Lajme

Ministrat e Transportit të BE-së diskutojnë për rrezikun e mungesës së karburanteve

Ministrat e Transportit të Bashkimit Evropian kanë zhvilluar një takim për të diskutuar rreth një krize të mundshme me furnizimin me karburante.

Para videokonferencës, ministri i Transportit i Qipros, Alexis Vafeades, i cili kryesoi takimin, tha se aktualisht nuk ka mungesë karburantesh në BE. Megjithatë, ai paralajmëroi se situata gjeopolitike në Lindjen e Mesme mund të sjellë probleme të përkohshme në furnizim.

Ai u shpreh se edhe pse për momentin nuk ka mungesa, një situatë e tillë do të kishte ndikim të madh në transport dhe lidhshmërinë brenda Bashkimit Evropian, duke prekur çdo qytetar.

Sipas tij, takimi synon përgatitjen e masave parandaluese që do të diskutohen më tej nga liderët e BE-së në një samit që do të mbahet në Qipro në fund të javës.

Vafeades theksoi gjithashtu se BE duhet të jetë e përgatitur për të shmangur probleme të mundshme si radhët në pikat e karburantit dhe çrregullimet në furnizim.