Kosova

Mërgimtarët nga Zvicra dërgojnë 150 dhurata për fëmijët me aftësi të kufizuara

Bashkatdhetarët nga Zvicra kanë dërguar 150 dhurata për fëmijët me aftësi të kufizuara në Gjilan, për nder të festave të fundvitit.

Në emër të bashkatdhetarëve, donacionin e ka konfirmuar të hënën bashkatdhetari, Kushtrim Jetishi, në takimin me nënkryetarin e Gjilanit, Arbër Ismajli, i cili shoqërohej nga drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Selami Xhemaili.

Ismajli ka thënë se ky aksion i tyre është rezultat i atdhedashurisë dhe përkushtimit për vendin e tyre, familjet e mbarë shoqërisë, përcjell albinfo.ch.

“Roli i diasporës është jetik në mbarë periudhat për zhvillimin e vendit të tyre, konsolidimit të shtetësisë, e veçanërisht, ndihmën e madhe që japin për familjet e tyre në Kosovë. Faleminderit Kushtrimit dhe mbarë shoqërisë së tij për vullnetarizmin dhe përkushtimin për t’i gëzuar zemrat e fëmijëve tanë. Zoti ju shpërbleftë mundin dhe sakrificën”, ka thënë Ismajli.