Kosova

Merren vesh berberët e Podujevës t‘i “rruajnë“ paratë e konsumatorëve!

Berberët që operojnë në komunën e Podujevës kanë paralajmëruar rritjen e çmimit të prerjes së flokëve.

Dakordimin për rritjen e çmimeve e kanë bërë në një takim të mbajtur në mes të berberëve të kësaj komune. Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se në takimin e parë është diskutuar rritja e çmimeve, mirëpo një vendim definitiv pritet të merret në një takim të ardhshëm që është paralajmëruar të mbahet para datës 15 shkurt.

Gazeta e ka siguruar edhe çmimoren e re, që tashmë disa prej bizneseve veçse e kanë përgatitur.

Një rritje e tillë e çmimeve, bazuar në një marrëveshje në mes të bizneseve, është e ndaluar me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Gazeta Jeta në Kosovë ka qenë në Podujevë dhe ka biseduar me disa berberë që kanë qenë prezentë në takimin, ku është folur për mundësinë e rritjes së çmimit.

Berberët kanë refuzuar të flasin para kamerës, por kanë treguar për takimin e mbajtur dhe atë që është diskutuar, shkruan jnk, përcjell albinfo.ch.

“S’po di qysh me ju kallxu, se janë do organizatorë që e kanë bo mbledhjen, ata munden me ju kallxu ma mirë. Po më vjen keq, po nuk mundem me fol unë”, tha ai, duke vazhduar të tregojë se çfarë është diskutuar në takimin e mbajtur me koleget e tjerë.

 “Na jemi marrë vesh për rritje të çmimit, por hala nuk është vendosur. Momentalisht e kemi 2 euro prerjen e flokëve, por nëse vendoset bëhet 3 euro. Ka disa të tjerë që e kanë 1 euro dhe do ta rrisin në 2”, thotë një berber, i cili kërkoi të mos citohet me emër.

Gazeta ka folur edhe me berberë të tjerë.

“Na nuk kemi marrë pjesë në mbledhje, nuk e dimë se çka është vendosur. Nëse vendoset për rritje të çmimit, edhe ne do të pajtohemi, por tash për tash nuk mundemi me fol ma shumë”, u përgjigj një berber tjetër.

Një nga berberët që ishte një ndër iniciatorët e mbledhjes, fillimisht pranoi për të folur para kamerës rreth vendimeve që janë marrë në atë mbledhje. Por, ai ndërroi mendjen për t’u prononcuar pas një telefonate që pranoi.

“Më vjen keq, po nuk mundem të deklarohem. Kolegët duhet me i respektu, ata kanë kërku që mos me fol për media derisa të mbahet edhe një mbledhje tjetër. Hajdeni pas 15 shkurtit, se atëherë do të vendoset dhe pastaj mund të flasim për të gjitha gjërat”, thotë ai, duke shfaqur ngurrimin për t’u deklaruar.

Rritjen e çmimit e arsyetojnë me trendin e rritjes së çmimeve në Kosovës për shërbime e produkte të tjera.

“Definitive hala nuk ka kurgjo, në mbledhje vetëm kemi folur, kur ka diçka definitive, atëherë mund të flasim. Arsyeja pse dëshirojmë për me e rrit është se jon rrit tona senet, të gjithë po kanë dëshirë m’i pas ato çmimet e veta. Nëse vendoset, atëherë edhe unë duhet me rritë. Pas 15 shkurtit vendoset”, ka thënë ai, duke kërkuar të mbetet anonim.

Neni 4 i Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës e ndalon marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, caktimin e çmimit të shitjes apo shërbimeve.

“Ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, vendimet e marra në mes të shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduara, të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare në tregun relevant, e veçanërisht marrëveshjet që: 1.1. caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi”, thuhet në nenin 4 të këtij ligji.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar edhe një foto të çmimores së re që e kishte vendosur njëra prej bizneseve.

Në vitin 2016, bizneset hoteliere në Ferizaj, në mënyrë të organizuar kishin vendosur për rritjen e çmimit të makiatos nga 50 cent në 70 cent, por që kishte ngjallur reagim të qytetarëve në rrjetet sociale. Por pas interesimit të Autoritetit të Konkurrencës, çmimi i makiatos ishte zbritur përsëri në 50 cent.

’Ky grant financohet nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjencisë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)’’.