdha te kategorisë xhip, por edhe kombi me 9 ulëse”, thotë Arben Brovina për albinfo.ch.

Të gjitha veturat në flotën e „Hertz Kosova” janë te reja, në përputhje me standardet e Hertz International për vetura të reja dhe të sigurta për secilin klient.

Hertz Kosova operon me dy zyre të saj, një në Prishtinë me lokacion në Grand Hotel Prishtina dhe tjetra në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”.

Në Hertz Kosova vijnë kryesisht klientë nga diaspora kosovare, e cila jeton gjithandej  botës, por myshterinjtë më të rregullt janë ata që vijnë nga Zvicra dhe shtetet skandinave.

„Numri i qytetarëve nga  diaspora që huazojnë vetura është në rritje e sipër, me një rritje mesatare prej 20 -25% në vit që nga viti 2011.  Shpresojmë që ky trend të vazhdojë me këtë ritëm, sepse me rritjen e numrit të klientëve na mundësohet që shërbimet tona t’i rrisim në nivele edhe më të larta dhe me çmime edhe më të arsyeshme”, thotë shefi i Hertz International në Kosovë, Arben Brovina.

Ofertat në Hertz dallojnë nga kohëzgjatja e huazimit të veturës dhe kategoria e veturës e cila huazohet.

Capture d’écran 2015-08-05 à 09.09.37

„Rent a Car” për vikend,  më i lirë se taxi vajtje-ardhje në Aeroport

„Huazimet për vikend (nga e premtja deri të hënën) bëhen me një çmim i cili do të ishte i pranueshëm nga klientët: Jemi bazuar në atë që kostoja e huazimit për këtë periudhë për një veturë ekonomike të mos tejkalojë koston e pagesës që secili do ta bënte për shërbime taxi vetëm vajtje-ardhje nga Aeroporti i Prishtinës e deri në shtëpitë e tyre”, thotë Brovina.

Varësisht prej periudhës se vitit, edhe huazimet ndryshojnë për nga kohëzgjatja dhe kërkesa për kategori të veturave. Për shembull gjatë verës apo para festave të vitit të ri, për arsye të udhëtimit të familjeve të tëra të mërgimtarëve në Kosove kërkohen vetura më të mëdha se ato ekonomike, kurse për periudhën tjetër kërkesa është më e madhe për vetura ekonomike dhe te mesme.

Më shumë fluturime në Aeroportin e Prishtinës, shpeshtohen vizitat e mërgimtarëve

Puna e kompanive të përfshira në aktivitetin e dhënies me qira të veturave është e rëndësishme dhe shumë e ndërlidhur edhe me punën e aviokompanive që operojnë në Kosovë.

„Shpresojmë se do të ketë rritje të numrit të fluturimeve nga ai ekzistues dhe shtim të operimit të kompanive të reja gjatë gjithë vitit në ANP “Adem Jashari” me çka jemi të bindur se edhe numri i udhëtarëve që udhëtojnë për Kosove do të rritet. Nga kjo shpresoj se diaspora do të përfitoje me zbritjen e çmimit të biletave të udhëtimit dhe po ashtu jemi po aq të sigurt se diaspora do t’i shpeshtojë vizitat e tyre për atdhe”, thekson Brovina.

Capture d’écran 2015-08-05 à 09.09.21

Rent a Car në Kosovë më i shtrenjtë se në Shqipëri dhe Maqedoni

Çmimet e shërbimeve janë përafërsisht të njëjta apo ndoshta nganjëherë edhe rreth 10% më të larta se çmimet në Shqipëri dhe Maqedoni

„Në Kosovë kemi kosto më të lartë të investimit,  të blerjes së veturave, kjo kosto tek ne është me e shtrenjtë përafërsisht 20% në krahasim me Maqedoninë ose Shqipërinë. Po ashtu edhe kostoja e operimit në Aeroportin e Prishtinës është për 3 herë me e lartë se ajo në Shkup dhe për 6 herë me e lartë se ajo në Tiranë, prandaj edhe çmimet e shërbimeve tona janë më të shtrenjta në krahasim me Shqipërinë dhe Maqedoninë”, sqaron Brovina.

Konkurrenca vjen nga Maqedonia

Konkurrenca vjen nga Maqedonia dhe ajo konkurrencë është në rritje e sipër. Kjo ndodh për të vetmen arsye se atje operojnë më shumë kompani ajrore me çmime shumë më të leverdishme prandaj edhe shumica e klientëve zgjedhin Maqedoninë, si destinacion të fluturimit për udhëtimin e tyre në Kosovë. Kjo gjë sidomos vërehet shumë te klientët që vine nga shtetet skandinave.

Si mund të marrim një veturë Rent a Car?

Për të marrë një automjet me qira çdo klient duhet të paraqesë: Patentë; pasaportë ose kartë identiteti; pagesën e qirasë, e cila është paradhënie, me para në dorë ose me kartë.

Keni kujdes !

Çdo qytetar duhet të plotësojë kushtet e dokumentacionit dhe pagesës. Automjeti duhet të përdoret nga klientët sikur të ishte i tyre. Çdo klient duhet të respektojë rregullat e trafikut kudo që ndodhet brenda apo jashtë Kosovës. Në rast aksidenti duhet lajmëruar menjëherë policinë.

Po nëse ndodh aksidenti, kush e paguan dëmin?

Në raste aksidenti aplikohen direkt rregullat e kompanisë së sigurimit të automjeteve, të cilat u shpjegohen klienteve në momentin që marrin automjetin. Nëse, sipas raportit të policisë, klienti nuk është fajtor, ai nuk paguan për dëmet. Nëse, sipas raportit të policisë, klienti është fajtor, ai paguan 10 % të vlerës së dëmit.

Këshilla:

Merr një makinë me madhësi sipas nevojave. Nëse ke për të udhëtuar me familjen nuk të bën punë një makinë e vogël.

Kontrollo nëse makina ka dëmtime si dhe funksionalitetin e xhamave, kondicionerit, pasqyrave, CD, radio, fshirëset e xhamave, etj. (Këtë e bëjnë edhe punonjësit e kompanisë por nuk është i tepërt edhe kontrolli juaj).

Interesohu se kush i paguan dëmet në rast aksidenti. (Shumica e makinave kanë siguracion kasko por kjo s`do të thotë të jesh i pakujdesshëm).

Nëse po udhëton jashtë shtetit, interesohu që kompania ka degë në vendin ku do të udhëtosh. Mos u nis pa marrë me vete numrat e kontaktit, nëse do të dalë nevoja për servis jashtë.
Nëse po nisesh për në vende me rrezik bore, kontrollo gomat dhe zinxhirët që të përputhen. Në shumicën e rasteve nuk i kanë kontrolluar më parë.

Kontrollo nivelin e karburantit dhe sigurohu që ta dorëzosh në nivelin që e more. Nëse është më pak, do të paguani karburantin me një çmim disi më të shtrenjtë se tregu.
Dorëzoje makinën në kohë, kompania toleron një orë apo pak më tepër por s`mund t`ju presë për gjysmë dite dhe orët shtesë mbi kohën e qerasë paguhen ekstra.
Kujdesuni që të mos harroni gjëra personale apo mjete të tjera të ngjashme në makinë para se ta dorëzoni. Rënia në duart e dikujt tjetër të një USB-je me fotografi të bëra gjatë udhëtimi për shembull, nuk është një gjë e pëlqyeshme.

Lexoni me kujdes kushtet, aty mund të ketë pika të cilat nëse nuk i vëreni mund t’iu kushtojnë më shumë para në fund.

Si merret makina me qira?

Paraqiten dokumentet (Pasaportë / Karte ID dhe Patentë)
Bëhet Pagesa (Cash ose Kartë Krediti / Debiti)

Në Rent a Car përfshihet :

Përdorimi i veturës (Kosovë dhe jashtë)
Sigurimi i plotë (TPL dhe Kasko)

Në Rent a Car nuk përfshihen:

Karburanti
Gjobat
Kartoni i gjelbër