Lajme

Metroja e Lozanës drejt modernizimit të madh

Ky projekt shihet si pjesë e strategjisë së qëndrueshme të transportit, duke synuar reduktimin e trafikut dhe ndotjes

Metroja në Lozanë pritet të përfitojë nga një përmirësim i madh, në një përpjekje për të rritur kapacitetin dhe për të përballuar rritjen e numrit të udhëtarëve në qytet.

Sipas planeve aktuale, sistemi i metrosë do të zgjerohet dhe modernizohet përmes projekteve të reja infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e linjës së re M3 dhe përmirësimin e linjës ekzistuese M2.

Këto investime synojnë të lehtësojnë mbingarkesën në rrjet, e cila është bërë një problem i madh vitet e fundit për shkak të rritjes së përdorimit të transportit publik, transmeton albinfo.ch.

Një nga elementet kryesore të projektit është ndërtimi i një tuneli të ri me dy linja nën stacionin kryesor të trenit, që do të rrisë ndjeshëm kapacitetin dhe frekuencën e trenave.

Aktualisht, një pjesë e rrjetit është e kufizuar për shkak të segmenteve me një linjë të vetme, çka ndikon në vonesa dhe mbipopullim gjatë orëve të pikut.

Linja e re M3 pritet të lidhë stacionin qendror të qytetit me zonat në veri, duke kaluar nëpër pika kyçe si Chauderon dhe Beaulieu.

Ky projekt shihet si pjesë e strategjisë së qëndrueshme të transportit, duke synuar reduktimin e trafikut dhe ndotjes.

Autoritetet lokale presin që deri në vitet e ardhshme, numri i përdoruesve të transportit publik në Lozanë të rritet ndjeshëm, duke e bërë të domosdoshëm këtë investim të madh në infrastrukturë.