Integrimi

Migrimi nuk është vetëm barrë

Bashkim Iseni riafirmon se si kontributi i njerëzve nga vendet e tjera është i rëndësishëm për demokracitë në plakje të kontinentit të vjetër

Migrimi është tashmë i afruar gjithnjë e më tepër me një fenomen njerëzor me aspekte negative. Mendoj  për dy fenomene shumë të mediatizuara, nga njëra anë, rrjedha apokaliptike e pandërprerë e emigrantëve nga vendet me konflikte serioze në Lindjen e Mesme apo që largohen nga rajonet e varfra të botës, të cilët dynden në Evropë. Nga ana tjetër, kërcënimi xhihadist – që tashmë është bërë mjaft i vërtetë që nga valët e sulmeve vdekjeprurëse në Francë – me sfond të rinjtë me prejardhje nga migrimi. Episodi shokues i abuzimeve seksuale të neveritshme  të kryera nga një turmë burrash në stacionin hekurudhor në Köln, në Gjermani, por edhe debati për votën e 28 shkurtit mbi iniciativën e re popullore për “largimin efektiv të kriminelëve të huaj”, janë shtuar në këtë sfond të zymtë.

Këto përfaqësime e shtrembërojnë shumë fort fytyrën e vërtetë të migrimit, historinë e saj, por edhe rolin e saj në prosperitetin e shoqërive tona. Gjëja që fsheh ky fjalim negativ – i cili bazohet në probleme ekzistuese, por që nganjëherë ngatërrohet me elementet kulturore – është  kontributi i pamohueshëm i migrimit në demokracitë perëndimore. Ky kontribut është në radhe të parë demografik dhe si rrjedhim edhe ekonomik.

Një studim gjerman i kohëve të fundit tregon se vendi ka nevojë vazhdimisht për 500.000 emigrantë në vit për të kompensuar një popullsi në plakje

Të marrim shembullin e Gjermanisë, një vend evropian i madh dhe i zhvilluar. Një studim i kohëve të fundit i një fondacioni gjerman tregoi se vendi ka nevojë vazhdimisht për 500.000 emigrantë në vit për të kompensuar një popullsi në plakje. Kjo rrjedhë e burimeve njerëzore nuk mund të sigurohet në afat të mesëm nga emigrantët nga vendet e tjera evropiane, por nga diku tjetër. Vetëm me këtë kusht Gjermania, por edhe vendet e tjera të kontinentit të vjetër, mund të mbështesin kërkesën për fuqi punëtore të nevojshme për ekonominë e tyre.

Tashmë e dimë se çdo valë migrimi sjell problemet e veta dhe shpenzime në afat të shkurtër, por në afat të gjatë, vendi pritës del i fituar. Behet fjalë për një investim fitimprurës,  jo vetëm në planin demografik apo ekonomik. Megjithatë, në qoftë se migrimi vazhdon të perceptohet sistematikisht si një barrë ose kërcënim ndaj sigurisë tonë, mundësitë për të sapoardhurit, të cilët janë shumë të motivuar për të (ri) filluar një jetë të re në vendin e tyre të ri, rrezikojnë të zvogëlohen, duke hedhur dëm një potencial të vërtetë për vendin pritës. Por përsëri, paradoks i historisë, mbulimi i madh meditativ i kësaj çështje si një problem gjeneron, njëkohësisht, një konsensus të gjerë politik në favor të ndarjes së burimeve për të siguruar mbështetjen më të mirë dhe zhytje të shpejtë kulturore të sapoardhurve.

( botuar në 24 heures, 30-31 janar 2016)