Lajme

Mimoza Zajmi-Duraku, psikologia e suksesshme shqiptare në Vjenë

Temën e diplomës në Universitetin e Vjenës ajo ia ka dedikuar stresit posttraumatik të të prekurve gjatë luftës së Kosovës. Sot, po në Vjenë, Mimoza Zajmi - Duraku udhëheq një ordinancë të suksesshme të psikologjisë.

Mimoza Zajmi – Durakun e takova një të shtunë paradite. Të them të drejtën, kisha pak emocione, mbase më shumë se sa të bisedoja me një person të njohur publik. Kjo për vetë faktin se psikologët mund të kuptojnë menjëherë tipin dhe gjendjen momentale emocionale edhe pa diskutuar shumë.

Mimoza Zajmi -Duraku ka ordinancë psikologjike në Vjenë, e cila gjendet në lokacionin top “Palais Aurora” në “Währinger Straße 39”, në bezirkun e 9-të. Aty edhe u takuam. Ishte ndërtesë e vjetër, por e restauruar me shije dhe stil ultramodern. Në fillim isha më e rezervuar se normalisht, por brenda disa minutave mu shfaq një vajzë e dashur, shumë e thjeshtë dhe e mirë duke më lënë menjëherë terren të bisedoj që në momentet e para mbi gjëra personale.

Tradita qëndron në familje dhe ka themele të forta

Vajza nga Gjakova, e bija e një neurologu dhe psikiatri të njohur në Kosovë, jeton në Vjenë që nga viti 2005. Pasi përfundon provimin e gjuhës, thellohet në studimet e psikologjisë, të cilat zgjasin në Austri rreth 16 semestra, pra 8 vjet. Në fakt më tregon me krenari se këtë profesion e ka zgjedhur për shkak të babait të saj, të cilin e ka admiruar që e vogël, jo vetëm si baba të mrekullueshëm, por edhe si idhull në punën e tij. Mimozës i ka mbetur në kujtesë se sa falënderues ishin njerëzit gjithnjë kur kishin nevojë për të. Përpara shëndetit mendor s´vihet asgjë tjetër në këtë botë, as pasuria e as salltanetet.

Rastësisht kisha hasur në temën e diplomës së Mimozës në Universitetin e Vjenës dhe nuk e di, por ndjeva krenari dhe njëkohësisht falënderim për të. Temën e diplomës ajo ia ka dedikuar stresit posttraumatik të të prekurve gjatë luftës së Kosovës. Ka bëra intervista të shumta me persona të traumatizuar nga lufta ose qe kanë humbur të afërmit e tyre. Me punën e saj, Mimoza ka realizuar një kontribut për vendin që nuk haset lehtë, sepse pasojat e luftës janë ato që na ndjekin dhe shumë e shumë kohë pas përfundimit. Çdo hap në drejtimin e përpunimit psikologjik në kolektiv është një hap drejt shërimit mendor për të gjithë ne.

Karriera në Austri, çelësi i suksesit është eksperienca

Pas studimeve të psikologjisë së përgjithshme, Mimoza menjëherë ka filluar specializimin për psikologe klinike dhe të shëndetit, që gjithashtu zgjat rreth 3 vjet. Duke qenë se ky specializim e ka bazën në praktikë, ajo përfundon përpos praktikës gjatë studimeve në “Otto-Wagner-Spital” e cila është një klinikë ditore për të moshuar me probleme psikike, edhe praktikën në qendrën “Autistenhilfe”. Pra ajo ka punuar me fëmijë autistë duke i ndjekur ata në shkollë si dhe në diagnostifikim të mëtejshëm. Kjo eksperiencë ka qenë shumë me vlerë, pasi Mimoza ka arritur t´i inkuadrojë këta fëmijë në jetën e përditshme, në ecurinë në shkollë apo dhe në zhvillimin personal. Më tej ajo u dedikohet fëmijëve me sëmundje të rënda në departamentin onkologjik në “Sankt Anna Kinderspital”.

E pyes se çfarë ndjenje është të konfrontohesh vetë me fate të tilla dramatike dhe si arrihet të përballohet kjo gjë? Pasi mendohet shkurt, Mimoza me tregon.  “…në fillim i kam përjetuar gjërat shumë personalisht. Në terapinë psikologjike ka supervizorë të cilët mbështesin vetë psikologët pasi kryejnë terapi të ndryshme. Dikur mësohesh se detyra jote nuk është të ndjesh më të prekurit, por t´i ndihmosh dhe t´i përkrahësh ata në rrugën e shërimit apo përmirësimit. Kur e finalizon këtë fakt, të lehtësohet puna masivisht, pasi fokusohesh tek shëndeti i pacientit dhe jo tek fati i tij”.

Një pyetje tjetër më kishte munduar gjithë kohën, sidomos për sa u përket fëmijëve dhe të moshuarve, kur ata kanë probleme psikike. Kjo kërkon që e gjithë familja të jetë pjesë e terapisë, pasi gjithçka reflektohet dhe ndikon tek të gjithë pjesëtarët. Pra, si mund të komunikosh me prindër të cilëve duhet t´ua bësh të qartë faktin se fëmija ka nevojë për ndihmë. “Pjesë e autizmit është e gjithë familja, jo vetëm fëmija”,- shprehet ajo. Mimoza më thotë që kështu se ka parë ndonjëherë këtë gjë, sepse bisedat me prindër dhe familje janë gjithsesi pjesë e terapisë apo e punës. Si stacion aktual përveç ordinancave private për fëmijë apo të rritur, Mimoza është pjesë e stafit të “Kindersozialdienste St. Martin”, ku ajo është specialiste për diagnostikim të psikologjisë klinike dhe për shëndetin. Ky institut i krijuar për të ndihmuar fëmijë për çdo lloj problemi, ndodhet në Tulln dhe Klosterneuburg, ofron terapi për fëmijë në Austrinë e Ulët dhe financohet nga donatorë. Prindërit paguajnë vetëm një kuotë minimale për seancat e terapisë. Psikologes Zajmi- Duraku i është bërë shumë shpejt e qartë se praktika është baza më e fortë për tu rritur profesionalisht.

A u vjen turp shqiptarëve të shkojnë te psikologu?

“…ky mentalitet i përgjithshëm nuk ekziston më. Unë kam pasur gjatë eksperiencës sime shumë pacientë shqiptarë, si të rritur ashtu dhe fëmijë. Ky fakt më gëzon shumë, sepse ka shumë njerëz të cilët kanë nevojë vetëm për një apo dy seanca ku ata thjesht duan të flasin me dikë, jashtë familjes apo rrethit të të njohurve. Përveç kësaj, terapia në gjuhën e nënës është shumë efikase, sidomos për fëmijë. Të kërkosh ndihmë tek psikologu nuk është dobësi, por diçka e vetëkuptueshme që të çon një hap më afër harmonisë tënde.”, – thekson Mimoza. Mbështetja psikologjike është rezultat i një pune të gjatë identifikimi nevojash specifike për pacientin, psikologu dëgjon shqetësimet, përjetimet dhe nevojat e tij si dhe e ndihmon atë të pranojë realitetin e tij shëndetësor. Ai luan një rol kyç terapeutik duke mundësuar të vendosë një lidhje midis të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes. Gjëja më e rëndësishme që duhet të dijë pacienti, është gjithashtu të ruhet privatësia. Psikologu është i detyruar me ligj të trajtojë gjithçka në mënyrë të fshehtë deri edhe kundrejt autoriteteve apo institucioneve.

Këshilla dhe marrje ndihme psikologjike gjatë pandemisë së Covid-19

Mimoza ka përmbledhur që nga fillimi i pandemisë një sërë këshillash, si për të rritur ashtu dhe për fëmijë, në lidhje me gjendjen e jashtëzakonshme që ka shkaktuar Covid-19. Disa nga këto udhëzime profesionale të provuara shkencërisht i sugjerohen për zbatim gjithkujt nga ne dhe janë si më poshtë:

 

Krijoni një strukturë ditore. Strukturimi i ditës ndihmon kundër kaosit, të jep siguri dhe të forcon në momente stresuese.

Përdorni mediat në masë të caktuar. Evitoni përdorimin e pandërprerë mediatik, si iPad, TV, telelefon etj. Caktoni një orar fiks, kur secili nga anëtaret e familjes mund të angazhohet me media.

Koncentrohuni në fuqitë e juaja. Burimet e brendshme mentale, janë të gjitha përjetimet pozitive që keni kaluar deri tani, të gjitha problemet jetësore që i keni zgjidhur deri tani, të gjitha forcat dhe talentet që i keni. Të gjitha këto, janë burim i energjisë te cilin duhet ta aktivizoni dhe përdorni në këtë situatë.

Lëvizja bën mrekulli në kokë dhe ndikon pozitivisht, në psiqikën e njeriut, kjo është e vërtetuar shkencërisht. Lëvizja në hapësira të ngushta në ditët e sotme, nuk është problematike. Shumë video në internet japin udhëzime për programe trajnimi fizik, që janë shumë të dobishme! Shfrytëzoni këtë mundësi.

Mbani kontaktet sociale me anë të telefonit. Bisedoni me të afërmit tuaj dhe me shoqërinë, me të cilët, mbase ka kohë që nuk jeni dëgjuar. Gjeni një pikë (kohë) të ditës dhe pyetni veten „Çfarë ishte e bukur në ditën e sotme?“ Si eksperte e denjë në fushën e saj Mimoza Zajmi Duraku ofron një sërë terapish dhe shërbimesh psikologjike nga aspekti mendor për fëmijë, adoleshentë dhe të rritur. Këtu hyjnë shqetësimet apo çrregullimet psikologjike me bazë ankthi, depresioni, vartësitë, traumat, krizat jetësore personale dhe familjare, menaxhimi i stresit në rrethanat e një sëmundje fizike akute ose kronike. Ndihmë psikologjike për refugjatë në procesin e adaptimit psikik me kushtet e reja të jetesës si dhe seanca grupore (8-10 persona) për çrregullime të ngjashme psikike si depresioni, çrregullimet e ndjenjës së ankthit dhe sëmundjet e vartësisë (alkooli, duhani etj.)

Box

Këtu i gjeni shërbimet e Mimoza Zajmi – Durakut

Të gjitha këto shërbime ofrohen në ordinancën e saj që gjenden në Vjenë, përkatësisht në rrugët: në lokacionin top “Palais Aurora” në “Währinger Straße 39”, në bezirkun e 9-të. Gjithashtu ajo është pjesë e stafit në qendrën „Kindersozialdienste St. Martin“ në Klosterneuburg si psikologe klinike dhe e shëndetit e specializuar për diagnostikim.